Jump to content

Mustafa Kruja

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mustafa Merlika)
Mustafa Kruja
Kryeministër i Shqipërisë
Në detyrë
3 dhjetor 1941 – 4 janar 1943
Paraprirë ngaShefqet bej Vërlaci
Pasuar ngaEqrem bej Libohova
Zëvendësisht ministër sekretar shteti i Punëve të Brendshme
Në detyrë
3 dhjetor 1941 – 4 janar 1943
Paraprirë ngaMaliq bej Bushati
Pasuar ngaE. Libohova
Zëvendësisht ministër sekretar shteti i Drejtësisë
Në detyrë
7 maj 1942 – 4 janar 1943
Paraprirë ngaHasan Dosti
Pasuar ngaAnton Kosmaçi
Zëvendësisht ministër i Partisë Fashiste
Në detyrë
2 nëntor 1942 – 4 janar 1943
Paraprirë ngaKolë Bibë Mirakaj
Pasuar ngaKolë Bibë Mirakaj
Zëvendësisht ministër sekretar shteti i Tokave të Lirueme
Në detyrë
4 shkurt – 7 maj 1942
Paraprirë ngaTahir Shtylla
Pasuar ngaEqrem bej Vlora
Ministër i Postë-Telegrafës
Në detyrë
25 dhjetor 1918 – 29 janar 1920
Paraprirë ngaMid'hat Frashëri (1914)
Pasuar nga-
Të dhëna vetjake
U lind më15 mars 1887
Akçahisar, Perandoria Osmane
Vdiq më27 dhjetor 1958
Niagara Falls, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Nënshtetësiashqiptar
Bashkëshortja/etCaje
Fëmijët4 djem
Punësimimësues, nëpunës
Nënshkrimi

Mustafa Asim Merlika i njohur më shumë si Mustafa Kruja, apo Mustafa Merlika Kruja[1] (Kruja, 15 mars 1887Ujëvarat e Niagarës, 27 dhjetor 1958) ka qenë mësues, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë të Shqipërisë, nëpunës, politikan dhe kryeministër, senator i legjislaturës së XXX të Mbretërisë Italiane gjatë regjimit fashist, anëtar i komisionit të punëve të jashtme, tregtisë dhe legjislacionit doganor gjatë mandatit të tij si kryeministër.[2]

Si studiues i shqipes, historian e publicist njihet dhe me emrin e pendës Shpend Bardhi. Ndonëse produkti i tij intelektual nuk u pranua përgjatë regjimit komunist, sepse u cilësua kuisling edhe tradhtar, në studimet e veta mbi etimologjinë e shqipes, Eqrem Çabej e citon në mënyrë të përsëritur.

Vogëlia dhe rinia

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

U lind më 15 mars 1887 në Akçahisar, siç u emërtua Kruja nga administrata osmane, i biri i qehajaitToptanëve Mehmet efendiut[3] (Meta i Fajës së Merlikës) dhe Hanke Corkës, një familje bektashie. Ndoqi mejtepin e Mulla Hysen Topçiut në vendlindje, dhe pas shpërnguljes së familjes së tij për shkaqe gjaku në Durrës, vijoi mësimet aty ku i dha mësim myderrizi Jusuf efendi Varoshi. Me shpërthimin të Luftës Osmano-Greke më 1897, i ati dhe i ungji thirren nën armë.[4] Familja e tij rikthehet në vendlindje, ku Merlika vijoi mejtepin dhe më pas hyn në ryzhdijen e qytetit, të cilën e përfundon pas 3 vjetësh. Pas shkollës u ngjit shegert tek tregtari Myftar Seseri, në dyqanin e të cilit lexoi Naimin.[5] Sipas burimeve të tjera, thuhet se ndoqi ryzhdijen në Elbasan dhe Mercan idadisi në Stamboll.[3]

Më 1902, i ati me shërbim rreshter i xhandarmërisë në Janinë, thirri të birin për t'u regjistruar në idadijen e Janinës ku ishte nëndrejtor e i dha mësim Qamil Bala. Vitin e tretë të shkollës e mbaroi pranë gjimnazit "Numune-i Terakki" në Stamboll, ku nisi të aktivizohej në mjedisin studentor. Në sajë të Esad Pashës, vijoi shkollën e lartë administrative mbretërore "Mülkiye-i Şahane". E përzunë një periudhë për shkak të angazhimit të tij në propagandimin e ideve kombëtare.[6] Në kryeqytetin osman ishte pjesë e këshillit të lartë të "Cemiyet-i inkilabiye" kundër të Sulltan Abdyl Hamitit II dhe në mbështetje të kushtetutës. Pas Revolucionit Xhonturk më 1908, punoi në mbështetje të mësimdhënies të gjuhës shqipe në Mylkije dhe shkruajti artikuj në shtypin liberal të Komitetit "Bashkim e Përparim" me nofkën Asim Cenan (Asim Xhenan). Përkundrejt dëshirës së bamirësit të tij, ndoqi karrierën në arsim, më 1910 iu caktua sekretariati i administrimit të shkollave idadije në Ministrinë e Arsimit Publik. Pas një viti u emërua Drejtor i Arsimit në sanxhakun e Elbasanit,[3] mësues matematike në idadijen e Durrësit[3] dhe mësues turqishteje në një shkollë fillore italiane.[7]

Ishte veprimtar aktiv i Kryengritjes së 1912 si sekretar i çetave të Abdi bej Toptanit.[6] Me Neki Rulin, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Sali Nivicën, priti në Durrës përfaqësuesit e Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë: Rexhep bej Mitrovicën, Bedri Pejanin, Salih Gjukën dhe Mid'hat bej Frashërin. Pasi iu bashkuan Abdi dhe Refik bej Toptani, u mblodhën në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, ku Abdi beu u lexoi një letër nga Syrja bej Vlora për një kuvend mbarëshqiptar.[8] Priti dhe shoqëroi Ismail Qemalin për në Vlorë ku u mbajt kuvendi dhe vetë përfaqësoi Krujën,[9] kuvend në të cilin nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë me siglën Mustafa Asim Kruja[10] dhe u caktua sekretar i parë i qeverisë. Më 1913 qe nënprefekt i Vlorës.[11] Më pas, gjatë administratës së qeverive në kohën e Princ Vidit, qe këshilltar i arsimit publik[3] dhe inspektor i arsimit në Elbasan.[11] Pas shpërthimit të Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, Thanas Floqi shkruan se e takoi në Rrëshen.[12] Me kthimin e Esad Pashës, Merlika nuk i bindet, Pashai e burgos dhe autoritetet italiane e internojnë në ishullin e Favinjanës. Me shtjellën e ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore, lirohet dhe lejohet të shkojë në Caserta, ku ishte me shkollë i vëllai.[13]

Nëntorin e 1918 u rikthye sërish në vendlindje dhe më 25 dhjetor qe përfaqësues[13] i Durrësit[14]Kongresin e Durrësit të nxitur nga Italia. Gjatë punimeve të Kongresit të Durrësit propozoi që Shkodra të ishte kryeqytet i Shqipërisë.[15] Në qeverinë Përmeti të dalur prej kongresit qe emëruar ministër i Postë-Telegrafeve. Mori pjesë në delegacionin qeveritar që shkoi të përfaqësonte çështjen shqiptare në Konferencën e Paqes, ku bashkë me Gurakuqin hartoi disa memorandume dhe nota drejtuar konferencës.[13] Pas ndërrimit të përfaqësuesve në konferencë, kthehet në atdhe ku bie në kontakt me idetë e organizimit të një tjetër kongresi kombëtar. Pasi nuk u ujdisën në bisedime që kongresi të mbahej në Krujë dhe Merlika të merrte post kryesor, sipas kujtimeve të bashkëkohësve bën pjesë në komplotin e vrasjes së Abdyl bej Ypit, që ishte ndër zërat për mbajtjen e kongresit.[16] Nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të Lushnjës, por u mor me organizimin e qëndresës antiserbe në Dibër, Lumë dhe në Luftën e Koplikut me 200 krutanë. Ndërhyri edhe në mbrojtje të Tiranës me forcat e komanduara nga Bajram Curri kundra esadistëve të Osman Balit.[17]

Në zgjedhjet e 5 prillit 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Kosovës,[18] i afërt me kosovarët,[3] iu bashkangjit deputetëve të Shkodrës si grupim parlamentar. Përvjetorin e fitores në Vlorë më 1921 bashkëfarkëtoi një aleancë politike të palëve brenda dhe jashtë parlamentit, emërtuar Bashkimi i Shenjtë.[19] Përgjatë ndodhive të Republikës së Mirditës dhe dorëheqjes së dy ministrave të qeverisë Evangjeli, dhjetorin e 1921 qe pjesë e grupit që i kërkoi kryeministrit që të jipte dorëheqjen. Pas krizës qeveritare të dhjetorit, Këshilli i Naltë emëroi qeverinë Ypi, por Merlika me anëtarët e Bashkimit të Shenjtë dhe ato të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u mobilizuan edhe njëherë kundër qeverisë marsin e 1922.[20] Si anëtarët e tjerë të lëvizjes, doli nga Shqipëria dhe u vendos në KragujevacMbretërinë Jugosllave;[11] në parlament u zëvendësua nga ish-mësuesi i tij, Qamil Bala.[18] Më 2 qershor 1924, me qëllim zbutjen e gjendjes, Kuvendi Kushtetues e fali me anë të një vendimi bashkë me të tjerë.[21] Përkrahu Lëvizjen e qershorit, pas suksesit të së cilit u emërua prefekt i Shkodrës dhe në dhjetor arratiset pas Triumfit të Legalitetit. Në fillim në Bari dhe më pas u vendos në Zara të Dalmacisë, asokohe pjesë e Italisë.[22]

Mërgimi ndaj Zogut

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në mërgim bëhet anëtar i Konare-s, palë me Hasan Prishtinën, pro një federate ballkanike[23] dhe italofilë.[24] Pasi u bë e detyrueshme të kalohej politikisht majtas për të qenë në Konare, Grupi i Zarës me Merlikën në krye, u shkëputën dhe nuk morën më ndihma nga Bashkimi Sovjetik, por u ndihmuan nga Italia.[22] Gjatë kësaj periudhe u mor me tregti duhani e cigaresh[25] dhe studime gjuhësore,[11] qëndroi tetë vjet në Zarë, tre vjet e gjysmë në një fshat pranë Gjenovas, dy vjet në Gjenevë dhe afro një vit ndër vise të tjera në Austri e Itali.[4] Me nënshkrimin e Paktit II të Tiranës, Merlika i dërgoi një telegram urimi Musolinit për këtë arritje me Shqipërinë.[26]

I konsideruar nga bashkëmërgimtarët si i përzgjedhuri i politikës italiane për të zëvendësuar eventualisht Mbretin Zog, u ngarkua nga Bashkimi Kombëtar për bisedime me përfaqësuesin e qeverisë italiane Giovanni Giro për një akord mes autoriteteve italiane dhe mërgatës shqiptare.[27]

U kthye në Shqipëri pas pushtimit italian, dhe me mbledhjen e Asamblesë Kushtetuese më 12 prill 1939 emërohet një ndër katër senatorët fashistë shqiptarë[28] të Mbretërisë Italiane. Në foltoren e teatrit Savoja në Tiranë deklaroi veten fashist të përkushtuar ndërsa Benito Musolinin "profetin e besimit tonë politik".[29] Kur Italia dhe më pas qeveria kukull e Tiranës i shpallën luftë Britanisë dhe Francës, Kruja u bëri thirrje shqiptarëve të bashkoheshin nën komandën e Musolinit në këtë luftë.[30]

Më 1940 që prej krijimit, kryesoi Institutin e Studimeve Shqiptare dhe me hartimin e një fjalori të përgjithshëm të gjuhës shqipe.[31] Më 1940 merr pjesë në Komisionin për Rivendikimet Shqiptare, të kryesuar nga Xhemil Dino, Fejzi bej Alizoti, Dhimitër Beratti dhe Tahir Shtylla. U caktua kryetar i Komitetit të Rivendikimeve në ish-Vilajetin e Kosovës (Komiteti i Kosovës).[32]

Kryeministër 1941-1943

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Nëntorin e 1941 Jacomoni përgatiti zëvendësimin e qeverisë Vërlaci me Merlika-Krujën, për shkak të menaxhimit jo të mirë të Tokave të Lirueme, autonomi më të madhe dhe vendosjen e një qeverie më afër intelektualëve e të rinjve.[33] Konti Ciano në ditarin e tij e komentoi "Jakomoni propozon ndryshimin e qeverisë në Shqipëri. Kruja në vend të Vërlacit. Që do të thotë një lëshim të mëtejshëm ndaj ekstremistëve të nacionalizmit shqiptar".[34] Më 4 dhjetor 1941 u dekretua kabineti i tij dhe Kruja krijoi qeverinë e dytë kolaboracioniste shqiptare.[35][36] Në 10 dhjetor 1941, Kruja paraqiti programin e qeverisë para Këshillit të Epërm Fashist Korporativ. U shfaq si kryeministër i të gjithë shqiptarëve të bashkuar nën Perandorinë Fashiste italiane dhe e krahasoi gëzimin e kësaj dite të bashkimit me gëzimin e shpalljes së pavarësisë me 28 nëntor 1912.[37] Për të siguruar mbështetjen e shqiptarëve, i kushtoi vëmendje çështjes së Kosovës. Ai premtoi se Kosova do të ishte problem prioritar i qeverisjes së tij. Kruja theksonte se:[38]

«Po të na detyronte fati të zgjedhim njërën nga të dyja: të humbim Kosovën, apo pavarësinë, ne do të dëshironim të humbnim pavarësinë sepse të bashkuem me Kosovëm, pavarësinë do ta rikthenim ndonjë ditë.»

Ai iu drejtua gjithë atyre që kundërshtonin regjimin e pushtimit italian, duke i paralajmëruar: "duem tu dalim hakut me të mirë para se të përdorim shpatën e nji shteti që s'e ka ndër mend m'u bamë loja e kurrkujt".[39]

Qeveria Kruja më 16 dhjetor 1941 u shpalli luftë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.[40] Në shkurt 1942 shkoi në Romë, ku u takua me Duçen, me Çianon dhe me Viktor Emanuelin III. U kërkoi korrigjimin e kufinjve me Malin e Zi, heqjen e simboleve të shtëpisë së Savojës nga flamuri shqiptar, një regjim më të lirë të autonomisë lokale,[41] rivendosjen e Ministrisë së Jashtme shqiptare, rikrijimin i Forcave të Armatosura dhe Milicisë shqiptare.[42] Më 19 shkurt mbajti fjalim në senatin italian, i cili u transmetua në radio dhe u dëgjua edhe në Shqipëri. Fjalimi qe një apologji e fashizmit dhe e politikës italiane, ngjalli pakënaqësi në Shqipëri dhe u shfrytëzua nga party Komuniste për ta diskredituar atë.[43] Mëkëmbësi Jakomoni i dërgoi Duçes një promemorie në mbështetje të kërkesave të Krujës per flamurin, për rikrijimin e xhandarmërisë shqiptare, per shkrirjen e Partisë Fashiste dhe për amnistinë e pjesshme të elementëve antifashistë. Në 4 maj u miratua kërkesa e Krujës për flamurin dhe u hoqën shenjat e shtëpisë së Savojës.[44][45] Kjo qe e vetmja nga kërkesat e tij që u plotësua nga Italia.[46]

Kruja ngadalësoi procesin e fashistizimit dhe italianizimit të vendit, premtoi se do të viheshin në vend gabimet e qeverisë së mëparshme kolaboracioniste dhe la të kuptohej se pushtimi do të ishte i përkohshëm. U përpoq të përçajë frontin e rezistencës antifashiste.[38] Ndryshimet e vogla që siguroi nga Roma ishin vetëm kozmetikë e lehtë e regjimit të pushtimit dhe politika e tij paqësore dështoi. Shqiptarët e kishin kaluar dehjen e përkohshme nacionaliste që solli bashkimi i tokave shqiptare nën pushtimin italian dhe pakënaqësia e tyre ishte në rritje. Premtimet për mirëqenie nuk u realizuan dhe varfëria mbeti problem i madh. Partizanët dhe Myslym Peza hodhën poshtë ofertat e Krujës që t'i bashkohen atij hapur, dhe kështu vepruan edhe Abaz Kupi, Ali Këlcyra dhe Muharrem Bajraktari, prandaj Kruja ashtu siç kishte paralajmëruar zhveshi shpatën e qeverisë së tij kundër gjithë kundërshtarëve të regjimit fashist.[47] Partia komuniste organizoi njësitet e saj guerile dhe çetat partizane të cilat në pranverë 1942; më 5 maj 1942 u vra Qemal Stafa, ndërsa një muaj më vonë në Shkodër Perlat Rexhepi, Branko Kadia dhe Jordan Misja.[47] Fryma e antifashizmit përfshiu një pjesë të mirë të qyteteve dhe u përhap shpejtë edhe në fshatra. Të rinjtë iu bashkuan çetave partizane ose atyre kaçake. Një numër çetash të reja u krijuan mbi baza familjare.[48]

Me vrasjen e Qazim Koculit dhe prefektit Lele Koçi në Vlorë, Merlika-Kruja i paraqiti dorëheqjen Jakomonit.[49]

Pas kapitullimit italian

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 2 tetor 1943 i bëhet atentat nga partizanët.[50] Pas sulmit partizan kundër zogistëve në Shupal më 5 korrik 1944, Merlika së bashku me Fiqri Dinen dhe Mark Gjonmarkajn u takuan më 11 korrik me Bazin e Canës. Pas muajsh mosmarrëveshjeje, prania partizane i shtrëngoi drejt një ujdie në organizimin kundër Frontit Nacional-Çlirimtar, ku ndërhyrjet e Merlikës ndihmuan kalimin e njerëzve të Abazit nëpër Shqipërinë e Mesme e Tiranë.[51]

U thirr në Vjenë, ku shkoi më 1 shtator 1944 për t'i qëndruar pranë djalit të vogël të sëmurë rëndë, Besimit. I biri ndërroi jetë më 21 nëntor dhe Merlika nuk u kthye më në Shqipëri.[51]

U vendos në Itali ku së bashku me Koliqin rithemeloi Bllokun Kombëtar Indipendent.[3] Pasi Kupi merr vesh se nuk e përballonte jetesën, e thërret në Egjipt ku më 25 shkurt 1948 u pajtua për së afri me Mbretin Zog.[11]

Pak para rrëzimit të dinastisë me prejardhje shqiptare të Egjiptit, kaloi në Francë dhe më pas në ShBA ku dhe ndërroi jetë pas një operacioni, në Niagara Falls më 27 dhjetor 1958.

Më 1909 do të fejohej prej dëshirës të së ëmës me Caje Gunin, me të cilën pati katër fëmijë Petritin, Fatosin, Bashkimin, Besimin.[7] Pas Triumfit të Legalitetit, familja u shpërngul së bashku me Mustafën në emigracion, prej ku u kthyen me pushtimin italian.

Përveç Besimit që ndërroi jetë në Vjenë[51] dhe Bashkimit që shkoi në Shtetet e Bashkuara, me marrjen e pushtetit dhe vendosjen e regjimit komunist meshkujt e fisit Merlika u burgosën dhe pas lirimit u internuan familjarisht deri në rënien e regjimit. Anëtarë tjerë të fisit, kushërinjtë Sulejman e Sejfulla Merlika që ishin në radhët e Legalitetit, u vranë në përpjekje me forcat partizane. Ndërsa Hamid Xheladin Merlika u vra nga Sigurimi gjatë arratisjes për në Greqi e Dalip Haxhi Merlika u ekzekutua.[52]

Që në rininë studentore shkroi artikuj për idetë kombëtare dhe mbrojtjen e idesë së shkrimit të shqipes me shkronja latine në të përkohshmet liberale të Stambollit. Pas lirimit nga internimi në Favinjana, iu kthye publicistikës ndër faqet e të përkohshmeve Corriere delle Puglie, Kuvendi i Sotir Gjikës, Mbrojtja Kombëtare e Dom Mark Vasës si dhe Ora e Maleve nga grupi me të njëjtin emër.[53] Gjatë mërgimit antizogist, shkroi te organi i Konare-s drejtuar nga Omer Nishani Lirija Kombëtare,[23] botoi po ashtu te Ora e Shqipnisë e Shantojës,[53] Shqipëria e Ré që botohej në Kostancë, Përpjekja shqiptare e Branko Merxhanit, Leka e jezuitëve dhe tek Hylli i Dritës i françeskanëve.[4]

Pas mërgimit të mbramë shkroi artikuj tek Shêjzat e Koliqit, Shpirti shqiptar i Namik Resulit, etj.

Gjuhësi, histori, didaktikë, shkrime dhe letërkëmbim

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Për 15 vjet punoi Fjaluer kritik i Gjuhës Shqipe dorëshkrimin e të cilit ia dorëzoi Institutit të Studimeve Shqiptare më 1943. Pas mërgimit të fundit, u përpoq ta rihartonte së paku në gërmat "A" dhe "B". Hartoi Abetari i të mërguemit në Aleksandri më 1952, për fëmijët e mërgimtarëve. Në mërgim punoi Fjalori i Frangut të Bardhë, një studim analitik i fjalorit të Frang Bardhit. La analizat e tij me radhojën e artikujve Qukrrimet në revistën e Resulit mbi gjuhën e autorëve të vjetër, Buzuku, Bardhi e Bogdani.

Përpiloi monografinë historike Aleksandr'i Madh, hartoi vëllimin e tij të fundit Antholgji Historike, e ndarë në pjesët "Histori dhe parahistori", "Histori e Shqipnisë dhe Shqiptarët", "Nga Roma në Mesjetë" dhe "Pamvarësia, 1912 e deri 1924". Përpiloi po ashtu Shkrime historike: (nga Egjypt'i vjetër deri tek shpallja e Pamvarsis së Shqipnis), ku përfshihet përkthimi i Pirros së Plutarkut.[54]

Shkroi Kujtimeve të vogjlisë e të rinisë, ku radhit kujtime për familjen e rininë e tij, jetën dhe ndodhitë e krahinës së vendlindjes në kapërcyellin e shekujve XIX-XX, kohën e shkollës dhe marrëdhëniet e familjes me Toptanasit. Sipas Koliqit, "... Mustafa, aty ku arrin përsosje letrare, asht stili epistolar. Ata qi patën fatin me pasë letra prej tij, duhet t'i ruejnë me kujdes sepse në to asht derdhë nji visar i paçmim i shqipes". Letërkëmbimi i tij me figura të ndryshme si P. Paulin Margjokaj, Eqrem bej Vlora, vetë Koliqi, Karl Gurakuqi, Namik Resuli, Martin Camaj, Baba Rexhepit, Tahir Kolgjinit, etj. u botuan pas vdekjes nga nipi i tij, Eugjen Merlika.

Gjatë qëndrimit të tij në Zarë përktheu Shqiptarët dhe fuqít e mëdhá të ish-kryeministrit serb Vladan Gjorgjeviq, që u botua më 1928.[55] Përktheu Pirron e Plutarkut, Vëzhgime Iliro-Shqiptare të akademikëve albanologë austro-hungarezë, Thalloczy, Shuflaj, Jireçek.

Që i ri në shtypin stambolliot u pozicionua për çështjen kombëtare dhe lirinë e të shkruajturit shqipen me alfabet latin.[3]

Pas dekretimit të kabinetit të tij, kërkoi heqjen e spatave liktoriane e nyjet savojane nga flamuri kombëtar, rikthimin e Statusit të 12 prillit 1939 që mëtonte thjesht bashkimin e dy kurorave dhe rivendosja e Ministrisë së Jashtme shqiptare, krijimi i Forcave të Armatosura dhe Milicisë shqiptare. Nga këto, vetëm heqja e simboleve nga flamuri u arrit.[56] Nga historiografia zyrtare shqiptare dhe nga historianë si Fischer e Bartl, por edhe nga bashkëkohës si Abas Ermenji, qeverinë e tij e çmojnë "kolaboracioniste".[57] Rendi që mori pushtetin në Shqipëri më pas nuk e pranoi as fizikisht e as produktin e tij intelektual duke e damkosur si tradhëtar të kombit.[58] Shqyrtime të reja e çmojnë këtë optikë të ngarkuar me subjektivizëm si dhe me fjalor politikisht të indoktrinuar.[57] Qëndrimi i tij i bindur antikomunist bëri që të pajtohej me përfaqësuesin e Mbretit Zog që po vepronte në Shqipëri, Abaz Kupin si dhe me faktorë të tjerë si Dine dhe Gjonmarkajt.[51][59]

Ndonëse u etiketua si kolaboracionist dhe tradhëtar e as produkti i tij intelektual nuk u pranua në periudhën e regjimit komunist, në studimet e tij mbi etimologjinë e fjalëve të shqipes, Eqrem Çabej i referohej në mënyrë të përsëritur autorit Shpend Bardhi.[60]

Shpëtimi i hebrenjve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Sipas librit memuaristik La politica dell'Italia in Albania të mëkëmbësit Jakomoni, pak kohë pas dekretimit të kabinetit, Merlika-Krujës i ishte paraqitur konsulli i përgjithshëm i Gjermanisë për t'i paraqitur notën verbale me të cilën qeveria naziste kërkonte dorëzimin e treqind hebrenjve të emigruar nga ish-Jugosllavia. Pasi mori pëlqimin e mëkëmbësit, Kruja dha urdhëresat për tërheqjen e hebrenjve të vendosur në Tokat e Lirueme në Shqipërinë e brendshme. Hebrenjtë u pajisën me pasaporta shqiptare me emra të rremë, kësodore administrata shqiptare e kabinetit Kruja iu gjend edhe hebrenjve të tjerë jorezidentë (gjermanë, bohemë, polakë, hungarezë dhe rumunë) të pajiseshin me dokumenta shqiptare. Duke u krijuar mundësia kësodore që t'u shmangeshin përndjekjeve racore dhe duke gjetur strehë në Shqipëri.[61]

Wiki Libri: Vëzhgime Iliro-Shqiptare përkthyer nga Mustafa Merlika-Kruja


  • Fischer, Bernd Jürgen (1999). Albania at War, 1939-1945 (në anglisht). C. Hurst & Co. Publishers. ISBN 978-1-85065-531-2.
  • Milo, Paskal (2014). Shqiptarët në luftën e dytë botërore. Toena.
  1. ^ Pandelejmoni 2011, p. 55.
  2. ^ "Mustafa Merlika Kruja". senato.it (në italisht). Arkivuar nga origjinali më 16 shkurt 2012. Marrë më 4 korrik 2010.
  3. ^ a b c d e f g h Özdalga, Elisabeth (2013). Late Ottoman Society: The Intellectual Legacy (në anglisht). Routledge. fq. 322–323. ISBN 9781134294732.
  4. ^ a b c Kurti, Donat (2015). "M. Merlika Kruja". Mustafa Merlika Kruja: Gjysmë shekulli me pendë në dorë. Tiranë: OMSCA-1. fq. 11–28. ISBN 9789928132567.
  5. ^ Papa Pandelejmoni, Enriketa (2011). "Një histori e rishkruar. Sfidimi i subjektivizmit historik mbi mendimin politik të Mustafa Merlika Krujës 1910-1944". Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 56–57. ISBN 9789995661793.
  6. ^ a b Pandelejmoni 2011, pp. 58-59.
  7. ^ a b Merlika-Kruja, Mustafa (24 nëntor 2013). "Nji Përvjetor". Shqiptarja.com [suplementi "Rilindasi"] v. III. 47: 16–19. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 17 shkurt 2019.
  8. ^ Ikonomi, Ilir (2012). Pavarësia: udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit. Tiranë: Uet press. fq. 109. ISBN 9789995639761.
  9. ^ Ikonomi 2012, p. 193.
  10. ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 99. ISBN 978-99956-10-04-3.
  11. ^ a b c d e Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 165–166. ISBN 9789994356225.
  12. ^ Nosi 2007, p. 307.
  13. ^ a b c Pandelejmoni 2011, pp. 60-62.
  14. ^ Nosi 2007, p. 289.
  15. ^ Nosi 2007, pp. 296-297.
  16. ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 14–17. ISBN 978-99943-56-43-0.
  17. ^ Pandelejmoni 2011, p. 68.
  18. ^ a b Istrefi, Diana (2005). "Ligjvënësit shqiptarë 1920-2005" (PDF). parlament.al. Tiranë. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 19 tetor 2020. Marrë më 14 shkurt 2019.
  19. ^ Kruja, Mustafa (2001). Anthologji historike: shkrime e përkthime. Elbasan: Sejko. fq. 296. ISBN 9992769262.
  20. ^ Pearson, Owen (2004). Albania and King Zog (në anglisht). Vëll. 1. I.B.Tauris. fq. 180–181, 188. ISBN 9781845110130.
  21. ^ Dervishi 2010, p. 75.
  22. ^ a b Pandelejmoni 2011, pp. 70-71.
  23. ^ a b Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 46–47. ISBN 9789928106384.
  24. ^ Këlcyra, Ali (2012). Shkrime në historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. fq. 137. ISBN 9789995687816.
  25. ^ Merlika-Kruja 2015, p. 106.
  26. ^ Pandelejmoni 2011, p. 73.
  27. ^ Këlcyra 2012, pp. 148-153.
  28. ^ Milo 2014, p. 95.
  29. ^ Milo 2014, p. 60.
  30. ^ Milo 2014, p. 95.
  31. ^ Pandelejmoni 2011, p. 75.
  32. ^ Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme (1939-1946). Durrës: Jozef. fq. 290, 292. ISBN 9928-241-84-8.
  33. ^ Lame, Artan (2011). "Simbolet e shtetit shqiptar në periudhën 1939-1943 dhe roli i Mustafa Krujës". Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 123. ISBN 9789995661793.
  34. ^ Fischer 1999, p. 116.
  35. ^ Pandelejmoni 2011, p. 84.
  36. ^ Milo 2014, p. 211.
  37. ^ Milo 2014, p. 211.
  38. ^ a b Akademia e Shkencave e Shqipërsië (2008). Historia e popullit shqiptar. Vëll. 4. Toena. fq. 53.
  39. ^ Milo 2014, p. 212.
  40. ^ Milo 2014, p. 80.
  41. ^ Milo 2014, p. 212.
  42. ^ Pandelejmoni 2011, p. 78.
  43. ^ Milo 2014, p. 213.
  44. ^ Milo 2014, p. 213.
  45. ^ Fischer 1999, p. 116.
  46. ^ Pandelejmoni 2011, p. 78.
  47. ^ a b Milo 2014, pp. 214-215.
  48. ^ Milo 2014, pp. 216.
  49. ^ Pandelejmoni 2011, pp. 76-79.
  50. ^ Dervishi 2010, p. 220.
  51. ^ a b c d Pandelejmoni 2011, pp. 79-80.
  52. ^ Çelo Hoxha, Azem Qazimi, red. (2016). Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist (L-M). Vëll. V. Tiranë: ISKK. fq. 298–305. ISBN 978-9928-168-01-6.
  53. ^ a b Ndreca, Ardian (2011). "Mustafa Merlika Kruja: figurë e ndritun e shkencës shqiptare". Rishkrimi i historisë dhe figura e Mustafa Krujës (1887-1958). Shkodër: Botime Françeskane. fq. 141–142. ISBN 9789995661793.
  54. ^ Meksi, Aleksandër (2011). "Parathënie". Shkrime Historike. Tiranë: OMSCA-1. fq. 9. ISBN 9789928132000.
  55. ^ Duraku, Izet (2015). "Ankthi serb i ngritjes së Shqipërisë". Shqiptarët e Fuqítë e Mëdhá. Tiranë: Klubi i Poezisë. fq. 15. ISBN 9789928426192.
  56. ^ Pandelejmoni 2011, p. 78.
  57. ^ a b Pandelejmoni 2011, p. 84.
  58. ^ Pandelejmoni 2011, p. 80.
  59. ^ Pandelejmoni 2011, p. 88.
  60. ^ Korça, Mërgim (2 dhjetor 2007). "Mustafa Kruja Merlika... dhe rishikimi i historisë kombëtare". Gazeta shqiptare, suplementi "Milosao". 4063: 14–15. Arkivuar nga origjinali më 8 janar 2020. Marrë më 18 shkurt 2019.
  61. ^ Sinani, Shaban (2009). Hebrenjtë në Shqipëri ─ Prania dhe shpëtimi. Tiranë: Naimi. fq. 127. ISBN 978-99956-800-2-2.