Jump to content

Qemal Stafa

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Gjendeni tek artikulli Qemal Stafa. Për shprehjet e ngjashme në shkrim, kuptim apo tingëllim, shikoni këtu.
Qemal Hasan Stafa
U lind në20 mars 1920
Vdiq5 maj 1942
Kombësiashqiptar
Emrat e tjerëBrutus
Partia politikePartia Komuniste Shqiptare
Nënshkrimi

Qemal Hasan Stafa (Elbasan, 20 mars 1920 - Tiranë, 5 maj 1942) ka qenë bashkëthemelues i Grupit Komunist të Shkodrës, pjesëtar në takimin e themelimit të partisë, anëtar i Komitetit Qëndror dhe sekretar politik i të rinjve. Gjithashtu shkrues poezish dhe sprovash letrare me pseudonimin Brutus, të cilat u përmblodhën në vëllimin "Qortimet e vjeshtës". Dita e vrasjes së tij është përcaktuar si datë simbolike për të përkujtuar Ditën e Dëshmorëve nga regjimi komunist e deri më sot.

U lind në qytetin e Elbasanit, i biri i Hasan Ahmetit dhe Sabries së Veli Dylgjerit. Familja me origjinë nga Zabzuni i Gollobordës kishte gjetur në brigjet e Shkumbinit vendbanimin e ri, ku Hasani u lind. Si ushtarak që qe i zoti i shtëpisë, detyra bëri që familja të shpërngulej për në Shkodër më 1923. Emërohet Drejtor i Zyrës së Rekrutimit në Prefekturën e Shkodrës.[1]

Banesa osmane e Qemal Stafas

Qemali ndoqi mësimet në Kolegjin Saverian duke e ndjekur për tetë vjet derisa më 1933 me ligjin Ivanaj u mbyllën shkollat private dhe kaloi në Gjimnazin e Shkodrës. Vitin shkollor 1934-'35 në gjimnaz dërgohet Skënder Luarasi,[2] i cili një vit më vonë do t'i jepte një temë hartimi rreth disa vargjeve të "Vilhelm Telit" të Shilerit. Hartimi i Qemalit gjashtëmbëdhjetëvjeçar bëri bujë, bashkë me nismën që ndërmorën grupi shoqëror për të mbajtur kapele në vend të fesit. Pjesëtar në rininë përparimtare të kohës me Xhemal Brojën, L. Radin, Arshi Pipën, Haki Tahën etj.

Mbas vdekjes së të atit, familja e tij u shpërngul në Tiranë korrikun e 1936.[3] Në fillim të vitit shkollor '36-'37 u regjistrua në Gjimnazin Shtetnor të Tiranës. Me organizimin e Zef Malës, Qemali së bashku me Vasil Shanton, Gj. Lukën, T. Jakovën themelojnë Grupin Komunist të Shkodrës.[4][5] Vitin 1938 nisën arrestimet prej së cilës Qemali u arrestua natën e 24 janarit të 1939. Gjyqi i tij u zhvillua javët e para të shkurtit në bodrumin e Bashkisë së Tiranës i mbrojtur nga av. Suat Asllani, gjyq në të cilin i pranon të gjitha akuzat dhe dënohet me tre vite.[6] Me rastin e vdekjes së të vëllait i jepet leje që të shkojë për të pritur. Ndërkohë që ishte ndryrë në njërën prej qelive të Burgut të Vjetër, i bëhet e mundur të dalë gjatë trazirave të 7 prillit.[7]

Qemal Stafa në një pullë postare të vitit 1947.

Kandidati për sekretar të përgjithshëm të PKSH-së, Qemal Stafa qëndronte në shtëpinë e Bije Vokshit në Tiranë. Më 4 maj 1942 u largua nga kjo shtëpi sepse atje shkoi Enver Hoxha, i cili e njoftoi se duhej të shkonte në një bazë më të sigurt. Të nesërmen e kësaj dite më 5 maj 1942 karabinieria shkoi në shtëpinë të marrë me qira nga Beqir Minxhozi, në atë kohë punonjës i Bankës Kombëtare të Punës. Kontrata e qirasë së shtëpisë ishte bërë vetëm tri ditë më parë. Në rrethana të pasqaruara mirë, Minxhozi u arrestua. I lidhur ai u detyrua të tregonte shtëpinë ku strehohej Stafa, e fejuara Drita Kosturi, Kristo Themelko, Gjustina Sata (Flora Dishnica) dhe kushërira e saj Marie Lezhja. Në raportin e saj për këtë ngjarje, karabinieria nuk e përmend Themelkon.[8]

Varri i Qemal Stafas

Në të gjallë të tij, Stafa botoi dy skica letrare me nënshkrimin e tij. Të parën kur ishte 14 vjeç në një revistë për fëmijë, kurse të dytën, në 1939, në gazetën zyrtare të Partisë Fashiste Shqiptare. Më 1962 u botua dhe një përmbledhje me shkrime të tij, përgatitur nga Nasho Jorgaqi, një pjesë e të cilave janë çmuar me autorësi të diskutueshme.[9]

Në 1966 në Tiranë u krijua një këngë kushtuar atij: “Trim i fortë me yll në ballë”. Në 1967, fshati Plasë i Korçës i ngriti këngën “Po më pesë maj më dyzet e dy”. Në 1969, në Tiranë, u krijua kënga “Luftë e madhe asaj dite o Qemal”. Në 1970, Dukati i Vlorës i kushtoi këngën “Pesë maj u vra Qemali”. Në 1977, po në Tiranë u krijua kënga “Qemal Stafa”. Po atë vit, Kutallia e Beratit krijoi “Këngë për Qemal Stafën”. Një këngë me titullin e Kutallisë u ngrit dhe në Tiranë, një vit më vonë. Në 1979, Delvina krijoi këngën “Erdh Qemali në Delvinë”. Në 1980, një këngë e Vranishtit të Korçës titullohej: “Përmes flakës ra Qemali”. Po atë vit, Tirana krijoi këgën “Qemal Stafa”, ndërsa Janjari i Sarandës këngën “Krenari për mëmëdhenë”.[9]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Sinani A., Flet nipi i Veli Stafës: Ju rrëfej amanetet e Veliut dhe e vërteta e vdekjes së tij, Tirana Observer, 19 tetor, 2012.
  2. ^ Kaloçi D., Deklarata e Qemal Stafës në hetuesi : "Përse unë nuk jam komunist", Gazeta Shqiptare. - Nr. 2452, 12 prill, 2003, f. 12 - 13.
  3. ^ Kaloçi D., Unë, korrieri i Qemal Stafës, dëshmoj vrasjen e tij nga Enveri : [Intervistë e Beqir Ramazan Xhepa], Gazeta shqiptare. - Nr. 2426, 9 mars, 2003, f. 12 - 13.
  4. ^ Fierza Gj, Zef Mala, mes lavdisë dhe persekutimit, Tirana Observer, 16 prill, 2015.
  5. ^ Elsie R., A Biographical Dictionary of Albanian History, Londër: I.B. Tauris, 2012. fq. 425. ISBN 978-1-78076-431-3
  6. ^ Kaloçi D., Dëshmoj unë, shoku i shkollës dhe burgut i Qemal Stafës (interv. Riza Deliallisi), Shqip. - Nr. 120, 5 maj, 2007, f. 18 - 19
  7. ^ Polovina Y., Pushtimi, Komunizmi e çeli derën më 7 prill të 1939, Shqiptarja.com, 7 prill, 2013.
  8. ^ Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. fq. 215-216. ISBN 978-9828-106-38-4
  9. ^ a b Hoxha, Çelo (5 maj 2016). "Qemal Stafa si mit dhe hero". kohaislame.com. Marrë më 20 janar 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)