Jump to content

Jeronim de Rada

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Jeronim De Radës)
Jeronim de Rada
(1814 - 1903)
Lindi29 dhjetor, 1814
Vdiq28 shkurt, 1903
KombësiaShqiptar
ProfesioniMësues, drejtor shkolle, botues

Jeronim de Rada ; (Maqi, 29 nëntor 1814 - 28 shkurt, 1903), ishte mësues, botues, folklorist, filolog, poet dhe shkrimtar italo-arbëresh, themeluesi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Biri i një profesor të greqishtes dhe i latinishtes, Jeronimi mbaroi studimet për letërsi në Universitetin e Napolit.

Në tetor të 1836 u largua nga Napoli duke u kthyer në vendlindje. Më 21 qershor1837, pasi u bë pjesë e një grupi revolucionarësh të fshehtë nga miku Pasquale Rossi, vihet në krye të një grupi prej dhjetë kalabrezësh të cilët shkojnë në një takim grupesh komplotiste për një kryengritje në Kozencë, por paraqitet vetëm një grup arbëreshësh kalabrez dhe kryengritja dështon. Në gusht të 1840, u arrestua dhe burgosur i dyshuar për veprimtari ilegale, por u lirua një muaj më vonë për mungesë provash.

Në vitin 1848 mori pjesë në një demonstratë për kushtetutën dhe nxori gazetën e parë shqiptare: "L’Albanese d’Italia", në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës. Mbylli gazetën në të njëjtin vit pas dështimit të revolucionit dhe u kthye në vendlindje, i vendosur për të mos u përzier më me politikë. Më 1849 u emërua profesor i arbërishtes në Shën Adrian.

Ai organizoi kongresin e parë të arbërishtes në Corigliano Calabro dhe mori pjesë në kongresin e dytë të gjuhës shqipeLungro. Falë De Gubernati dhe së bashku me Giuseppe Schirò themeloi katedrën e arbërishtes në Institutin Oriental në Napoli.

De Rada ndërroi jetë më 28 shkurt 1903 në Maqi.

Në fjalinë e dytë të veprës Autobiologia Rada shkruan: "Stërgjyshët e mi qenë mbase pinjoj të Pietro Antonio Radës nga Arbëria - në Arkivat e Venedikut të shek. XIV gjendet një kontratë shitblerjeje ndërmjet tij dhe Doxhës". De Rada nuk e jep burimin e kësaj të dhëne, mirëpo më 1392 është shënuar në një dokument venedikas "Radacha serbe, bijë e Gjonit nga Arbëria" (venetisht Radacha serva filia Joan de Albania), kurse një "Radoslav albanese" nga Dukagjini del në një tjetër dokument venedikas.[1]

Radët qenë zhvendosur nga Morea në shek. XVI, saktësisht nga Koroni, pas një garancie që u dha Mbretëria e Napolit fisnikëve koroniatë, të kërcënuar nga asgjësimi, mund të udhëtonin për në Kalabri dhe Pulje. Fisnikërimi i Radave e ka zanafillën në shekullin e XVI.[2]

Fëmijëria dhe rinia

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lindi në Maqi, atëbotë nën sundimin e Mbretërisë së Dy Siçilive (sot provinca e Kozencës, Itali) i biri i Mikele Rada dhe Brailes. Në prill të 1822 hyn në kolegjin e Shën Adrianit të Shën Mitri Koronës, ku i ati ishte profesor i greqishtes dhe i latinishtes. Më 1827 përjeton një periudhë kritike, duke dashur të hynte murg. Përfundoi shkollën në Shën Adrian më 1833.[3]

Më 1 dhjetor 1834 nisi studimet për letërsi në Universitetin e Napolit, italisht në shkollën e Markez Puotit. Nxuri frëngjisht. Verën e 1836 fitoi një laurea franca për letërsi në Universitetin e Napolit. Në tetor të 1836 largohet nga Napoli, ku kishte rënë kolera, dhe kthehet në vendlindje. Më 21 qershor të 1837, pasi u bë pjesë e një grupi revolucionarësh të fshehtë nga Pasquale Rossi - tek i cili ishte mik në Tessano, vihet në krye të një grupi prej dhjetë kalabrezësh të cilët shkojnë në një takim grupesh komplotiste për një kryengritje në Kozencë, të planifikuar për ditën e nesërme. Por paraqitet vetëm një grup arbëreshësh kalabrez dhe kryengritja dështon. Një numri komplotistësh u pritet koka; nga gushti deri në dhjetor të atij viti jetoi në gjysmë ilegalitet. Nëntorin e 1838 kthehet në Napoli. Gushtin e 1840, pas një viti të trazuar të vëllezërve, i dyshuar për veprimtari ilegale, arrestohet dhe burgoset në Santa Maria Apparente; lirohet një muaj më vonë për mungesë provash. Më 1 nëntor 1840 me rekomandim nga Cesare Marini u pajtua si mësues privat në familjen e Kavaljer Nicola Spiriti. Më 8 dhjetor 1840 preket nga tuberkulozi me hemoptizi.[3]

Më 1841-1842 janë vitet më të lumtura të jetës së tij, i dashuruar me Gabriela Spiriti, bijë në familjen ku u pajtua. I zhgënjyer ka vite nga lëvizjet revolucionare, refuzon më 1844 ftesën e Komitetit Kushtetues në Napoli për të kryesuar revolucionin kalabrez që do të përfundonte në dështim. Pranverën e 1847 prishet me Gabrielën, pas një viti më 25 janar 1848 mori pjesë në një demonstratë për kushtetutën dhe luan rol në politikën e kohës, kur takon edhe Demetrio Lecca (Dhimitër Leka) të cilit i kushtoi "Milosao A". Më 1848 nxori të parën gazetë shqiptare "L'Albanese d'Italia", në të cilën shprehu pikëpamjet e tij për ngjarjet e kohës, pas dështimit të revolucionit më 1848 e mbylli gazetën dhe i zhgënjyer, shtator-tetorin e atij viti kthehet në vendlindje, i vendosur për të mos u përzier më me politikë.[3]

Pjekuria dhe mosha e mesme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1849 emërohet profesor i arbërishtes në Shën Adrian, mbajtës i katedrës së letërsisë krahasuese të themeluar për të. Më 1851 shkarkohet nga katedra për shkak të veprimtarisë së tij kundër Burbonëve.

Më 1868 emërohet drejtor i gjimnazit komunal në Corigliano Calabro, prej ku dha dorëheqjen më 1873[3].

Mosha e tretë dhe pleqëria

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1891 u riemërua në katedrën e arbërishtes në Shën Adrian. Më 1893 ndodhi shpërngulja e katedrës në Shën Mitër. Më 1896 organizoi kongresin e parë të arbërishtes në Corigliano Calabro. Më 1897 merr pjesë në kongresin e dytë të gjuhës shqipe në Lungro.[3] Më 1900 falë De Gubernati dhe së bashku me Giuseppe Schirò themeloi katedrën e arbërishtes në Institutin Oriental në Napoli, ku për zhgënjimin e thellë të tij nuk iu dha vendi i profesorit të arbërishtes.[4]

Ndërroi jetë më 28 shkurt 1903 në Maqi.[3]

Më 1824 i vdes i gjyshi, jakobin, me banim të detyrueshëm në Kozencë. Në tetor të 1825 i vdes e ëma, i ati bëhet prifti i fshatit. Më 1840 vëllai më i madh i tij, Constantino, qëlloi me armë një roje të Dukës së Corigliano-s gjatë një grindjeje të shkaktuar nga vëllai i tyre më i vogël, Camillo, që fshihej në arrati. Pasi u arrestua dhe u burgos në Kozencë, Camillo vrau me thikë kapobandën e burgut. I mbrojtur nga avokati i tij R. Valentini, u lirua e më pas u priftërua. Verën e 1845 e motra, Leticia, u martua me G. Ferrioli nga Shën Sofia.

Pas fejesës së prishur të Gabrielës me një të sërës së saj, po atë verë, njihet me bashkëshorten e tij të ardhshme Maddalena Melikji. Martohen bashkë me 1849. Më 1852 u lindi djali i parë, Giuseppe (Xhiuzepe), më 1855 djali i dytë Michelangelo (Mikelanxhelo) dhe më 1856 i treti, Rodrigo. Më 1859 u lindi djali i katërt Ettore, i cili vdiq vitin që pasoi. Më 1873 i vdes i biri, Michelangelo. Pas dhjetë vjetëve më 1883 vdes i madhi, Giuseppe dhe më pas e shoqja, Maddalena. Më 1897 i vdes djali i vetëm që kish mbetur gjallë deri atëherë, Rodrigo[3].

Këndimet dhe kultura

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Gjatë viteve të studimeve në shkollën e Shën Adrianit, këndoi veprat Il Cavalier meschino, La Gerusalemme liberata, Il Pastor fido, Argenis (Barcleius), Biblën. Në vitet 1830-32 Danten dhe Petrarkën, tragjedianët grekë, Ciceronin (De officiis, De amicitia), Byron (Korsarin). I pëlqente shumë Corinne. Mësoi përmendësh pjesë nga Gjeorgjikat e Virgjilit, nga Ariosto, Tasso, Metastasio dhe nga I Sepolchri i Foscolo-s. Pasi nxuri frëngjishten, këndoi dramaturgë e filozofë, Shekspirin e Kalderonin; letërkëmbimin Gëte-Shiler. Më 1837 këndoi F. Schlegel.[3]

Shkrimet e De Radës në gjuhën italiane vijnë përpara atyre në arbërisht. Por këto krijime, të cilat janë përkthime në prozë të vjershave arbëreshe, lypsen dalluar nga vjershat italiane sipas Pipës. Interesimi i tij për folklorin u shty nga leximi i teoricienit të Romantizmit, Schlegel, prej ku nisi përkushtimi ndaj arbërishtes dhe doli përmbi fazën italiane të ndikimeve të Dantes, Ariostos e Foscolos.[5] Veprat në poezi, përpos "Odisse" (që De Rada e quante "me temë arbëreshe") dhe "Sofonisba", janë të gjitha në arbërisht, por të pajisura me një përkthim italisht në prozë në krah të origjinalit. Titujt e veprave në poezi, të gjata si rregull, janë në italisht me një përjashtim: Skanderbeku i pafaan. Veprat e tjera janë në italisht. Ndërsa nga të dy periodikët të redaktuar e të botuar prej De Radës, L'Albanese d'Italia është edhe në italisht, kurse Fiamuri i Arbërit është në të dyja gjuhët.[4]

I cytur nga avokati kalabrez Rafaele Valentini, shtator-tetorin e 1833, De Rada asokohe nëntëmbëdhjetë vjeçar zuri të mblidhte këngë popullore arbëreshe në fshatrat kalabro-arbëreshe të krahinës së Kozencës. Vjeshtën e 1834 pasi hartoi "Raccolta di canti albanesi", dhe më 1866 botoi "Rapsodie" nën kujdesin e N. Tommaseo.[6] Më 1845 Kamarda i tregoi një tufë këngësh popullore të mbledhura nga F. Avati.[3]

Më 1963 ose 1964 Giuseppe Ferrari botoi një dorëshkrim të De Radës, të cilin e quajti Canti albanesi. Raccolda di Michele Bellusci del '600 gjetur në Frashinetë. Vepër që me Milosaon ka të përbashkët 11 këngë dhe teza e Ferrarit çonte drejt një pandehme për plagjiaturë. Më 1966 Francesco Solano në një artikull botuar tek "Shêjzat" hodhi poshtë hipotezën e Ferrarit, duke provuar se gjuha e përdorur ishte ajo e anëve të De Radës, por edhe stili i ngjante shumë stilit të Milosaos. Solano doli në përfundimin se tufa e këngëve e mbledhur nga Belushi nuk ishte tjetër veçse tufa e parë e këngëve popullore e mbledhur nga djaloshi De Rada me shtysën e Valentinit.[6]

Më 1832 shkruan Odisseterza rima[3]. Më 1833 porsa mbaroi studimet në kolegjin e Shën Adrianit, u caktua që të administronte pronën e familjes dhe kësodore i ra të njihej me të bijën e fshatarit që merrej me tufën e bagëtisë së familjes De Rada. Nuk vonoi dhe poeti i ri nisi të shkruante vjersha dashurie në stilin e këngëve popullore që mblidhte asokohe "duke imituar siç të mundte thjeshtësinë e rapsodive". Vitin tjetër, më 6 janar 1834, ditën e Epifanisë, hartoi të parin idil në të cilin paraqitet një episod dashurie që më vonë doli tek Milosao A 4[6]. Në vitet 1835-1836 nisi të shkruante skicë-idetë e para të Proto-Milosaos dhe Proto-Serafinës. Më 22 shkurt 1836 botoi për herë të parë në Omnibus "Canto in morte di Scanderbeg". Më 1837 skicoi këngë të ndryshme të Scanderbeg dhe shkruan variantin e parë të Serafinës, të cilën e shtyp më 1839. Pipa gjykon se Skanderbeku është vazhdim i Serafinës me emër tjetër.

Gjatë burgimit njëmujor shkruajti një vjershë kushtuar Huniadit, Giovanni Uniade, botuar pas vdekjes.

Tragjedi, Punime teorike: Gjuhësi, Estetikë, Politikë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 1841-42 shkruajti tragjedinë I Numidi, që nuk i ngrohu edhe aq miqtë e tij, të cilën e botoi më 1846. Provoi fatin e tij me trajtesën filozofike "Divinazione pelasgiche", botuar së pari te Lucifero dhe pastaj te Mattneer po më 1842. Më 1861 botoi "Principi di estetica", "Antichità della nazione albanese", "Lettera a Stamile", përkujdeset për gramatikën që punoi i biri Giuseppe "Grammatica della lingua albanese" mbështetur në dialektin e Kratit, më 1870. Më 1890 botoi "Pelasgi ed albanesi", 1892 "Il Collegio Albanese", "La Cattedra Albanese" dhe shkruajti tragjedinë "Sofonisba". Më 1894 shkroi veprën "Caratteri e grammatica", më 1896 "Abecedario" dhe "Antologia", në vitet 1898-1902 "Autobiografia" dhe "Testamento politico".[3]

Më 23 shkurt 1848 botoi numrin e parë të së përkohshmes L'Albanese d'Italia. Më 20 korrik 1883 botoi numrin e parë të Fiamuri Arbërit, e përmuajshme letrare e politike.

Dorëshkrimet, letërkëmbimet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Mbase prej grafomanisë,[7] poeti i shkruante dhe i rishkruante pambarimisht veprat e tij, por ruante edhe skicë-idetë e varianteve paraprake. Ai ruante jo vetëm letrat më të rëndësishme të tij, por edhe zarfat që i shkonin me postë. Kur u nda nga jeta la mbrapa vandakë letre me shënime e dorëshkrime. Ky material u ruajt prej trashëgimtarëve deri kur më 1934 ia bleu pjesën më të madhe të dorëshkrimeve, shtyrë edhe nga gjendja e keqe ekonomike në të cilën ra familja. Njëra nga dy arkat u zhduk dhe tjetra përshkoi një odise duke përfunduar në duart e Institutit të Gjuhësisë në Kopenhagë më 1956. Pas hulumtimeve të Arshi Pipës në Kozencë, mësoi se me shumë gjasë një pjesë e materialit nga arka e zhdukur që kishte dorëshkrimet më me vlerë të De Radës, përfundoi në Arkivin Qendror të Shtetit, ku sapo ishte formuar Fondi i De Radës[6] ku dhe gjendet letra me poetin frëng Lamartine. Fondi i De Radës në Bibliotekën e qytetit të Kozencës përbëhet prej më se 3000 fletësh me material poezish në arbërisht, në italisht, faqe ditari (libra llogarie), një trajtesë metafizike dhe letërkëmbimi.

Letërkëmbimi në Kozenca numëron 122 letra mbi tema letrare të rëndësishme. Këmbime letrash me Josephine de Knorr, Dora d'Istria, Emil Reinhold, Domenico Damis, Faik Konica, Giuseppe Schirò, Louis Podhorsky, Paolo Dodaj, Pietro Chiara, Cristina Gentile Mandalà, Michele Marchianò, Bernardo Bilotta, etj.

Në Kopenhagë dorëshkrimet e koleksionit shqiptar u kataloguan më 1973, për nga sasia nuk matet me të Kozencës, por për nga cilësia mbulojnë çdo dorëshkrim para ose pas Milosaos A tek materiali me poezi tejet i çmueshëm për hetimin e zanafillës së poezisë të De Radës, një libër llogarie dhe letërkëmbimi me letra me rëndësi. Një letër me dt. 12 shtator 1800 hedh dritë mbi jetën pak të njohur të autorit të saj, Francesco Avati, profesor italo-arbëresh i greqishtes në Universitetin e Urbinos, mbledhësi i parë i këngëve popullore arbëreshe, sipas De Radës. Një tjetër letër pa datë dërguar nga Zef Serembe shfaq shenja paranoje mistike. Dy letra të Kamardës dërguar De Radës qershor-korrikun 1865 përmbajnë kritika për Rapsodie-n e De Radës. Një letër e dërguar nga Hanoveri më 15 korrik 1880, në të cilën dërguesi, një filolog gjerman, mundohej t'ia kthente mendjen poetit që të mos shkonte në Turqi për të propaganduar ndër shqiptarët e atjeshëm për botimin e një gazete shqip (jo shumë kohë më pas, arriti të botonte Fiamuri Arbërit). Disa prej 14 letrave me Dora d'Istrian japin të dhëna të tjera për jetën e intelektuales me origjinë shqiptare. Ndër letrat e shkruara prej De Radës drejtuar inteligjencës shqiptare, janë ato dërguar Pashko Vasës, Zef Jubanit, Mitkos dhe letrat të tjera destinuar djemve.

Në një letër drejtuar të atit më 1845 nga Napoli, jep të dhëna për konceptin e De Radës për martesën:

Dhe a mos duhet ta shes talentin, që Zoti më ka falur për t'u shërbyer shumë njerëzve, për çmimin e një gruaje, në një kohë kur Ai don që martesa të jetë një betim i shenjtë hyjnor?"

Në radhët e periodikut "Fiamuri Arbërit", pas tkurrjes territoriale të Perandorisë Osmane pas Kongresit të Berlinit, qëndrimet e shprehura të rilindasit në lidhje me marrëdhënien e viseve shqiptare me Maqedoninë dhe Perandorinë Osmane është pa mëdyshje për një bashkim tokësor të të dy (tre) vendeve. Bashkimi i Shqipërisë me Turqinë nënkupton medoemos përfshirjen e Maqedonisë, të cilën De Rada e konsideron një zgjerim të Shqipërisë.[8]

Maqedonia është një tokë shqiptare për ne sipas një tradite të vazhdueshme. - shkruan De Rada në një shënim në një fjalim të lexuar në Kongresin e 12-të Ndërkombëtar të Orientalistikës.

Një letër e 24 korrikut 1897 përsërit bindjen e tij politike se Shqipëria duhet të vazhdojë të qëndrojë në suazën e Perandorisë Osmane nga droja e copëtimit ndërmjet grekëve e sllavëve.[4]

Tituj të veprave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Poesie albanesi de secolo XVI | Canti di Milosao | figlio del despota di Scutari. Napoli, 1836.
  • Canti storici di Serafina Thopia | moglie del principe Nicola Ducagino | tradotti in prosa italiana. Napoli, 1839.
  • Canti di Serafina Thopia | principessa di Zadrina nel secolo XV. Napoli, 1843.
  • L'Albania dal 1460 al 1487, më pas Storie d'Albania, 1848.
  • Principi d'estetica, 1861.
  • Antichità della nazione albanese e sue affinità con gli Elleni e i Latini, 1864.
  • Lettera a G. Stamile. Kozencë, 1865.
  • Rapsodie di un poema albanese | raccolte nelle colonie del Napoletano | tradotte da Girolamo de Rada | e per cura di lui e di Niccolò de Coronei ordinate e messe in luce. Firence, 1866.
  • Grammatica, bashkëpunim me të birin Giuseppe. Firence, 1870.
  • Poesie albanesi del secolo XV, që përbën botimin e tretë të Milosaos dhe tre librat e parë të Skanderbegut, 1873.
  • Quanto di libertà e di ottimo vivere sia negli Stati rappresentativi. Napoli, 1882.
  • Pelasgi e Albanesi. Napoli, 1890.
  • Sofonisba | dramma storico. Napoli, 1892. - ripunim i I Numidi.
  • Autobiologia. Dy fashikuj në Kozencë, 1898; dy në Napoli, 1899.
  • Testamento politico. Katanxaro, 1902.

Botime jo të autorit, përkthime, përshtatje, studime

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Divinazioni pelasgiche, ribotuar nga E. Bidera në gazetën Mattneer. Napoli, 1842.
  • Odisse, botuar nga Saverio de Marchesi Prato, Napoli 1847 - 4 këngë në varg të bardhë, italisht.
  • Hieronymi de Rada carmina albanica quinque, përkthim në gjermanisht i "Annmaria Cominiate" nga Theophilus Stier. Brunswich, 1856.
  • Poemi albanesi di Girolamo de Rada | scelti, tradotti e illustrati | con prefazione nga Michele Marchianò. Trani, 1903.
  • Giovanni Uniade, nga Michele Marchianò. Foggia, 1906.
  • Jeronim de Rada | Vepra të zgjedhura, përshtatje në shqipen standarde nga Andrea Varfi. Tiranë, 1969[4].
  • Rrëfime të Arbrit | poemë, përshtatur në shqipe standarde dhe pajisur me shënime nga A. Varfi. Tiranë, 1975[9].

Monografi, numra të posaçëm dhe artikuj të zgjedhur kushtuar De Radës

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Marchianò, Michele, L'Albania e l'opera di Girolamo de Rada, Trani, 1902.
  • Gualtieri, Vittorio, Girolamo de Rada poeta albanese, Palermo: Sandron, 1930.
  • Kastrati, Jup, Jeronim de Rada | Jeta dhe veprat, Tiranë, 1962[4].
  • Zeqo, Moikom, De Rada | Rishpikja e Arbërisë: sprovë kritike për një lexim të ri. Tiranë, 2014[10].

Botime përkujtimore

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  • Shêjzat VIII, 1964, 7-10: 217-460.
  • Jeronim de Rada (me rastin e 150-vjetorit të lindjes), Tiranë, 1965[4].
  1. ^ Pipa, Arshi (2013). "Trilogia Albanica II: Hieronimus De Rada" [Trilogjia Albanika II: Jeronim de Rada]. Princi. fq. 55. ISBN 978-9928-4090-7-2.
  2. ^ Pipa, Arshi (2014). "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Princi. fq. 43–44. ISBN 978-9928-4090-9-6.
  3. ^ a b c d e f g h i j k Pipa 2013, pp. 12-16.
  4. ^ a b c d e f Pipa 2013, pp. 267-279.
  5. ^ Pipa 2013, pp. 31-38.
  6. ^ a b c d Pipa 2013, p. 20-24.
  7. ^ Belmonte, Vincenzo (25 tetor 2012) [2002]. "Il Segreto di De Rada" [Sekreti i De Radës] (në italisht). Castroregio. Marrë më 18 shkurt 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  8. ^ Pipa 2014, pp. 36-37.
  9. ^ De Rada, Jeronim (1975). Rrëfime të Arbrit. Tiranë: Naim Frashëri. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Bela, Muhamet, Vepra “De Rada, Rishpikja e Arbërisë’”, një vepër me vlera për kulturën Arkivuar 29 tetor 2019 tek Wayback Machine, Shekulli, 16 mars 2015.