Jump to content

Gjeografia e Shqipërisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë

Shqipëria gjendet në Evropën juglindore, në pjesën perëndimore të gadishullit Ballkanik e shtrihet midis koordinatave gjeografike 39 gradë e 38' dhe 42 gradë e 39' te gjerësisë veriore dhe 19 gradë e 16' te gjerësisë lindore, në largësi pothuajse të barabartë nga Ekuatori dhe Poli i Veriut. Në veri-perëndim kufizohet nga Mali i Zi (172 km), në veri-lindje nga Kosova (115 km), në lindje nga Maqedonia (151 km) dhe në jug e jug-lindje nga Greqia (282 km). Laget nga detet Adriatik dhe Jon. Sipërfaqja e përgjithshme është 28,748 kilometra katrorë ndërsa kryeqyteti i saj është Tirana.

Shqipëria ka një pozitë të favorshme gjeografike, pasi gjendet në kryqëzimin e rrugëve më të shkurtra që kalojnë nga Mesdheu perëndimor për në Ballkan e Azinë e Vogël dhe kontrollon kalimin përmes kanalit detar të Otrantos. Luginat e saj më të gjëra janë ato të lumenjve Drin, Shkumbin dhe Vjosë, që lehtësojnë, njëkohësisht dhe lidhjen e brendshme të Ballkanit me detin Adriatik dhe të Azisë së Vogël me viset e Mesdheut.[1]

Kufijtë

Skeda:Harta e shqiperise-gjeografike.jpg
Pozicioni gjeografik i Shqipërisë në lidhje me shtetet fqinje

Kufijtë e Shqipërisë u përcaktuan nga Konferenca e Londrës, në 1913.

Republika e Shqipërisë kufizohet me këto shtete : Republikën e Malit të Zi , Republikën e Kosovës , Republikën e Maqedonisë dhe me Republikën e Greqisë. Ndërsa në perëndim ka kufij detarë dhe kufizohet me Republikën e Italisë. Kufijtë janë të gjithë artificialë përveç atij perëndimor. Gjatësia e vijës kufitare të Republikës së Shqipërisë është 1094 km, nga të cilat 657 km janë vijë kufitare tokësore, 316 km vijë bregdetare, 48 km vijë ndarëse përmes lumenjve dhe 73 km përmes liqeneve. 172 km vijë kufitare janë me Republikën e Malit të zi në veri-perëndim, 115 km vijë kufitare janë me Republikën e Kosovës në veri, 151 km janë me Republikën e Maqedonisë në veri-lindje dhe lindje, dhe 282 km me Republikën e Greqisë në jug dhe jug-perëndim.[2]

Njësitë administrative

Shqipëria ndahet në 12 njësi administrative të quajtura qarqe të cilat janë vende, që kanë lidhje gjeografike, tradicionale, ekonomike e sociale me njeri tjetrin. Këto qarqe ndahen në 36 nën-njësi të quajtura rrethe të cilat ndahen më tej në 65 bashki dhe 309 komuna. Vetë komunat ndahen në 3020 fshatra.[3]

Bashkia e Tiranës gëzon status të veçantë nga bashkitë e tjera dhe ndahet në 11 njësi bashkiake të vogla.[4]

Demografia

Republika e Shqipërisë ka 2,821,977 banorë nga te cilët 52,700 banore ose 1.9% e popullsisë janë minoritete etnike dhe kombëtare. Dendësia është 97 banorë/km2. Numri i lindjeve të popullsisë kap shifrën e 34,000 lindjeve në vit, ndërsa ai i vdekjeve është rreth 20,000 në vit, shifra këto që tregojnë për një shtesë pozitive natyrore. Raporti gjinor natyror (nr. i meshkujve për 100 femra) është 107.8 ndërsa mosha mesatare e popullsisë është 35.3 vjet. Gjithashtu vlen për t'u theksuar se popullsia që jeton në zonën urbane e tejkalon atë të zonës rurale me 6.8%, ku 53.5% e popullsisë jeton në zona urbane dhe 46.5% në zona rurale.[5]

Minoritetet etnike dhe kombëtare

Shqipëria njeh aktualisht dy lloje minoritetesh, minoritete etnike kombëtare dhe minoritete kulturore dhe gjuhësore. Minoriteti më i madh në Shqipëri është ai grek me 24,242 veta të përqendruar në zonat e Sarandës, Delvinës dhe Gjirokastrës. 8,301 është afërsisht numri i personave në komunitetin rom, por burime të ndryshme e vlerësojnë popullsinë rome me shifra shumë herë më të mëdha ndërmjet 120 mijë - 60 mijë vetëve. Minoriteti arumun konsiston afërsisht në 8,266 veta. Në këtë minoritet vihet re një normë rritjeje prej 247%, e përafërt kjo me normën e përgjithshme të rritjes së popullsisë në vend. Minoritete të tjera përfshijnë: minoritetin maqedonas me 5,512 veta, atë malazez me 366 veta dhe minoritetin egjiptian me 3,368 vetë.[6]

Minoriteti Grek Rom Arumun Maqedonas Egjiptian Malazez Të tjera
Persona 24,242 8,301 8,266 5,512 3,368 366 2,644

Shqiptarët nëpër botë

Numri i shqiptarëve të shpërndare nëpër të gjithë globin mendohet të jetë afërsisht 15 milion. Këtu vihet re një fenomen i veçante ku numri i personave në diasporë (rreth 12,6 milion) e kalon numrin e personave në shtetin amë, (rreth 2.4 milion) shifra këto që dëshmojnë për një migrim më shumë të imponuar se sa të dëshiruar të shqiptarëve. Që nga emigrantët e parë, në fillim të shekullit të kaluar e deri në ditët tona, në Amerikë llogaritet të jetojnë rreth 300 mijë shqiptarë ndërsa emigrantët që janë larguar nga trojet shqiptare drejt Kanadasë llogaritet të jenë rreth 25 mijë. Një numër i vogël gjenden edhe në shtetin e largët të Australisë, rreth 100 mijë shqiptarë. Në Evropë duket se ka një shpërndarje "të rregullt" të emigrantëve shqiptarë me diferenca të vogla. Kështu në Gjermani emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Mali i Zi llogaritet të jenë rreth 300 mijë. Austria është një tjetër vend me numër të konsiderueshëm shqiptarësh, qe kap shifrat e 300 mijë vetëve. 200 mijë të tjerë jetojnë në Zvicër dhe po kaq shqiptarë jetojnë në Mal të Zi. 100 mijë shqiptarë banojnë në Francë dhe 50 mijë të tjerë në Spanjë .Edhe ne shtetin tone fqinj, Italinë jetojnë dhe punojnë rreth 300 mijë shqiptarë. Duhen përmendur edhe 100 mijë të tjerë të emigruar në Belgjikë. Ndërkohë në Kosovë janë rreth 2 milionë e katër qind mijë shqiptarë autoktonë. Një numër i konsiderueshëm shqiptaresh gjendet edhe në Serbi, ku jetojnë 70 mijë prej tyre. Në Maqedoni llogaritet që shqiptarët të zënë vendin e dytë për nga numri i popullsisë pas asaj vendase. Sipas statistikave, numri i shqiptarëve në Maqedoni mund arrijë rreth 1 milion. Po kaq shqiptarë jetojnë dhe në Greqi. Fluksi i emigrantëve që ka zgjedhur shtetin fqinjë jo vetëm për të punuar, por edhe për t'u vendosur familjarisht atje, shkon në një milion të tillë. Ndërsa numri më i madh i shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve të tyre etnike duket se është ai në Turqi. Sipas studiuesve dhe historianëve të ndryshëm shqiptarë, në Turqi llogaritet të jenë rreth 5 milion shqiptarë.[7]

Shteti Turqi Shqipëri Kosove Maqedoni Greqi Itali Sh.B.A Gjermani Austri Zvicër Mal i Zi Australi Belgjike France Serbi Spanje Kanada
Shqiptarë 5 milion 2.8 milion 2.4 milion 1 milion 1 milion 300 mijë 300 mijë 300 mijë 300 mijë 200 mijë 200 mijë 100 mijë 100 mijë 100 mijë 70 mijë 50 mijë 25 mijë

Relievi

Relievi i Shqipërisë është kryesisht malor. Vargmalet e para alpine u formuan nga mbarimi i jurasikut, ndërsa gjatë erës kenozoike u shpejtua procesi malformues në tërësinë e Albanideve, që tani përbëjnë tokën e nëntokën e Shqipërisë. Lartësia mesatare e relievit është 708 metra, ose 2 herë më e lartë se mesatarja e Evropës. Lartësitë më të mëdha gjenden në Alpet shqiptare dhe në malet e Lindjes (Korabi 2751 metra mbi nivelin e detit, përbën edhe majën më të lartë të Shqipërisë).

Harta topografike

Territori i Shqipërisë ndahet në 4 regjione të mëdha natyrore (fiziko-gjeografike):

  1. Rajoni Verior dhe Verilindor
  2. Rajoni i malore qendrore
  3. Rajoni i maleve jugore
  4. Ultësira perëndimore

Nga Krahina Malore Veriore vlen të veçohen Alpet Shqiptare që shquhen për kontrast të madh midis maleve të larta dhe luginave të thella. Rreth 30 maja malesh ndodhen mbi 2 500 m mbi nivelin e detit. Ndër luginat dallohen sidomos lugina e Valbonës dhe ajo e Thethit. Krahina Malore Qendrore nuk është aq kompakte sa ajo veriore, por e ndarë në disa masive malore, si: Vargu i Korabit, Malet e Lurës, Malet e Skënderbeut etj. Këto male ndërpriten nga lugina të ndryshme. Krahina Malore Jugore arrin deri në detin Jon në jug dhe është e copëtuar në disa vargje malore dhe lugina lumore. Vend të veçantë në të zë riviera shqiptare, e cila shtrihet nga Gjiri i Vlorës deri në Butrint në jug. Përgjatë bregdetit Adriatik, në perëndim të vendit shtrihet Ultësira Perëndimore e Shqipërisë me gjatësi nga veriu në jug rreth 200 km dhe me gjerësi nga perëndimi në lindje, deri ne 50 km. Kjo ultësirë përbën ultësirën më të madhe në pjesën perëndimore të Ballkanit dhe është rajoni më i zhvilluar ekonomik i Shqipërisë.

Relievi i tokave shqiptare shtrihet nga niveli i detit deri në lartësinë 2751m (mali i Korabit). I gjithë ky ndryshim i lartësisë ndikon në ndryshimet e mëdha klimaterike, në bimësi, si dhe në dendësinë e vendosjes së qendrave të banuara në drejtim vertikal. Në relievin e tyre mbizotërojnë kodrat dhe malet. Duke u nisur nga lartësia mbi nivelin e detit, dallohen: relievi i ulët, i mesëm dhe i lartë. Relievi i ulët shtrihet nga niveli i detit, deri në 200 m mbi këtë nivel. Ai përfshin fushat dhe kodrat e ulëta pranë brigjeve detare të Adriatikut e Jonit dhe përgjatë sektorëve të mesëm të luginave lumore. Relievi i mesëm shtrihet nga 200 deri ne 1000m mbi nivelin e detit. Ai ka shtrirjen më të madhe dhe përfshin: kodrat, gropat, fushëgropat dhe luginat kryesore. Relievi i lartë shtrihet 1000 m mbi nivelin e detit dhe përfshin malet dhe sistemet malore. Pjesa më e madhe e këtyre maleve ka lartësi deri në 2000 m. Malet me lartësi më të madhe se 2000 m kanë shtrirje të kufizuar.sek. "Natyra"[8]

Malet

Malet kanë tipare morfologjike të ndryshme. Kreshtat e tyre janë herë të ashpra e herë të buta. Forma e tyre varet nga përbërja shkëmbore dhe veprimi i faktorëve të jashtëm. Kreshta te ashpra ndeshen kryesisht tek shkëmbinjtë gëlqerorë, por edhe në ato magmatikë të modeluar nga erozioni lumor i akujve të kuaternarit.[9]

Korabi

Korabi është një nga malet më të larta të Evropës juglindore, i cili shtrihet përgjatë kufirit të Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë. Masivi i tij shkëmbor është një masiv shumë i thyer malor dhe përbëhet kryesisht nga rreshpe dhe gëlqerorë të Paleozoikut me strukturat në blloqe, si dhe disa shkëmbinj të dëmtuar rëndë prej gipsi të Triasikut Permian. Korabi është gjithashtu mikpritës i shume shoqatave te ndryshme alpiniste, synimi i te cilave është pushtimi i majës më të lartë të vendit, 2751 m mbi nivelin e detit.[10]

Alpet Shqiptare

Alpet shqiptare

Alpet Shqiptare shtrihen në veri të lumit Drin dhe në perëndim të rrjedhjes së poshtme të lumit Valbona. Alpet përbehen kryesisht nga gëlqerorët, por gjenden edhe depozitime terrigjene dhe magmatike. Me këtë ndërtim gjeologjik lidhen pasuritë minerare si: minerali i bakrit, boksitet dhe kuarcitet. Ato përbëjnë grumbullin malor më të fuqishëm, më të lartë, më të ashpër dhe më të copëtuar të vendit me një lartësi mesatare 1500 m mbi nivelin e detit.[11]

Tomori

Skeda:Tyrbja e Kulmakut.jpg
Tyrbja e Kulmakut në majën më të lartë të Tomorit

Mali i Tomorit është një mal i larte në Shqipërinë jugore në afërsi të qyteteve të Beratit dhe Poliçanit. Maja më e lartë e tij, quka e Partizanit, arrin një lartësi prej 2401 metra. Mali përmendet për tyrben e Kulmakut[12], një vend pelegrinazhi për besimtarët bektashian, që gjendet në majën më të lartë të tij, si dhe për disa kampe të ndryshme skijimi. Tomori gjithashtu ka një histori te pasur mitologjike duke qenë vend strehimi i shumë figurave të ndryshme të mitologjisë shqiptare nga ku ka marrë dhe emrin "Olimpi i Shqipërisë". Parku Kombëtar i Malit të Tomorit mbulon një sipërfaqe prej 4,000 hektarësh. Në park bredhin lirshëm shumë kafshë endemike, duke i dhënë vizitorëve një eksperiencë të paharrueshme dhe unike.[13]

Fushat

Fushat zëne kryesisht pjesën perëndimore, përgjatë bregdetit Adriatik dhe lumenjve kryesore të vendit si Vjosa, Devolli, Osumi, Shkumbini, Erzeni, Mati e Drini, ku gjenden, gjithashtu, edhe tokat bujqësore e qendra të mëdha banimi, si dhe përshkohen nga rrugë të rëndësishme komunikimi. Fushat më të larta gjenden në pellgun e Korçës, mbi 800 m mbi nivelin e detit ndërsa fusha më e madhe është fusha e Myzeqesë e shtrirë në anën perëndimore, që është dhe fusha më e madhe e Ballkanit perëndimor.[14]

Ishujt

Shqipëria si vend bregdetar ka një numër të vogël ishujsh, shumica e tyre janë të vegjël dhe nuk kalojnë 1 km2 sipërfaqe, përveç ishullit të Sazanit dhe atij të Kunës. Ishujt e Shqipërisë ndodhen në Detin Adriatik, Detin Jon, si dhe në disa liqene brenda vendit. Disa nga ta janë të përshtatshëm për turizëm sepse kanë një bukuri që është e virgjër dhe e paprekur nga dora e njeriut, por asnjë nga ishujt nuk është i banuar.[15]

Ishulli i Sazanit

Ishulli i Sazanit

Sazani është ishulli më i madh i Shqipërisë. Maja e tij më e lartë është 342 m. Ishulli i Sazanit ka një sipërfaqe prej 5,7 km2 dhe vijë bregdetare me gjatësi rreth 15 km. Ishulli nga pikëpamja e ekosistemit është një park i vërtetë, shumë i pasur dhe i mbrojtur, si rezultat i të qenit vazhdimisht zonë ushtarake. Kjo ka mundësuar shmangien e gjuetisë së paligjshme, si dhe të abuzimeve e dëmtimeve të tjera. Shpellat nënujore, si ajo e Haxhi Alisë, Gjirit të Djallit e të tjera janë nga më të mëdhatë që mund të gjenden në Mesdhe. Ato sot përbëjnë një sfidë të vërtetë për zhytësit dhe një atraksion të veçantë për sportet nënujore.[16]

Ishulli i Kunës

Ishulli i dyte më i madh i Shqipërisë. Gjendet në deltën e Drinit, afër qytetit të Lezhës dhe ka një sipërfaqe prej 1.4 km2. Ishulli është 1.5 km larg bregut dhe strehon në gjirin e tij rreth 70 lloje zogjsh, 22 lloje zvarranikësh, 6 lloje amfibësh dhe 23 lloje gjitarësh. Në afërsi te tij gjenden plazhet e Tales dhe Kunës.[17]

Gadishujt

Gadishulli i Karaburunit (Turq. Gjuha e Zeze) është i vetmi gadishull në Shqipëri. Ai ka një sip. prej 62 km2 dhe ndodhet në qytetin e Vlorës. Gadishulli njihej që në lashtësi për pasuritë natyrore (mermerin), pasuritë pyjore (valanidhin), pasuritë historiko-arkeologjike si dhe rezervatin e pasur me derrat e egër. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë njëkohësisht dhe vend-strehimi i shpellës së Haxhi Aliut, shpellës më të madhe bregdetare të vendit. Natyra e tij paraqitet e pasur në pyje por e varfër në bimësi dhe ujëra sipërfaqësore, shkaqe këto që e kanë bërë zonën të pabanueshme. Pamja e tij e virgjër kontribuon në aspektin turistik të vendit i cili është i mbushur me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël. Agjenci të ndryshme turistike aplikojnë jo vetëm udhëtime përgjatë këtij masivi, por edhe pushime njëditore, në plazhet që ndodhen aty. Udhëtime të tilla organizohen kryesisht gjatë stinës së verës, ndërsa synohet që ato të shtrihen gjatë gjithë vitit.[18]

Shpellat

Në Shqipëri gjenden më shumë se 50 shpella, të cilat dallohen për vlerat e tyre historike mijëravjeçare, si dhe për bukuritë e shumta natyrore që ato ofrojnë për vizituesit. Shumica prej tyre janë subjekte të legjendave të ndryshme, të cilat i përshkruajnë ato si vende të banuara nga krijesa mitologjike, ose si vend-strehime të thesareve dhe pasurive të shumta të fshehura.[19]

Shpella e Pirogoshit

Shpella e Pirogoshit gjendet në Berat pranë fshatit Radesh, në një lartësi prej 450 metrash. Është shpella më e madhe në vend me fundin ende të pa zbuluar. Gjatësia e eksploruar deri më tani nga grupi speleologjik i Skraparit me tre speleologë francezë është 1853 m. Krahas formave të shumta karstike, shpella është e populluar nga kolonitë e lakuriqëve të natës. Sipas legjendave e besimeve vendase, në shpellë gjenden pasuri e thesare të shumta të fshehura.[13][20]

Shpella e Pëllumbasit

Skeda:Shpella e Zeze (Pellumbasit).jpg
Pamje nga pjesa e brendshme e shpellës së Pëllumbasit

Shpella e Pëllumbasit, e njohur edhe si Shpella e Zezë, gjendet ne fshatin Pëllumbas. Kjo shpellë është ndër gjashtë shpellat karstike më të vjetra në Evropë. Shpella ndodhet 350 metra mbi nivelin e detit dhe formon një tunel diku 70-80 metra të gjatë. Në këtë vend llogaritet të kenë jetuar njerëz që në periudhën e hershme të neolitit diku 10.000 vjet më parë. Me studimet arkeologjike është vërtetuar se në këtë kohë është përdorur teknika e krijimit të zjarrit si dhe të veglave të para primitive dhe të atyre pak më të zhvilluara.[21]

Shpella e Piratëve

Shpella e Piratëve gjendet në veri të Himarës, në fshatin e Dhërmiut. Është një shpellë karstike me hyrje detare. Emrin e ka marë sepse në të, kohë më parë strehoheshin piratët e detit me anijet e tyre. Frymëzuar nga kjo shpellë është shkruar dhe romani Shpella e Piratëve nga shkrimtari Petro Marko, si dhe filmi me të njëjtin emër.[22][23]

Shpella e Haxhi Aliut

Skeda:Shpella e Haxhi Aliut..JPG
Shpella e Haxhi Aliut

Shpella e Haxhi Aliut e njohur dhe si Shpella Ilirike, është shpella më e madhe e gjithë bregdetit shqiptar. Ka formën e një kubeje me gjatësi 30 m, lartësi maksimale 18 m, gjerësi 12 m dhe thellësi 10 m. Nga fundi i shpellës burojnë ujëra të ëmbla. Shpella e ka marrë emri nga një luftëtar dhe detar i shquar ulqinak, i quajtur Haxhi Aliu, i cili u strehua bashkë me të birin në këtë shpellë. Prej aty ata sulmonin piratët e detit dhe duke bashkëpunuar me barinjtë, mbronin tregtarët dhe udhëtaret që kalonin nga këto anë. Populli shqiptar i ka dedikuar edhe një këngë këtij detari të famshëm. Edhe sot anijet që kalojnë pranë shpellës i bien sirenës në nder të tij. Këtu janë gjetur edhe shume objekte arkeologjike që vërtetojnë se kjo shpellë është përdorur nga tregtarë e kalimtarë që në lashtësi.[24]

Hidrografia

Pozita gjeografike në brigjet e detit Adriatik dhe të detit Jon, kushtet klimaterike, relievi i thyer, kryesisht kodrinoro-malor, përhapja e madhe e shkëmbinjve të përshkueshëm nga uji dhe veprimtaria e njeriut kanë kushtëzuar pasuritë e mëdha ujore dhe shumëllojshmërinë e tyre: dete, liqene, lumenj, përrenj dhe burime ujore.[25]

Detet

Deti Adriatik dhe deti Jon kanë rëndësi të madhe gjeografike dhe ekonomike. Ato ndikojnë në zbutjen e klimës, në ujërat e tyre gjuhët një sasi e madhe peshku dhe në laguna nxirret kripë. Këto dete shërbejnë edhe si rruge lidhëse të Shqipërisë me shtetet e tjera fqinje.[26]

Deti Adriatik

Ky det shtrihet midis gadishullit Apenin në perëndim dhe gadishullit të Ballkanit në lindje, kurse kanali i Otrantos (72 km) e ndan atë me detin Jon. Deti Adriatik është i gjatë 820 km (drejtimi veri-jug) dhe i gjerë 203 km (lindje-perëndim). Thellësia më e madhe e tij arrin në 1233 m. Në brigjet shqiptare ky det është i cekët. Brigjet shqiptare të detit Adriatik kanë gjatësi 325 km. Pjesa më e madhe e tyre janë brigje të ulëta fushore me plazhe të mëdha (disa dhjetëra kilometra të gjata dhe deri në disa qindra metra të gjera), me përbërje rëre shumë të imët. Ndër to dallohet, plazhi i Velipojës, Durrësit, Divjakës, Vlorës etj. Në këto plazhe pushojnë me mijëra turistë vendas dhe të huaj. Në këtë bregdet gjenden edhe disa gjire, si: gjiri i Tivarit, i Drinit, i Durrësit, i Vlorës, shumë të përshtatshëm për porte detare. Në to ndodhen edhe portet më të rëndësishme të të gjitha vendit (Durrësi, Vlora, dhe Shëngjini).[27]

Deti Jon

Pamje nga Himara e detit Jon

Ky det shtrihet midis pjesës jugore të gadishullit të Ballkanit dhe gadishullit Apenin. Ai është deti më i thellë i Mesdheut, (me një thellësi që arrin në 5267 m tek humnera Kalipso), është det i hapur dhe mjaft i ngrohtë. Brigjet shqiptare të këtij deti shtrihen nga nga Kepi i Gjuhëzës deri në Kepin e Stillos me një gjatësi prej 151 km, me tipare të ndryshme. Përgjatë tij ngrihen male, prandaj ky bregdet është kryesisht i lartë e shkëmbor. Në këtë bregdet plazhet janë te rralla dhe zallore. Ka edhe sektorë te tjerë te tij në të cilët malet u lëne vend fushave te vogla. Në grykëderdhjen e lumit të Kalamasit ) dhe të lumit të Pavlës brigjet janë të ulëta e fushore, me plazhe ranore dhe sektorë të moçalizuar. Pamja tërheqëse, burimet e pastra, shkëlqimi i diellit, ujërat e kaltra dhe të tejdukshme të detit u japin këtyre plazheve vlera të mëdha turistike.[28]

Liqenet

Artikull kryesor : Lista e liqeneve në Shqipëri

Liqenet janë të shumta dhe të shumëllojshme. Formimi i tyre është bërë nga fundosjet tektonike, nga tretja e ngadalshme në ujë e shkëmbinjve gëlqerore dhe gipseve, nga veprimi e akujve, nga njeriu, për përfitimin e energjisë elektrike, për ujitje dhe për furnizimin e qendrave të banuara me ujë.[29]

Liqeni i Shkodrës

Është liqeni më i madh i gadishullit të Ballkanit, me një sipërfaqe prej 368 km, nga të cilat 149 km përfshihen brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë. Në këtë liqen derdhet lumi i Moraçes dhe prej tij del ai i Bunës. Është liqen i cekët (me thellësi mesatare 7 m dhe maksimale 44 m) i përmendur për gjuetinë e peshkut dhe për vlerat turistike.[30]

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit

Është liqeni më i thelle në të gjithë gadishullin e Ballkanit (mesatarja 145 m, maksimalja 295 m). Ai zë vendin e dytë në këtë gadishull për nga sipërfaqja (363 km, nga të cilat 111 km përfshihen në Republikën e Shqipërisë). Në këtë liqen derdhen disa përrenj dhe ujërat e shumë burimeve te mëdha, që dalin pranë brigjeve lindore dhe në taban të tij. Prej liqenit del lumi i Drinit të Zi. Liqeni i Ohrit ka rëndësi të madhe turistike dhe botë të pasur shtazore, duke mos munguar këtu dhe disa lloje endemike.[31]

Lumenjtë

Shqipëria përshkohet nga një rrjet i dendur lumenjsh, të cilët në rrjedhjet e sipërme kanë karakter malor me rrjedhje të shpejtë dhe forcë të madhe erozive, kurse në rrjedhjet e poshtme kanë karakter fushor. Lumenjtë rrjedhin në drejtime të ndryshme dhe përfundojnë në 2 dete: në Adriatik dhe në Jon.[32]

Drini

  • Artikull kryesor : Drini

Drini (285 km) është lumi më i madh shqiptar dhe në gjithë pjesën perëndimore të Ballkanit. Ai formohet nga bashkimi i Drinit të Zi me Drinin e Bardhë. Drini i Zi del nga liqeni i Ohrit në qytetin e Strugës dhe derdhet në liqenin artificial të Fierzës. Drini i Bardhë buron nga malet e Zhlebit (Kosovë), përshkon lugun e Dukagjinit dhe derdhet në liqenin e Fierzës. Lumi i Drinit, në vazhdim, është kthyer në një zinxhir liqenesh artificiale (i Fierzës, i Komanit dhe i Vaut të Dejës), që furnizojnë me ujë tri hidrocentrale të mëdha. Ai derdhet në lumin e Bunës. Prurja mesatare vjetore e Drinit arrin 352 m3/sek, kurse maksimalja e regjistruar është mbi 5100 m3/sek.[32]

Buna

  • Artikull kryesor : Buna
Lumi Buna

Buna (44 km) është i vetmi lumë fushor. Buron nga liqeni i Shkodrës. Pasi bashkohet me Drinin, rrjedh në një shtrat tepër të ceket dhe me dredhime të shumta. Përfundon në detin Adriatik me një deltë shumë të madhe. Prurja mesatare vjetore e Bunës arrin 670 m3/s, duke zëne një nga vendet e para në Mesdheun Verior. Ky lumë është pjesërisht i lundrueshëm.[32][33]

Mati

Mati (115 km) buron nga mali i Kaptinës dhe përshkon një lugine me zgjerime dhe gryka të ngushta, ku janë ndërtuar digat e dy hidrocentraleve (i Ulzës dhe i Shkopetit). Prurja mesatare vjetore arrin 103 m3/s.[32]

Shkumbini

Lumi Shkumbin, (ose Lumi Shkëmbi), buron në malin e Valamarës dhe duke rrjedhur nëpër një luginë të ngushtë me reliev të thyer, derdhet në Detin Adriatik. Gjatësia e këtij lumi është 181 km ndërsa prurja e ujit arrin vlerën mesatare vjetore prej 61 m3/sek. Shkumbini e ndanë pothuajse në dy pjesë të barabarta Shqipërinë.[32] Në rrjedhën e sipërme, Shkumbini është një lumë i rrëmbyeshëm dhe erozioni është i fuqishëm nga fshatrat e Mokrës së sipërme si Dunicë, Kalivac, Llenge. Këto janë dhe fshatrat fillestare ku fillon Shkumbini dhe deri në ultësirën e Elbasanit ai shfaq dukuri erozioni, ndërsa më pas dukuri akumulimi.

Semani

Semani është lumi i dytë për nga gjatësia në Shqipëri, pas Drinit. Lumi fillon në rrethin e Beratit dhe formohet nga bashkimi i dy lumenjve Osum dhe Devoll në afërsi të fshatit Kozarë. Është i gjatë rreth 281 km, me pellg ujëmbledhës 5,649 km2 dhe lartësi mesatare mbi nivelin e detit 863 m. Pasi përshkon fushën e Myzeqesë, shkarkon ujërat e tij në detin Adriatik, në jug të lagunës së Karavastasë.[32]

Vjosa

  • Artikull kryesor : Vjosa

Lumi Vjosa rrjedh nga malet e Pindit në lindje të Janinës, kurse burimi gjendet në malin Mavrovouni. Rrjedha e tij vazhdon në drejtim të veriperëndimit për në Shqipëri. Lumi ka një gjatësi prej rreth 272 km, prej të cilave 80 km në territorin e Greqisë, kurse rreth 192 km brenda territorit të Shqipërisë. Pellgu i Vjosës përfshin një sipërfaqe prej 6,706 km2, 2,154 km2 prej të cilave gjenden brenda kufijve të Greqisë, dhe 4,552 km2 brenda kufijve të Shqipërisë. Prurja mesatare e ujrave në grykëderdhje është rreth 204 m3/sek.[32][34]

Lagunat

Lagunat në Shqipëri kanë një sipërfaqe të përgjithshme mbi 130 m2 paralel me detin. Ndër lagunat më kryesore mund të përmendim atë të Patokut, Karavastasë dhe Nartës.[35]

Laguna e Patokut

Gjatë bregut shqiptar të Adriatikut, kompleksi ligatinor i Patokut përfaqëson një nga bukuritë natyrore më interesante të këtij bregu. I ndodhur ndërmjet Lumit Mat në Veri dhe Lumit Ishëm në Jug, ky kompleks përfshin një shumëllojshmëri të lartë habitatesh: laguna e brendshme dhe e jashtme (480 ha), pylli (200 ha), tokat bujqësore (450 ha) dhe blegtorale (150 ha). Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga një zonë e mëparshme prej 4200 ha që ka kaluar një proces interesant zhvillimi, për shkak të faktorëve natyrorë dhe aktiviteteve njerëzore.[36]

Laguna e Karavastasë

Laguna e Karavastasë është në afërsi të Lushnjes. Në të rriten disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë pelikani (pelikani kaçurrel). Supozohet se 5% e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Karavastaja bën pjesë në parkun kombëtar të Divjakës. Është më e madhja e vendit tonë dhe në gjithë bregdetin jugor të Adriatikut me një sip. prej 4330 ha, gjatësie 10.6 km, gjerësie 4.3 km dhe thellësie deri në 1.5 m. Ndahet nga deti nëpërmjet një brezi të gjerë rëre, të mbuluar nga pylli i dendur, buzë të cilit ndodhet një plazh mjaft i madh. Lidhet me detin me tri kanale, njëri prej të cilëve artificial i hapur për arsye peshkimi. Nëpër këto kanale, si pasojë e baticës dhe zbaticës, rrjedhja e ujit ndryshon drejtim çdo 6 orë.[37]

Laguna e Nartës

Skeda:Laguna di Narte-Zvernec-4-.jpg
Laguna e Nartës dhe Ishulli i Zvernecit

Laguna e Nartës ka një sipërfaqe ujore rreth 42 km2, prej të cilës 14 km2 përdoren për prodhimin e kripës në minierën e kripës së Skrofotinës. Thellësia e lagunës shkon nga 0.80 m në 1.50 m. Ky kompleks përfshin tipe të ndryshme mjedisesh natyrore si dunat ranore të zhvilluara në afërsi të grykëderdhjes së Lumit Vjosa, pylli mesdhetar i pishave (Pishë–Poro, Vlorë), shtretër të vjetër lumenjsh, ligatina të vogla bregdetare, kripore, tokë kripore e pakultivuar dhe toke bujqësore në lindje të zonës.

Në ketë zone dhe rreth saj gjenden zona të ndryshme historike të tilla si Ishulli i Zvernecit në Lagunën e Nartës me Manastirin e Shën Mërisë shek. 13-14 Pas Krishtit, zona arkeologjike e fshatit të Nartës me ngulimet e hershme të Aulonës (e pa gërmuar ende) dhe qyteti i Vlorës.[34]

Pasuritë natyrore

Për një sipërfaqe të vogël sa të Shqipërisë mund të thuhet se është e begatshme me pasuri natyrore. Pjesa jug-perëndimore e vendit është e pasur me naftë dhe gaz natyror ndërsa në veri-lindje gjenden rezerva të konsiderueshme të mineraleve ndër të cilat vlen të përmenden: kromi, bakri dhe hekur-nikeli. Pjesa më e madhe e rezervave të qymyrit është gjetur në rrethinën e Tiranës ndërsa Selenica përmban rezerva të mëdha të bitumit.[38]

Klima

Me pozicionin e saj te favorshem përballe deteve Adriatik dhe Jon, si dhe malësitë e mbështetura mbi pjesën e ngritur të Ballkanit, Shqipëria ka një numër të madh zonash klimaterike, krahasuar kjo me sipërfaqen e saj modeste. Ultësirat bregdetare kanë klimë tipike mesdhetare, me dimër të bute dhe verë të lagësht. Temperaturat mesatare variojne nga 7 °C në dimër e deri në 24 °C në verë. Pjesa malore karakterizohet nga një klimë mesdhetare-kontinentale, e shkaktuar kjo nga masat ajrore që mbizotërojnë Evropën lindore dhe Ballkanin. Veçori kryesore të kësaj zone janë erërat e fuqishme me drejtimin verior dhe veri-lindor si dhe temperaturat mesatare disi më të ulëta. Sasia e reshjeve është mesatarisht e larte si rezultat i kombinimit të dy rrymave ajrore, ato mesdhetare dhe kontinentale. Niveli i reshjeve varion nga 600 mm në vit në fushëgropën e Korçës, në 3100 mm në vit në Bogë, të Alpeve Shqiptare Këtu, gjithashtu, vlen për t'u theksuar se rreth 95% e shirave të të gjithë vendit bien në sezonin dimëror.[39]

Jan Shk Mar Pri Maj Qer Korr Gush Sht Tet Nën Dhj
Temperatura mesatare minimale (°C) 2,0 2,0 5,0 8,0 12,0 16,0 17,0 17,0 14,0 10,0 8,0 5,0
Temperatura mesatare maksimale (°C) 12,0 12,0 15,0 18,0 23,0 28,0 31,0 31,0 27,0 23,0 17,0 14,0
Lagështia në % 71 69 68 69 70 62 57 57 64 67 75 73
Ditë me shi 13 13 14 13 12 7 5 4 6 9 16 17

Flora dhe Fauna

Për shkak të trevave të saj të pandotura dhe të thella Shqipëria ka një larmi bimësh dhe shërben si strehë e fundit e shumë gjitarëve dhe zogjve të rrallë, që sot janë zhdukur ose janë në zhdukje e sipër në rajon dhe më gjerë.[40]

Fauna

Ariu i murrmë

Pasuria dhe bukuria e krahinave fshatare dhe pyjeve shpesh u kane dhëne mundësi vizitorëve të gjejnë krijesa dhe kafshë që rrallë të qëllon t’i hasësh. Kështu pyjet e gjera të ahut, pishës dhe dushkut u japin strehë ujkut, dhelprës, çakallit, kurse në pyjet e larta të pishës gjejnë strofka ariu i murrmë, kunadhja e pishës, dy lloje të maces së egër, rrëqebulli e vjedulla. Kaprolli, dhia e egër dhe derri i egër janë të zakonshëm në disa krahina. Shqipëria ka jo më pak se 14 lloje lakuriqë nate dhe rreth 350 zogj vendas. Në to përmenden lloje shtegtarësh dhe jo shtegtarësh. Në pyjet e dendura të pishës jetojnë dy lloje të rralla të gjelit të egër dhe qukapikut. Në shumë lokalitete janë të zakonshëm zogjtë grabitqarë, ndër ta shqiponjat, fajkonjtë, hutat, skifterët dhe disa lloje të bufit, duke përfshire edhe bufin me mjekër, bufin me bri dhe kukuvajkën e vogël. Në Shqipëri gjenden edhe shumë zvarranikë siç janë: gjarpërinjtë e ujit, bolla e shtëpisë, beronja, nepërka helmuese etj. Në ujëra gjenden 260 lloje peshqish, ndër to më të zakonshmit e peshqve mesdhetarë gjenden në ujërat bregdetare ndërsa trofta në rrjedhat malore. Në liqene ka krap, ngjala dhe peshq të tjerë të zakonshëm kurse në brigje të tjera lundërza.[40]

Flora

Bima e dafinës

Shqipëria ka gjithashtu një florë të pasur, që konkretizohet me më shumë se 3,221 tipe të ndryshme bimësh. Ndër to, 489 janë të veçanta për Gadishullin e Ballkanit dhe 40 janë vetëm të Shqipërisë. Pyjet e dushkut janë tipike dhe përbëjnë afërsisht 20% të sipërfaqes pyjore të gjithë vendit. Në treva të tjera mbizotërojnë shkurret mesdhetare, deri në lartësinë 800 m duke pasur si më karakteristike: mërsinën, marenë, shqopën, dhe dushkullin e egër. Në brigjet jugore të nxehta gjenden fiqtë e detit, dafina, fiqtë, shkoza e zeze, eukaliptet etj.[40]...

Pikat ekstreme

Gjerësia dhe gjatësia
Lartësia

Shikoni edhe

Referenca

  1. ^ sek."VECORI TE PERGJITHSHME GJEOGRAFIKE" http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/republika-e-shqiperise.html
  2. ^ http://www.asp.gov.al/index.php?option=com_content&view=article&id=527%3Ahistoriku-kam&catid=155%3Aprofili-i-dep-kufirit&Itemid=290&lang=sq
  3. ^ http://www.akt.gov.al/al/text.php?id=11&lang=1
  4. ^ http://www.tirana.gov.al/sq/Njesite-Bashkiake
  5. ^ sek."Popullsia" *http://www.instat.gov.al/media/178070/rezultatet_kryesore_t__censusit_t__popullsis__dhe_banesave_2011_n__shqip_ri.pdf
  6. ^ sek."Pyetjet mbi karakteristikat etnike dhe kulturore" http://www.instat.gov.al/media/178070/rezultatet_kryesore_t__censusit_t__popullsis__dhe_banesave_2011_n__shqip_ri.pdf
  7. ^ http://www.qendra.info/life-style/kuriozitete/54846-sa-shqiptar%C3%AB-jetojn%C3%AB-n%C3%ABp%C3%ABr-bot%C3%AB.html
  8. ^ http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/republika-e-shqiperise.html
  9. ^ Gjegrafia 12, kap. 2.3, faqe 25
  10. ^ http://www.peshkopia.org/?page_id=56
  11. ^ http://bashkiabajramcurri.al/bjeshket.html
  12. ^ http://www.panorama.com.al/2012/08/21/nis-pelegrinazhi-ne-malin-e-tomorit/
  13. ^ a b http://www.mtkrs.gov.al/web/Burimet_e_Turizmit_Natyror_te_Rrethit_te_Beratit_308_1.php
  14. ^ sek. "Natyra"http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/republika-e-shqiperise.html
  15. ^ sek."Ishujt"http://www.akt.gov.al/tinymce/jscripts/tiny_mce/plugins/filemanager/files/broshura_ture_harte/broshura1/natyra_shqip.pdf
  16. ^ http://www.zeriyt.com/sazani-ishulli-me-i-madh-ne-shqiperi-t91346.0.html
  17. ^ http://www.akt.gov.al/natyra/text.php?id=7
  18. ^ http://www.bashkiavlore.org/index.php?option=com_content&task=view&id=62&Itemid=74
  19. ^ http://guribardhe.albanianforum.net/t632p15-lista-e-monumenteve-natyrore-ne-shqiperi
  20. ^ http://www.castle-park.com/castle-park.com/index.php?option=com_content&view=article&id=5&Itemid=10&lang=sq
  21. ^ http://www.youtube.com/watch?v=QO1lQS1yVDY
  22. ^ http://www.himara.gov.al/Details.aspx?cat=1&d=48
  23. ^ http://www.tourism.ecaty.com/en/see-do/mos-mungo/shpella-e-pirateve.html
  24. ^ sek. "SHPELLA E HAXHI ALISE"http://orikum.gov.al/index.php/al/turizmi/vende-per-tu-vizituar
  25. ^ sek."Rrjeti hidrografik"http://www.akti.gov.al/kerkimishkencor/pkkzh/doc_03_05/PKKZH_PasuriteNatyrore_2003_2005.pdf
  26. ^ http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/hidrografia.html
  27. ^ sek."Deti Adriatik"https://sites.google.com/site/grupix12/services
  28. ^ sek."Deti Jon" https://sites.google.com/site/grupix12/services
  29. ^ sek."Liqenet"http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/hidrografia.html
  30. ^ http://www.ulqini.de/Liqeni_i_Shkodres.htm
  31. ^ http://www.struga.eu/struga/liqeni%20i%20ohrit.htm
  32. ^ a b c d e f g http://gjeografiaerepublikesseshqiperise.blogspot.com/2009/03/lumenjte-kryesore-trevat-shqiptare.html
  33. ^ http://www.shkodraonline.com/comment.php?comment.news.248
  34. ^ a b http://www.bashkiavlore.org/index.php?option=com_content&task=view&id=70&Itemid=74
  35. ^ http://armendhereni.tripod.com/id42.html
  36. ^ http://www.bashkialac.gov.al/template.php?pag=45761
  37. ^ http://bashkiafier.gov.al/?page_id=3174
  38. ^ http://www.albeiti.org/doc/gjendja_rezervave.pdf?PHPSESSID=32a6b71f8b4c340a5ae4990966f2bb13
  39. ^ http://qendrim.forumotion.net/t3725-tiparet-e-pergjithshme-te-klimes
  40. ^ a b c http://turizmishqipetar.weebly.com/flora-dhe-fauna.html

Lidhje të jashtme