Jump to content

Mihal Grameno

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Mihal grameno)
Mihal Grameno
U lind më1871
Korçë, Perandoria Osmane
Vdiq më5 shkurt 1931
Korçë, Mbretëria shqiptare
KombësiaShqiptar
Gjinitë letrareShkrimtar, publicist

Mihal Grameno (Korçë, 13 janar 1871 - 5 shkurt 1931) ka qenë veprimtar i çështjes kombëtare, luftëtar me çetën e Çerçiz Topullit, botues dhe shkrimtar shqiptar. Vlerësohet se vendi i Gramenos në letërsinë shqiptare është kryesisht si publicist e pamfletist i jetës politike

U lind në Korçë, i biri i Ilo Gramenos dhe Lina Mitkos,[1] u shkollua në vendlindje dhe më 1885 mërgoi drejt Rumanisë. Në Bukuresht u lidh me lëvizjen kombëtare shqiptare, ku më 1889 u zgjodh edhe sekretar i shoqatës "Drita".[2]

Më 1907 doli kaçak dhe iu bashkua çetës së porsaformuar të Çerçiz Topullit, duke marrë pjesë në vrasjen e peshkopit grek te Guri i Cjapit për të marrë gjakun e Spiro Kosturit, vrarë nga grekët në Selanik.[3] Cilësoheshin Apostuj të shqiptarizmës ngase shkonin fshat më fshat të kuvendonin për idenë kombëtare. Grameno si gazetar bëri të mundur raportin e përleshjes së çetës në Mashkullorë. Më 1908 çeta shkoi të takonte Njazi bej Resnjën për të diskutuar më 23 korrik duke diskutuar për përparësitë që do t'i jepte shqiptarëve shpallja e një kushtetute. Po atë vit në nëntor përfaqësoi Klubin e KorçësKongresin e Manastirit. Më 1909 Grameno themeloi në Korçë Lidhjen orthodokse dhe redaktonte të përkohshmen e përdyjavshme me të njëjtin emër që botohej gjatë 1909–1910. Më 1910 organizata proklamoi themelimin e një kishe shqiptare, dhe nuk u njoh nga Perandoria Osmane. Grameno u arrestua më 1910 nga autoritetet osmane për punën e tij në gazetën Bashkimi i Kombit.

Gjatë kryengritjeve të vitit 1911 Grameno kryente ndërlidhjen mes grupeve të çetave ndër viset shqiptare dhe prijësve të lëvizjes kombëtare në Stamboll për të koordinuar kryengritjet.

Më 1 shkurt 1911 nisi të botojë një tjetër gazetë: të përjavshmen Koha të cilën edhe e redaktonte, së pari të botuar në Korçë dhe më pas në Jamestown, New York ku jetoi nga 1915 deri më 1919. U kthye në Evropë për të përfaqësuar Partinë Politike të shqiptaro-amerikanëve në Konferencën e PaqesParis[4] dhe si korrespondent i gazetës Albania që botonte A. G. Naçe në New York.[2] Pas një viti u kthye në Shqipëri.

Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në SHBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. I sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore. Vdiq në Korçë më 5 shkurt, 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli "Hero i Popullit".

Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek. XX. Hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si "Për mëmëdhenë", "Lamtumirë", "Uratë për liri" u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës (sidomos novelës) së gjatë shqipe. Shkroi novelat Oxhaku (1904-1905), Varri i pagëzimit (1909) dhe E puthura (1909), në të cilat gjeti pasqyrim me nota sentimentaliste jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.

Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat Lidhja ortodokse (1909-1910) dhe "Koha" (1911-1926), të cilat i drejtoi vetë. Shkrimet e tij publicistike shquhen për idetë demokratike dhe frymën luftarake. Mihal Grameno luftoi me këmbëngulje kundër shovinizmit fqinj dhe politikës osmanizuese të xhonturqve. Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Ka botuar dy vepra dramatike: komedinë "Mallkimi i gjuhës shqipe" (1905) dhe dramën "Vdekja e Pirros" (1906), të dyja të shkruara në vargje. Komedia "Mallkimi i gjuhës shqipe" trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te "Vdekja e Pirros" trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. Grameno shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull "Këngëtore shqipe - Plagët". Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. Vjersha "Për Mëmëdhenë" u bë një këngë e famshme atdhetare. Është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi, i cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare. Drejtoi gazetat "Lidhja ortodokse" (1909-1910) botoheshin në Shqipëri dhe diasporë, si “Lidhja ortodokse” në Korçë, “Përlindja e Shqipërisë” në Vlorë dhe "Koha" në SHBA (1911-1926), me disa ndërprerje, “Drita” në Sofje, në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama. Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse. M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare[5]. Gjithashtu, për t’u vlerësuar, është edhe puna studimore e Piro Takos në dekadat e fundit të shekullit që lamë pas. Ai ka meritën se përmblodhi një pjesë të mirë të veprës së Gramenos dhe e ribotoi atë në vëllime më vete. Veprimtaria publicistike e Mihal Gramenos ndahet në katër etapa:

1) Etapa e parë: Krijimtaria publicistike, që përfshin harkun kohor të viteve 1905-1912, ku përqendrohen lëvizjet për çlirim kombëtar
2) Etapa e dytë: Përfshin shkrime publicistike të viteve 1913-1920, boshtin e së cilës e përbën problemi i ruajtjes së tërësisë tokësore të shtetit shqiptar dhe ai i rifitimit të pavarësisë së humbur gjatë kohës së pushtimit të ushtrive ndërluftuese të Luftës së Parë Botërore
3) Etapa e tretë: Përfshin veprimtarinë publicistike të viteve 1921-1924, në qendër të së cilës trajtohet tema e demokratizimit të shtetit shqiptar si dhe konsolidimi i tij
4) Etapa e katërt: Përfshin shkrimet publicistike të viteve 1925-1930, kohë në të cilën Grameno hedh bazat e letërsisë dokumentare dhe shkrimit të kujtimeve me shkrimin dhe përgatitjen për botim të vëllimit “Kryengritja Shqiptare”, gjithashtu kjo mund të quhet edhe etapa e rënies ideore të Gramenos.[6]
  • Mallkimi i gjuhës shqipe, komedia me tri akte, Bukuresht, 1905; rebotim Dh. Koti, Korçë 1921.
  • Vdekja e Pirros, tragjedia historike me katër akte, Sofie, 1906.
  • Oxhaku, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1913, 1943
  • E puthura, Roman dramatik, Selanik 1909, rebotim Dhori Koti, Korçë 1943.
  • Varr' i pagëzimit, Roman dramatik, Korçë 1909.
  • Këngëtore shqipe: Plagët, poezi, Manastir, 1912.
  • Kryengritja shqiptare, G. Direttore, Vlorë, 1925.
  • Antikat kombëtare. Kujtime, pamflete, portrete. Mbledhur, pajisur me shënime dhe pregatitur për shtyp nga Piro Tako, Naim Frashëri, Tiranë, 1974) 215 ff.
  • Vepra 1-2. Rilindja, Prishtinë 1979).[2]
  1. ^ Dibra, Zenepe (2009). Fjalor enciklopedik i gruas shqiptare. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 191. ISBN 9789995602673.
  2. ^ a b c Elsie, Robert (1997) [1995]. "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). elsie.de. Dukagjini.
  3. ^ Vllamasi 2012, p. 131.
  4. ^ Vllamasi, Sejfi (2012) [1950']. Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 152. ISBN 978-9928-140-54-8.
  5. ^ "Letërsia.ZemraShqiptare.net Mihal Grameno". Arkivuar nga origjinali më 16 dhjetor 2010. Marrë më 1 tetor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ 140 vjetori i Mihal Gramenos[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur]