Jump to content

Shkodra

Coordinates: 42°04′05″N 19°30′43″E / 42.06806°N 19.51194°E / 42.06806; 19.51194
Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Shkoder)
Shkodër
Nga lart poshtë, nga e majta në të djathtë: Pamje e Shkodrës, Xhamia Ebu Bekër, Rruga Kolë Idromeno, Kalaja e Rozafës, Kisha Françeskane nga rruga Kolë Idromeno, Delta e Drinit dhe Liqeni i Shkodrës me Alpet Shqiptare.
Koordinatat: 42°04′05″N 19°30′43″E / 42.06806°N 19.51194°E / 42.06806; 19.51194
ShtetShqipëria
RajonShqipëria e Veriut
QarkShkodër
ThemeluarShekulli IV para Krishtit
Qeveria
 • LlojiKryetari-këshilli
 • TrupiKëshilli Bashkiak Shkodër
 • Kryetar bashkieBenet Beci (PS)
Sipërfaqja
 • Bashkia[1][2]872,71 km2 (33,696 sq mi)
 • Administrative unit[3]16,46 km2 (636 sq mi)
Lartësia mbidetare
13 m (43 ft)
Popullsia
 (2023)
 • Bashkia
154.479[a]
 • Dendësia (Bashkia)155,39/km2 (40,250/sq mi)
 • Unit
77.075[b]
Emri i banorëveShqiptar: Shkodran(e)
Zona kohoreUTC+1 (CET)
 • Verës (DST)UTC+2 (CEST)
Kodi(et) postar
4000-4007
Prefiksi+355 (0) 22
Faqja zyrtarebashkiashkoder.gov.al

Shkodra (ose Shkodër) është qytet dhe bashki në Shqipërinë Veriperëndimore e qendra e rrethit dhe qarkut me të njëjtin emër. Është një prej qyteteve më të vjetra të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë.

I çmuar ndër kohëra të ndryshme si nyjë me rëndësi gjeostrategjike prej afërsisë mes malësive, liqenit, detit dhe rrugëve me rëndësi në kuadrin e Ballkanit Perëndimor.

Bashkia, e cila shtrihet prej Alpeve Shqiptare e deri në detin Adriatik, u krijua pas reformës territoriale më 2015 duke shkrirë njësitë e mëparshme të Anës Malit, Bërdicës, Dajçit, Gurit të Zi, Postribës, Pultit, Shalës, Shoshit dhe Velipojës.[7]

Prejardhja e emrit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Monedhat e lashta të Shkodrës me liburnë

Si emër është hasur qysh në lashtësi në formën Skodra (lat. Scodra; greq. e vj. Σκόδρα), gjithashtu në rasën gjinore të greqishtes Σκοδρινῶν ('e Skodrinëve') gjetur ndër monedha prej shek. II p.K. Presbyter Diocleas shkruan Scodaris, si mbiemër Scodrensis.

Prej vitit 1287 shihet forma Scutarum (mb. Scutarensis),[8] emri u përshtat në italishte Scutari, formë e cila qe mjaft e përhapur në anglishte deri në shek. XX.[9] Forma në serbo-kroatishte Skadar (Скадар) shihet që nga mbarimi i shel. XIV,[8]turqishten osmane, gjithashtu në turqishten e sotme İşkodra.

Përgjatë sundimit osman është quajtur edhe Işkenderiyye nga Işkender duke pandehur se banorët e këtij qyteti ishin të bijtë e Skënderit për nga trimëria që shfaqnin në beteja, nga ku Barleti nxjerr tezën se Shkodrën mund ta ketë themeluar Aleksandri i Madh, që qarkullonte edhe ndonjë shekull më vonë tek e shkruan udhëpërshkuesi osman Evlija Çelebi.

Përzhvillimi i emrit prej trajtës së vjetër në të tanishmen mbahet nga Eqrem Çabej[10] dhe Shaban Demiraj[11] si një vijim i natyrshëm i gjuhës shqipe.

Toponimia e qytetit shtrihet në aq shtresa sa ç'është e gjurmueshme historia e rishtë e tij, duke pasur shtresëzime që dëshmojnë periudhën latine, sllave, osmane, mbivendosjet e emërtimeve nga regjimi komunist apo edhe toponime të reja. Kodrat rreth të cilave shtrihej qyteti në kohën e Barletit quheshin Kazenë, Valdunus (kodra e kalasë) dhe Zarufe.

Shtrirja e qytetit në kohët e hershme qe e vendosur në Fushën e Bunës, ku ka qenë lagjja e quajtur Pulikare (it. pulicaria, bimë dizenterike), sot e mbuluar nga uji dhe në verë përdoret për kullotje.

Dy mendohen të jenë toponime bizantine: Ajasma (gr. ujë i shenjtë) dhe Arra e Madhe (gr. aramades, vend i lagshtë). Shtresëzimi sllav në nivel toponimesh konstatohet tek lagjet Gjuhadol (sllav. gluho dol, përrua i shurdhët)[12] dhe Draçin (ferrza) - emër ky i fundit që u përpoq të ndryshohej në periudhën zogiste në "Ferrza", por u rikthye i mëparshmi.

Shtresëzimi i periudhës osmane është më i përhapuri që me emrat që na përcjell Çelebiu, por edhe më tej nga dokumentacioni: Alibegaj, Tabake, Hysenbegaj, e Myftisë, Haxhi Resul, Karahasej, Luguçezme, Vegshar, Tepe, Tophanë 1027 H (1617-1618, nga persishtja tup-hané), Xhabiej, Udhakryq, Ndocej, Parrucë, Fushë Çelë, Garuc, Kiras, Rus, Dërgut, Dudas, Badra, Ara e Pashës, Serreq.

Në mesin e shekullit të tretë p.k. përmendet si kryeqendra e mbretërisë së parë të Ardianëve. Mbretëresha Teuta dhe mbretërit Agron e Gent janë figurat më të përmendura të kësaj periudhe.

Scodra ishte më e mirëmbrojtura (arx munitissima) dhe më e vështira për t'u pushtuar (difficilis aditu) nga të tëra fortifikatat e fisit labeat. Ishte një pozicion i fortifikuar në mënyrë natyrale (munitum situ naturali oppidum), i rrethuar nga mure me pirgje mbi portat (portarumque turres).[8] Më 168 p.K. pretori romak Anicius ngadhënjeu mbi ilirët dhe pushtoi Shkodrën. Pas rënies nën sundimin romak, u bë ndër kryevendet jugore të provincës së Dalmacisë. Me reformat e Perandorit Dioklecian, Shkodra u bë qendra e Prevalit (lat. Prevaelis).Nga 395 AD, ishte pjesë e Dioqezës së Dakisë.

Pas gjysmës së parë të shekullit të 7 pjesa më jugore e pjesëve detare të Principatës Serbe, në Diokle, përfshinte edhe krahinën e Shkodrës. Qyteti qe pjesë e formacioneve shtetërore serbe, bullgare e zetase - pjesërisht edhe atyre bizantine - deri me rënien e Perandorisë Serbe në shek. XIV. Më pas u zotërua nga Balshajt, të cilët pasi u thyen në betejën e Savrës, Balsha II ia dorëzoi qytetin Shahinit (kephalia,[13] capitaneus turcorum)[8] deri kur prania osmane në këto vise u vënit dhe trysnia venedikase u shtua.[13] Balshajt ia dorëzuan Venedikut më 1396.[14] Përgjatë pranisë venedikase, por sipas gjasave edhe para ardhjes së Balshajve, zbatohej kodi ligjor i njohur si Statutet e Shkodrës.[15][16] Më 1448 shkodranët mvartës të venedikasve luftojnë kundër Skënderbeut.[17]

Më 1474 Bejlerbeu i Rumelisë, Sulejmani, rrethoi Shkodrën, por qyteti u mbrojt trimërisht nga Antonio Loredano dhe 2500 ushtarë, me ndihmën e anijeve venedikase në Bunë dhe në det, e me ndihmën e Cërnojeviqit zetas dhe malësorëve arbërorë. Rrethimi i dytë më 1478 u drejtua personalisht nga Mehmet Ngadhënjyesi, u dorëzua pas marrëveshjes së paqesStamboll më 1479.[8]

Sipas ndarjeve administrative të Perandorisë Osmane, qyteti u bë qendër e sanxhakut më 1485, pjesë e Elajetit të Rumelisë.

Qyteti nis të lulëzojë përsëri me stabilitetin e garantuar nga Bushatllinjtë.[18] Tregtia lulëzoi përmes limanit lumor të Obotit dhe bashkëpunimin me Ulqinin në rrugë detare, duke u bërë kësodore qendra ekonomike e trevave veriore shqiptare. Më 1832 periudha e pashallëkut të këtij oxhaku mbaroi. Më 1835 u çua kryengritja vendore kundër Tanzimatit, e kryesuar nga Hamz agë Kazazi.

Lufta Ballkanike dhe administratat ndërkombëtare

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
Tubimi i 6-mujorshit të pavarësisë, i festuar nga shkodranët në Kalà, ku Át Vinçenc Prennushi mbajti fjalimin e tij.

Deri në muajin prill 1913 Shkodra ishte i vetmi bastion i mbetur i Perandorisë Osmane në Ballkanin Perëndimor. Pas armëpushimit mes Perandorisë Osmane dhe Aleatëve Ballkanikë, Mali i Zi ra në ujdi që t'ia dorëzojë qytetin Fuqive të mëdha.[19] Komisioni i admiralëve të flotës ndërkombëtare që përfaqësonin Fuqitë e Mëdha e mori në dorëzim Shkodrën më 14 maj 1913 në ora 2.30 pasdreke.[19] Mbas fillimit të Luftës Botërore fuqitë ndërkombëtare u tërhoqën nga Shkodra dhe qytetin ia dorëzuan një komisioni prej 12 vetësh, njohur si “Komisioni i Shkodrës”.[20]

Rruga Franz Ferdinand

Më 23 janar 1916 ushtria austro-hungareze hyri në Shkodër. Nën administrimin e Komisarit Civil August Ritter von Kral u hapën Komisia Letrare Shqipe dhe drejtoritë e përgjithshme të financave, arsimit dhe drejtësisë në hapësirën territoriale deri në vijën grykëderdhja e Vjosës-Skrapar-Prespë. Në mars të 1916 qytetit i bëri vizitë zyrtare Arkiduka Karl Salvator i Habsburgve

Shtetit shqiptar dhe konfliktet

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Më 11 mars 1920, sipas një marrëveshjeje mes qeverisë së Tiranës dhe komandës së trupave franceze, xhandarmëria shqiptare mori në dorëzim qytetin ku ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu dhe ministri i Drejtësisë, Hoxha Kadriu u pritën me ngazëllim nga popullsia.[21] Në verën e 1920 qyteti qe i përfshirë në mënyrë të dyanshme në Luftën e Koplikut.[22]

Më 1921 ndodhi kryengritja e Republikës së Mirditës e cila u kryesue nga Marka Gjoni. Shkodra mori pjesë vullnetarisht për shuarjen e saj. Më 1926 shpërtheu Kryengritja e Dukagjinit, për të cilën Dom Gjon Gàzulli u var në qytet me 4 mars 1927.

Shkodra në vitin 1939 kishte 30 000 banorë. Qyteti asokohe kishte telegraf e telefon. Hotele të njohur ishin Grand, Panzione dhe Romana. Ditë tregu ka pasur dy: Qyteza e vjetër të mërkurave, Qyteza e re të hënave. [23]

Pushtimi italian dhe gjerman

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Në aksionet e ndërmarra nga ministri Deva, sipas burimeve gjermane, kreu 35 arrestime, duke asgjësuar një pjesë të mirë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare në qytet.[24]

Tërheqja e trupave gjermane nga Shkodra përbën një debat të gjithmonshëm për arsye instrumentalizimi politik të historisë. Për historianin ushtarak Marenglen Kasmi,[25] historianin Kastriot Dervishi, sipas dëshmive të Át Zef Pllumit dhe mjaft burimeve të tjera, gjermanët ikën nga Shkodra në datat 28-29 dhe partizanët hynë në Shkodër më 29 nëntor pa luftë[26] të prirë nga Gjovalin Luka.[27] Në fundin e vitit 1944 në Shkodër u formua Divizioni VI Sulmues i drejtuar nga Gjin Marku që do t'i bashkohej divizioni i Rrahman Perllakut për të shkuar në Kosovë.[28] Me zënien e qytetit nga partizanët, hynë edhe partizanë jugosllavë, të cilët nisën rrëmbimin e mallrave dhe zbrazjen e dyqaneve.[29]

Duke filluar nga nëntori 1944, në qytet u aplikua një represion i egër, i cili gradualisht e privoi atë nga primati moral, kulturor, ekonomik dhe demografik i tij në shtetin shqiptar, duke grabitur nga ky qytet arkivat, bibliotekat, veprat e artit, transformuar apo asgjësuar institucionet e krijuara për shekuj. Qasja e regjimit të ri mëtoi t´ìa çrrënjoste qytetit prirjet politike dhe kulturore, nga marrëdhëniet me botën dhe nga ekonomia tradicionale. U përndoqën personalitetet më të spikatura të qytetit. U vu dorë mbi institucionet e kulturës dhe të kultit, duke i shndërruar sipas ideologjisë së re. U bë çdo gjë që qyteti të humbiste identitetin e tij.

Balli Kombëtar me qarkomandant major Gjergj Vatën,[30] e kolonelin Luigj Mikelin (të vendosur më 1944) u thye keqas mbas 2 vjetëve luftë civile mes Ballit e Komunistëve.

Lëvizja antikomuniste në Liceun e Shkodrës e cila e ka zanafillën që nga periudha e Luftës, vazhdoi edhe më pas nga viti 1945 e deri në 1953 kur u arrestuan dhe pjesëtarët e grupit "Përpjekja shqiptare".[31]

Tërmeti i vitit 1979 rrënoi një pjesë të madhe të Shkodrës. Enver Hoxha dhe qeveria komuniste organizuar aksion për rindërtimin e qytetit dhe kur kjo u arrit pas disa muajsh, qyteti u shpall Hero i Punës Socialiste.

Ardhja e Demokracisë Në vitin 1990, në shumë vende të botës diktaturat filluan të binin, ndër ta ishte dhe Shqipëria. Në Shkodër, atë vit, shpërtheu një revoltë e udhëhequr nga studentët e Shkodrës. Nga ushtria komuniste, 4 të rinj u vranë paturpësisht. Sot, ata nderohen si Dëshmorët e 2 Prillit. Kryengritjet vazhduan derisa sistemi komunist u rrëzua nga zgjedhjet e lira të 1992. Kështu, Shqipëria dhe Shkodra filluan të udhëhiqeshin nga demokratët.

Shkodra sot Pas trazirave në fund të viteve '90 dhe luftës së Kosovës, Shkodra filloi të zhvillohet, si ekonomikisht, ashtu edhe kulturalisht. Shkodra sot është qyteti më kulturor dhe më "klasiku" në Shqipëri, megjithëse qyteti po modernizohet dita-ditës. Ky qytet është një destination kryesor turistik, duke përfshirë plazhin e Velipojës, liqenin, kalanë, Alpet, por edhe vetë qytetin. Numri i turistëve po shtohet nga viti në vit, ndërsa Shkodra po merr një frymë gjithnjë e më europiane.

Shtrihet për rreth 872.71 km2[32] në nyjën hidrografike me pranë liqenit me të njëjtin emër dhe lumenjtë Drin, Bunë dhe Kir në një ultësirë të "mbrojtur" nga liqeni, Alpet Shqiptare në lindje ku spikasin majat e Cukalit (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldisë (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenj.[33][34]

Oborri i Kishës së Fretënvet

Shtrirja në mes të një relievi fushor, kodrinor, paramalor dhe malor, afërsia me Detin Adriatik dhe liqenin e Shkodrës kanë përcaktuar edhe klimën e saj, një klimë mesdhetare me dimër të butë e të lagësht dhe verë të nxehtë e të thatë. Temperaturat mesatare në vit variojnë nga 11,8 °C deri ne 14,0 °C. Temperatura në Janar nga 0,9 °C deri në 6 °C. Në dimër fryn era e murrlanit (erë lokale), e ftohtë, e fortë dhe e thatë, ndërsa në fund të vjeshtës fryn era e shirokut, që shoqërohet me reshje dhe fryrjen e lumenjve. Sasia e reshjeve në këtë qytet është e madhe. Mesatarisht aty bien 2500 mm shi në vit, pra një nga zonat më të lagështa të Shqipërisë. Muaji me i ftohtë i vitit është muaji janar, ndërsa muaji me i nxehte i vitit është muaji korrik. Reshjet e dëborës bien rrallë, ndërsa ngricat shënohen zakonisht ne fundin e vitit.

Prania ortodokse ishte një ndikim historik prej sundimit bizantin dhe më pas prej feudalëve serbë të Zetës, të cilët i përkisnin pas Skizmës. Me vdekjen e Stefan Nemanjiqit, ndikimi venedikas bëhet më i dukshëm dhe Argjipeshkvia e Tivarit u kthye në mbështetje për hapjen e katolicizmit.

Pas pushtimit osman elementi i krishterë lejohej të banonte në vendbanime larg kështjellës,[35] kësodore qyteti nuk do të ishte më seli ipeshkvnore dhe arqipeshkvnore metropolitane deri më 15 mars 1867 kur u emërua argjipeshkv Karl Pooten. Deri në kohën e emërimit të tij, selia e arqipeshkvisë ishte në Tivar. Në vitin 1478 kur Mehmeti II rrethoi qytetin, në kështjellë qenë dy fretën françeskanë, njëri prej tyre arbër, P. Pali nga Matja.[36] Me pushtimin në qytet u përhap Islami, së pari prej pranisë ushtarake dhe më pas nga popullata e konvertuar.

Qyteti ka përshfaqur që me pragun e periudhës së Bushatllinjve një hapje kundrejt larmisë fetare.[35] Por në rastin e prishjes së Oxhakut të Jeniçerëve, çoi në dëbimin e bektashinjve nga qyteti, gjë që sipas Dela Rokës ka shtyrë drejt Islamit synit.[37] Sidoqoftë ky tarikat ishte ndër të parat mënyra të avitjes së Islamit në qytet, duke qenë se jeniçerët ishin trupë e bekuar nga Haxhi Bektashi. Sipas studjuesit të historisë së qytetit, Hamdi Bushatit, mendohet se në fillim të sundimit të Mustafa pashë Shkodrës ka pasur afro 70 teqetarikateve të ndryshme, që ndiqeshin edhe prej parisë feudale. Tarikatet që kanë qenë dhe janë ende të përhapura në qytet janë bektashitë, nakshibenditë, rifaitë dhe tixhanitë. Rinisja e hapjes së tyre pas dëbimit të madh, qe vepër e Sheh Ahmet Shkodrës.

Më 1846 u vendos në qytet Urdhri Jezuit, për të themeluar një qendër të vazhdueshme, duke kontribuar në ngritjen kulturore të qytetit me institucionet arsimore, kongregacionet bamirëse. Urdhri Françeskan kishte një prani të kryehershme në viset përreth Shkodrës, duke pasuar benediktinët në shek. XIII, por në qytetin e Shkodrës u ngulitën për herë të parë më 1861 me nisjen e ndërtimit të Kuvendit të Gjuhadolit.

Ortodoksët e qytetit, sipas thënies lokale s'bajnë ma se 100 shpi, nuk kanë lidhje me ortodoksët mesjetarë dhe relativisht janë të përbërë prej origjinave kuço-vllehë ose gogë, shqiptarë, serbo-malazezë, grekë e armenë. Sipas burimeve, paraardhësit e ortodoksëve shqiptarë kanë ardhur nga Vilajeti i Kosovës dhe i Manastirit, veçanërisht nga Struga (familja Banushi, Pistoli). Ortodoksët me prejardhje joshqiptare janë shqiptarizuar me shekujt.[38]

Shkodra përmendej si qendra e fetarizmit islam, ashtu dhe atij katolik, në Shqipëri.

Dialekti i gegërishtes është ai dialekt i cili përdoret në qytetin e Shkodrës. Është një lloj komunikimi i cili duhet të përdoret ton më i lartë zëri dhe theksi duhet të përshtatet që në fëmijëri. Ky theks është përdorur nga shkrimtarët e njohur shqiptare verior siç janë Gjergj Fishta, Ndre mjeda, Migjeni etj. Ky lloj theksi është përdorur edhe nga libri i parë shqiptar "MESHARI" i Gjon Buzukut në vitin 1555. Gjithashtu ky lloj dialekti flitet edhe nga kosovarët por me pak ndryshime. Shkodranët shquhen për këngët e tyre me theks geg gjithashtu dhe per të folurën e tyre të ëmbël me këtë theks.

Historianë si Ducellier mendojnë se Shkodra para-osmane ishte e banuar nga një larmi të nguliturish europianë, ku vetëm krahinat që e rrethojnë banoheshin nga etnia arbërore.[39]

Që nga çereku i fundit i shek. XIX, në lagje të ndryshme të qytetit ishin hapur 11 mejtepe.[40] Qeveria osmane kishte hapur gjithashtu në Shkodër një sistem shkollash shtetërore fillore katër klasëshe (iptidaije), qytetëse tri klasëshe (ruzhdije) dhe gjimnaz (idadije).[41] I njohur ishte në Shkodër Gjimnazi apo mejtepi Idadije, katër klasësh. Kjo shkollë, e hapur që në 1909, me profesorë universitarë, të gjithë të diplomuar, ardhur nga vise të ndryshme të Turqisë dhe mes tyre një apo dy mësues shqiptarë, ishte ndër më të preferuarat e kohës. Gjimnazi në fjalë arriti të kthehej në një lice 8-vjeçar, por nuk e përballoi Luftën Ballkanike.[42] Funksiononte si shkollë shtetërore turke edhe një shkollë tjetër e mesme e quajtur shkolla normale apo Darul-mual-limine (1909-1913), e drejtuar prej Mustafa Bej nga Stambolli, i shkolluar në Paris. Shkolla u mbyll pasi u grabit prej pushtuesve malazez.

Më 1835 u hap një shkollë fillore ortodokse. Mësimet në këtë shkollë zhvilloheshin në gjuhën serbo-kroate. Administrativisht shkolla varej nga konsullata serbe në Shkodër. Shkolla në fjalë mbeti e hapur deri në okupacionin fashist, kohë në të cilën u mbyll e nuk u hap më.[43] Më 1861 Françeskanët themeluan seminarin e tyre në të cilin mësohej edhe gjuha shqipe. Pastaj më 1877 Jezuitët themeluan në Shkodër një tjetër qendër me influencë për arsimin e lartë, Kolegja e Shën Françesk Saverit. Një risi shkencore në këtë kolegj ishte Observatori Meteorologjik, themeluar më 1888, i pari Observator astronomik në Ballkan. Ai vazhdoi shërbimet e tij të vlefshme deri më 1946, kur u konfiskua nga regjimi komunist. Më 1878 motrat stigmatine themeluan shkollën femërore Françeskane për 200 vajza. Në atë kohë njoftohej se kishte 21 shkolla fillore të tjera shqipe, që zhvillonin veprimtarinë e tyre në Durrës dhe në qytete të tjera Veriore. Secila prej tyre kishte rreth tridhjetë nxënës, përveç asaj të Prizrenit që kishte tetëdhjetë.[44]

Tradita e bibliotekave

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Studjuesi shqiptaro-kroat Aleksandër Stipçeviç në “Historinë e librit” shënon se në Iliri ka pasur 72 biblioteka dhe disa syresh kanë qenë edhe në Shkodër. Nga ana tjetër, në veprën e Marin Barletit, “Rrethimi i Shkodrës” thuhet se ka pasur anale të shkruara në gjuhën e popullit.[45] Sipas të dhënave të Daniele Farlatit në “Illyricum Sacrum”, “qendra të rëndësishme të administratës e kulturës me arkiva e biblioteka të famshme kanë qenë arqipeshkëvitë e Durrësit, Tivarit, Shkodrës e Shkupit”. Madje Shkodra njihet edhe si bërthama e parë e bibliotekave publike në Shqipëri. Në vitin 1917, u hap e para bibliotekë shtetërore e quajtur Biblioteka e Komisis Letrare, që u drejtua nga Hilë Mosi. Bibliotekë e cila iu bashkua fondit të Bibliotekës Kombëtare në Tiranë.

Sipas rendit kronologjik bibliotekat e Shkodrës i përkasin viteve: 1683, Biblioteka Bogdani, 1750 Biblioteka e Myftiut të Tabakëve apo Këllyçit, e cila fatkeqësisht nuk ekziston më, sepse u dogj, 1834 biblioteka e Vakëfit shumë të rëndësishme për fondin e dorëshkrimeve në gjuhët orientale, në 1858 biblioteka e Etërve Jezuitë, 1875 biblioteka e Françeskanëve, 1899 e Shoqërisë “Bashkimi”, 1901 e Shoqërisë “Agimi”, 1911 e Klubit “Gjuha jonë”, në vitin 1917 e “Komisisë letrare”, 1919 e Shoqërisë Vllaznia.

Nisi strukturimi i arkitekturës sipas kritereve të artit islam, disa kisha u bënë xhami. Në hyrje të Pazarit ka pasë një Hamam të ndërtuar nga i quajturi Allaman begu me datë 1519, i njohur si Hamami i VjetërPjetër Bogdani e përmend se në hyrje të hamamit kishte të shkruar në mermer me numra romakë (1470, 5 tetor).[46]

Parada e Karnavaleve në Shkodër


Qyteti numëron rreth 100 000 banorë e shquhet për shumëllojshmërinë në kahin urbanistik[47] e arkitektonik, shtëpitë më të vjetra me 1 ose 2 kate kanë bahçe e oborre të gjelbërta e me lloj-lloj lulesh, rrugët janë të ngushta e dikur ishin me gur të kalitur (rrugë të ngushta e të vogla karakteristike, të emëruara nga familje që kanë dhënë kontribut për qytetin apo nga gojëdhëna. Ndërtimet më të vona të shek. XX ndikohen nga prirjet arkitektonik tradicionale, të racionalizmit italian e të realizmit socialist.

Banda e parë muzikore qytetëse me drejtues Giovanni Canale - 1898

Gjatë sundimit osman, organizimet e para muzikore ishin taifat, grupe instrumentistësh.[48] Në periudhën e Bushatllinjve,[49] rryma poetike e bejteve e letërsisë shqipe me alfabet arab, të cilat shpreheshin nëpër ahengje ku qiteshin bejte.[50] Vargjet e bejtexhinjve kaluan me kohën në fondin anonim të folklorit dhe ndikuan këngën qytetare.[51][52] Karakter më vendor këngëve nisi t'ua jepte Kasëm Xhurri përgjatë shek. XIX.[53] Kënga qytetare shkodrane e quajtur në Shkodër kangët e ahengut,[48] pjesë e trashëgimisë së kulturës osmane, i përngjashëm me mekamet,[54] është përftuar nga kombinimi ndërkohor i muzikës orientale me ritmin vendas, e kënduar në të folmen qytetare.[48] Lloji i dytë i muzikës qytetare është ai i viteve '30, ku në Shkodër u krye nga P. Martin Gjoka që mblodhi këngët qytetare dhe me piano e instrumente i përformoi me këngëtarë artistikë.[53]

Përfaqësues në zë të kësaj kënge janë Bik Ndoja, Luçie Miloti, Naile Hoxha,[48] Xhevdet Hafizi, Marie Kraja, Shyqyri Alushi dhe Bujar Qamili.

Bandën e parë e krijoi Giovanni Canale më 1876/8, ku qe nxënës edhe Palok Kurti, i cili mësimet e para i mori përmes ahengut.[55] Më pas u krijua banda muzikore e kishës metropolitane drejtuar prej Frano Ndojës, dhe banda muzikore e shkollës së artizanatit, drejtuar nga Kurti.[56] Gjatë 1917 banda e katedrales drejtuar nga Ndoja i kaloi bashkisë. Më pas qe banda e ushtrisë, e drejtuar nga Pavllo Zhvap dhe Sulë Liçaj.[57] Ndër formacionet që fituan shquashmëri qe edhe banda e shkollës plotore e Parrucës, drejtuar nga Sule Liçaj; për të cilën kontribuoi Hilë Mosi, Mehmet Gjyli, etj.[58]

Më 1931 u formua edhe fanfara e konviktit "Maleve tona", nën drejtimin e Zef Kurtit me një efektiv prej 20 instrumentistësh. Banda pati dobi në gjallërimin e jetës së studentëve të gjimnazit të shtetit, megjithëse pati jetë vetëm një vit. Në vitin 1971, pak pasi u çel shkolla e mesme artistike "Prenk Jakova", u themelua orkestra frymore e shkollës, veprimtaria e të cilës vazhdon. Ndërkohë, që prej 50 vitesh vazhdon veprimtarinë e saj edhe banda e qytetit.[58]

Një sërë kompozitorësh lindën dhe zhvilluan po ashtu veprimtarinë e tyre, si Lec Kurti, Prenk Jakova, Çesk Zadeja dhe Kujtim Alija.[57]

Në bazë të historiografisë tregtare, qysh në çerek të shek. XVIII përmendet të qenët e një institucioni tregtar "Komiteti tregtar i pjacës së Shkodrës", që më pas mori emrin "Çeta tregtare" - "Cetto mercantile", që nga fundi i shek. XIX u quajt në turqisht "Tixharet odasi", e në kohën e shtetit shqiptar "Oda e tregtisë".[59]

Me rënien e Bushatllinjve, edhe çeta tregtare nuk funksionoi më si ent i rregullt për kontrata rregullimi konfliktesh tregtare ndërmjet vendasve dhe të huajve.[59] Megjithatë shkëmbimi i mallrave përmes detit arriti pikën kulmore më 1869. Marrëdhëniet me Venedikun qenë zbehur deri në përgjysmimin e agjencive tregtare dhe gravitetin e Adriatikut e morën portet e tjera të Italisë dhe të Perandorisë Austro-Hungareze. Gjysma e dytë e shek. XIX shënjoi teposhtën e pakthyeshme të rëndësisë tregtare të Shkodrës me ndërtimin e hekurudhës Mitrovicë-Selanik më 1873 dhe aneksimit të Ulqinit e Tivarit pas ngjarjeve të Lidhjes.[60]

Monumenti i Luigj Gurakuqit në ish-lulishten 1 Maji
Prefektura e Shkodrës
Bashkia e Shkodrës
Monumenti i dëshmorëve të 2 prillit

Kryetar i Bashkisë së Shkodrës është Benet Beci i Partisë Demokratike. Shkodra është qendra e qarkut me të njëjtin emër. Institucionet vendore: Bashkia e qytetit, Prefektura dhe Këshilli i Rrethit, Gjykata.

Vlen për t'u përmendur se në këtë qytet u bë protesta e parë anti-staliniste nga studentët dhe në vitin 1990 ka hedhur hapin e parë në ndërrimin e sistemit. Kujtojmë këtu demonstratën e parë: "Demonstrata e Heshtur", në nëntor të 1990. Më pas 13 dhjetori kur u rrëzua busti i Enver Hoxhës, 2 prilli 1991 ku u vranë ato që më vonë u quajtën "Dëshmorët e Demokracisë", si dhe lindja e sindikatave të pavarura.

Shkodra është i vetmi qytet që në zgjedhjet vendore të 1996 nxori nga gjiri i qytetarisë një kandidaturë më të djathtë, atë të Bahri Boriçit, që u zgjodh Kryetar Bashkie.

Shkodra ndodhet rreth 90 km larg Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë. Ajo ka dy akse që e lidhin me Malin e Zi. Njëri është Shkodër-Han'i Hotit dhe tjetri është Shkodër-Muriqan. Rrjeti hekurudhor nga Han'i Hotit për në Tiranë ndalon dhe në Shkodër. Transporti publik brenda qytetit mbulon linjën Bahçallëk-Fermentim. Transporti i udhëtarëve ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe shumicës së komunave mbulohet nga mjetet e transportit te udhëtarëve të tipit furgon.

Siç është shpjeguar më lart, pozita gjeografike e Shkodrës mundëson vizitën e disa lloje peizazhesh në një krahinë jo të madhe. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, e larg Bogës 48 km. Larg Velipojës 32 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 8–9 km.

Xhamia Ebu Beker
Kisha Franceskane
Buna e Rozafa

Shiko edhe këtë

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
 Commons: Shkodra – Album me fotografi dhe/apo video dhe material multimediale
  1. ^ "Pasaporta e Bashkisë Shkodër". Porta Vendore. Arkivuar nga origjinali më 24 shtator 2021. Marrë më 24 shtator 2021.
  2. ^ "Bashkia Shkoder". Albanian Association of Municipalities (AAM). Arkivuar nga origjinali më 12 tetor 2020. Marrë më 12 tetor 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ "Profili i Bashkisë Shkodër" (PDF). Bashkia Shkodër. fq. 6. Arkivuar (PDF) nga origjinali më 24 shtator 2021. Marrë më 24 shtator 2021.
  4. ^ "A new Urban–Rural Classification of Albanian Population" (PDF). Instituti i Statistikës (INSTAT). maj 2014. fq. 15. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 14 nëntor 2019. Marrë më 28 shtator 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ "Law nr. 115/2014" (PDF). Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë. fq. 98. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 24 shtator 2015. Marrë më 28 shtator 2020.
  6. ^ a b Nurja, Ines. "Censusi i popullsisë dhe banesave/ Population and Housing Census–Shkodër (2011)" (PDF). Tirana: Institute of Statistics (INSTAT). fq. 85. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 26 gusht 2020. Marrë më 11 tetor 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ "Ligji nr. 115/2014" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 24 shtator 2015. Marrë më 18 prill 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ a b c d e Thalloczy, Lajos (2004) [1917]. Vëzhgime iliro-shqiptare. Përkthyer nga Mustafa Kruja. Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 114. ISBN 99927-56-34-9.
  9. ^ Encyclopædia Britannica, Botimi i XItë (1911), artikulli "Scutari".
  10. ^ Çabej E. (1974), "Die Frage nach dem Entstehungsgebiet der albanischen Sprache". Zeitschrift für Balkanologie 1012: 7–32.; cituar sipas Matzinger 2009.
  11. ^ Demiraj Sh. (1999). Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe. Tirana. pp. 143–144.; cituar sipas Matzinger 2009.
  12. ^ Valentini Z., Përfundime historike të nji dokumenti, Shkodër: revista "Leka", vj. VI, nr. VIII, fq. 260.
  13. ^ a b İnalcık, Halil (1995). From empire to republic: essays on Ottoman and Turkish social history. Isis Press. fq. 75. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  14. ^ Gelchich, Giuseppe (2009) [1899]. Zeta dhe Dinastia e Balshajve. Përkthyer nga Laura Leka. Tiranë: 55. fq. 202–207. ISBN 9789994356539. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  15. ^ Anamali S., Prifti K., Historia e popullit shqiptar në katër vëllime. Botimet Toena, 2002, ISBN 99927-1-622-3 ff. 231-232
  16. ^ Nadin L., Statuti di Scutari: della prima meta del secolo XIV con le addizioni fino al 1469 / Statutet e Shkodrës: në gjysmën e parë të shekullit XIV me shtesat deri më 1469. Tirana: Onufri, 2012.
  17. ^ Schmitt, Oliver J. (2001). Das venezianische Albanien (1392–1479). München: R. Oldenbourg Verlag GmbH. fq. 490. ISBN 3-486-56569-9. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  18. ^ Toksöz, Meltem (2014). Kolluoglu, Biray (red.). Cities of the Mediterranean: From the Ottomans to the Present Day. I.B.Tauris. fq. 120–121. ISBN 978-1-84885-127-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  19. ^ a b Gurakuqi R., Vendosja e kontrollit ndërkombëtar në Shkodër, maj 1913-dhjetor 1913. (sipas dokumenteve të Public Record Office), Shkodër: Phoenix, nr. 16, artikulli 3.
  20. ^ Vllamasi S., Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942): kujtime dhe vlerësime historike, Tiranë: Neraida, 2000. ISBN 99927-713-1-3
  21. ^ Vlora E., Kujtime 1885-1925, Tiranë: IDK, 2003. fq. 456. ISBN 99927-780-6-7
  22. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. I. Shkodër: Idromeno. fq. 469–477. OCLC 41096394. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  23. ^ Doracak Gjeografik, Shqipëria, sektori i inteligjencës detare gusht 1945, Alsar 2020 Tiranë
  24. ^ Kasmi M., Masakra e 4 shkurtit ’44 në dokumentet gjermane, Dita, 4 shkurt 2016.
  25. ^ Kasmi M., Historiani Marenglen Kasmi: Çfarë zbulova në arkivat e “Bundesarchiv” në Berlin, intervistuar nga Roland Qafoku, Gazeta Shqiptare, 12 maj 2015.
  26. ^ Dervishi K., 1944, partizanët hynë në Shkodër për të plaçkitur, politiko.al, 30 nëntor 2017.
  27. ^ Luka A., Babai im, Gjovalini, komandanti që hyri i pari në Shkodrën e çliruar me 29 nëntor, intervistuar nga Musa Kurtulaj, tesheshi.com, 29 nëntor 2015.
  28. ^ Rama H. & Cami S., Rrahman Perllaku, Tiranë: Botime M&B, 2014. fq. 257. ISBN 978-9928-172-24-2
  29. ^ Marko P., Intervistë me vetveten, Tiranë: OMSCA, 2000, fq. 442-443. ISBN 99927-40-33-7
  30. ^ Vatajt nga Temali
  31. ^ "Kujton Ahmet Bushati". Arkivuar nga origjinali më 19 dhjetor 2011. Marrë më 9 janar 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  32. ^ Wikipedia gjermanisht
  33. ^ "Të Dhëna të Përgjithshme Historike dhe Arkeologjike mbi Krahinën Ilire të Labiatisë". Arkivuar nga origjinali më 26 dhjetor 2007. Marrë më 22 qershor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  34. ^ "Shkodra shkurt". Arkivuar nga origjinali më 5 shkurt 2011. Marrë më 22 qershor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  35. ^ a b Zamputti I., Dokumente të shekujve XVI-XVII per historinë e Shqipërisë. Vëllimi III (1603=1621), Tirana 1989, ff. 376-389.
  36. ^ Bushati 1998, p. 606.
  37. ^ Della Rocca, Roberto Morozzo (1994). Kombësia dhe feja në Shqipëri. Përkthyer nga Luan Omari. Tiranë: Elena Gjika. fq. 36. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  38. ^ Bushati 1998, pp. 607-609.
  39. ^ Hosaflook, David (2012). "Reader's orientation". The Siege of Shkodra: Albania's Courageous Stand Against Ottoman Conquest, 1478 (në anglisht). Onufri. fq. xxix. ISBN 9789995687779.
  40. ^ Shllaku L., Shkollat klerikale, Shkodër: Camaj-Pipa, 2002, f. 62.
  41. ^ Kopani, Gezim (2019-03-05). "Gëzim Kopani: Pazari i madh i Shkodres, 5 Xhamit dhe Mejtepet". Gëzim Kopani. Marrë më 2024-07-25. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  42. ^ Historiku i arsimit të rrethit Shkodër (periudha para çlirimit), përgatitur nga bërthama shkencore e historisë, pranë kabinetit pedagogjik, seksioni i arsimit dhe i kulturës. Shkodër, 1980, f. 27.
  43. ^ Bushati, Hamdi (1999). Shkodra dhe motet. Vëll. II. Shkodër: Idromeno. fq. 49–50. ISBN 9789992762349. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  44. ^ Jacques E., The Albanians, McFarland, 2009. ISBN 9780786442386
  45. ^ Barleti, Marin. (2012). The siege of Shkodra: Albania's courageous stand against Ottoman conquest, 1478, p. 58.
  46. ^ Bushati 1998, pp. 51-52.
  47. ^ "Plani Urbanistik". Arkivuar nga origjinali më 13 maj 2011. Marrë më 6 nëntor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  48. ^ a b c d Shetuni, Spiro J. (2014). Albanian Traditional Music: An Introduction, with Sheet Music and Lyrics for 48 Songs (në anglisht). McFarland. fq. 51–52. ISBN 9780786486304.
  49. ^ Pipa, Arshi (2013) [1978]. Trilogia Albanica I: Albanian folk verse: Structure and genre [Trilogjia Albanika I: Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitënb]. Tiranë: Princi. fq. 33–35. ISBN 9789928409065.
  50. ^ Dizdari, Tahir (2005). "Bejte-ja" në Fjalorin e Orientalizmave në Gjuhën Shqipe. Tiranë: Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam. fq. 89.
  51. ^ Koço, Eno (2018). Traditional Songs and Music of the Korçë Region of Albania (në anglisht). Cambridge Scholars Publishing. fq. 10–11. ISBN 9781527510401.
  52. ^ Fetiu, Sabri (2010). "Vendi i letërsisë popullore në historinë e letërsisë shqipe" (PDF). Historia e Letërsisë Shqipe: Materialet e Konferencës Shkencore 30-31 tetor 2009: 50.
  53. ^ a b Koço, Eno (2005). "A family of song: Reflections of Albanian urban lyric song in the Mediterrean". The Mediterranean in Music: Critical Perspectives, Common Concerns, Cultural Differences (në anglisht). Scarecrow Press. 3: 34–35.
  54. ^ Guignard, Michel (2008). "Les musiques dans le monde de l'islam". Cahiers d'ethnomusicologie (në frëngjisht). 21: 269–286.
  55. ^ Bushati, Kabil (7 shkurt 2015). "Ashikë të famshëm të ahengut të vjetër shkodran". Standard. 3226: 18–19. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  56. ^ Mato, Jakup (2004). Rrjedhave të artit paraprofesionist: shoqerite artistike te periudhes se pavaresise. Akademia e Shkencave. fq. 80. ISBN 9789994361427. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  57. ^ a b Bekteshi, Besi (21 korrik 2011). "Bandat muzikore Shkoder". besibekteshi-info.blogspot.com. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  58. ^ a b Malaj, Myfit (2014). "Banda e parë muzikore në Shqipëri". shkoder.net. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  59. ^ a b Bushati 1998, pp. 294-301.
  60. ^ Tafilica, Zamir (dhjetor 2011). "Veprimtaria tregtare e Shkodrës (Mesi i shek. 18 - fundi i shek. 19)". Art & Trashëgimi. 3: 68–71. {{cite journal}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)


Gabim referencash: Etiketat <ref> ekzistojnë për një grup të quajtur "lower-alpha", por nuk u gjet etiketa korresponduese <references group="lower-alpha"/>