Shko te përmbajtja

Xhamia e Kokonozit

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Xhamia e Kokonozit

Xhamia e Kokonozit, e njohur edhe si Xhamia e Pazarit të Ri, ndodhet në pjesën verilindore të qendrës së qytetit të Tiranës. Ndërtimi i xhamisë u nis më 1750 me bamirësinë e Mahmut agë Kokonozit.

Xhamia e Kokonozit së bashku me xhaminë e Tabakëve është një ndër xhamitë më të vjetra (të mbetura) të qytetit të Tiranës. Pas këtyre dy xhamive vjen xhamia e Et’hem Beut. Ka nisur të njihet si Xhamia e Pazarit të Ri pasi që me prishjen e Pazarit të Vjetër të Tiranës, ndanë kësaj xhamie u ndërtua Pazari i Ri.

Për herë të parë emrin e xhamisë së Kokonozit e ndeshim në një dokument të vitit 1775 në të cilin përmendet se qirinxhiu Mustafa Këllezi detyrohej t’i jepte 6 akçe në ditë hatibit të xhamisë në fjalë, ndërtuesi i së cilës kishte pak kohë që kishte vdekur.[1][nevojitet citimi i plotë]

Nga ky dokument kuptojmë se ndërtuesi ose sponsorizuesi i ndërtimit të xhamisë kishte vdekur në 1775, gjë e cila na tregon se të paktën xhamia ishte ndërtuar 20 vjet para vdekjes së tij (rreth 1750-1760), ose para datës së dokumentit 1775. Kështu arrijmë në përfundimin se Xhamia e Kokonozit i përket mesit të shek. XVIII, viteve 1750-1760, dhe jo fundit të shekullit siç pretendon Zija Shkodra në punimin e tij “Qyteti Shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare”.[2]

Më 1967 xhamia e Kokonozit u mbyll prej Revolucioni Kulturor. Ajo u kthye në magazinë duhani dhe ashtu vazhdoi deri në 1990, kur një grup besimtarësh pasi e pastruan xhaminë e rikthyen atë në një gjendje të përshtatshme për të kryer ritet fetare. Pas rihapjes xhamia ishte në një gjendje të mjerueshme, muret e pikturuara me afreske pothuajse tërësisht ishin plasaritur dhe pritej vetëm shembja e tyre. Në pjesën anësore të kupolës suvaja e dekoruar dhe e pikturuar kishte rënë duke krijuar një hartë kallamishtesh që dilnin nga çatia. Në 1967 xhamisë i ishte shembur edhe minarja deri në lartësinë e fundit të murit anësor të xhamisë. Kjo gjendje e mjerueshme vazhdoi kështu deri në fund të vitit 1999, kur një grup besimtarësh filluan restaurimin e xhamisë. Suvaja e pikturuar e mureve, e cila ishte rrëzuar në shumë vende, u shemb dhe muret u risuvatuan përsëri. Prej vitit 1999 e deri më sot xhamia është restauruar disa herë, duke filluar nga çatia, rindërtimi i minares, klasat, oborri, dritaret, mihrapi e mimberi. Ndërhyrje janë bërë edhe në sistemin e kanalizimeve dhe elektrifikimit. Ndërhyrja më e mirë është restaurimi që i është bërë zbukurimeve të kupolës, të cilat janë ruajtur në formën e tyre origjinale ashtu siç janë pikturuar qysh prej ndërtimit, apo rindërtimit të xhamisë.

Duke e vendosur vitin e ndërtimit të xhamisë në mesin e shekullit të XVIII, ne kemi zgjidhur vetëm njërin problem. Një tjetër problem qëndron në faktin se në pllakatën e vendosur në hyrjen e portalit të brendshëm (e cila është në osmanisht), në fund të saj, majtas, jepet viti 1269 H. Kjo pllakatë është restauruar (në 2005) prej Bledar Kominit në konsulencë me arkitektin e Monumenteve të Kulturës, Z. Sulejman Dashi. Viti 1269 H i vendosur në pllakatë mund të shënojë vitin e ndonjë ndërhyrje apo restaurimi që mund t’i jetë bërë xhamisë së Kokonozit prej ndonjë familjeje tiranase. Shembuj të tillë në qytetin e Tiranës kemi disa: kështu xhamia e Met Fierës, e cila ka qenë në vendin ku sot është gjimnazi Sami Frashëri, u restaurua në mes të shekullit XIX, 1275 H (1859) prej familjes së Beshirajve (Sulejman Beshirit). Shembull tjetër mund të sjellim restaurimin që iu bë xhamisë së Terzive ose Esnaf Xhamisë në shek. XIX prej familjes së madhe të Karapicëve, prej kësaj xhamia më pas u quajt xhamia e Karapicëve, duke e humbur emrin e parë. Një restaurim i tillë iu bë në mes të shek. XIX edhe xhamisë së Sulejman Pashës. Në bazë të këtyre shembujve mund të biem dakord se edhe xhamisë së Kokonozëve mund t’i jetë bërë një restaurim në vitin 1859, vit i cili është vendosur në fund të pllakatës të sipërpërmendur. Kjo mund të mbështetet në disa thënie të të vjetërve që falen në këtë xhami, të cilët thonë se në fillimet e saj xhamia ka qenë ndërtuar prej druri, por deri kur ka vazhduar kështu kjo gjendje e xhamisë ata nuk e dinë.

Një legjendë e vjetër tiranase thotë se kur Kokonozët deshën të ngrinin xhaminë ata nuk u lejuan prej pasardhësve të Sylejman pashë Bargjinit të ngrinin një xhami të madhe dhe të bukur si ajo e Sylejman Pashës, për këtë në fillim xhamia u ndërtua prej druri. Më pas kur pasardhësit e Sylejman Pashës u futën në luftëra të njëpasnjëshme me Toptanët e Krujës, ata i kërkuan ndihmë ekonomike gjithë popullit të Tiranës (po ashtu edhe Kokonozëve), në mënyrë që të gjithë të ndihmonin në mbrojtjen e qytetit. Në këmbim të ndihmës, Kokonozët i kërkuan Bargjinëve leje që xhaminë e tyre prej druri ta rindërtonin nga fillimi me gurë dhe ta pajisnin me minare. Kështu nisi jeta e re e kësaj xhamie mëhalle 250 vjeçare. Sado të pavërteta mund të ketë në këto tregime, ajo që mund të jetë më shumë se e besueshme është se xhamia e Kokonozëve vazhdon ende të ekzistojë dhe të mirëmbahet prej besimtarëve të saj.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. K. Frashëri fq. 166
  2. Shkodra, Zija (1984). Qyteti shqiptar gjatë Rilindjes Kombëtare. Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Historisë. fq. 413.