Jump to content

Diokleciani

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Diocletian)
Diokleciani
Statue of a male head wearing a diadem
Laureate head of Diocletian
U lind në
Diocles

22 December 242–245[1]
Salona, Dalmatia, Roman Empire
Vdiq3 December 311/312
(aged Stampa:C.)
Aspalathos, Dalmatia, Roman Empire
Vendi i varritDiocletian's Palace
ParardhësiCarinus[2]
Pasardhësi
Bashkëshorti/jaPrisca

Gaius Aurelius Valerius Diocletianus (Split, rreth 243 - rreth 313), lindur nën emrin Diokle, ishte një perandor romak nga 20 nëntor 284 deri me 1 maj 305.

Diokleciani lindi në Iliri, bir i një shkruesi të senatorit Anulino, ai u ngrit shpejt në gradat e ushtrisë romake. Prijësi i ushtrisë romake, u zgjodh me 20 nëntor 284 si zëvendësues i Numerianit të vrarë nga Piraro, dhe pas vrasjes së Karinos, në korrik 285, ai u bë perandori i vetëm, duke ndryshuar emrin në Dioklecian.

Veprimtaria ushtarake

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Diokleciani ne vitin 287 hyri ne ushtri.

Politika e Dioklecianit

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Diokleciani erdhi në pushtet, kur perandoria ishte zhytur në anarki të plotë. Gjatë gjysmëshekullit paraardhës, 26 gjeneralë ishin shpallur perandorë, pastaj ishin vrarë. Me prejardhje shumë modeste (ai ishte bir skllevërish), Diokleciani rivendosi rregullin në perandori dhe mbretëroi pa rival, për 20 vjet.

"Perandoria e re" e Dioklecianit ishte një monarki absolute. Dominati zëvendësoi Principatën e Augustit. Pushteti suprem u nda ndërmjet 4 "tetrarkëve" dhe roli i Romës u reduktua vetëm si kryeqytet administrativ, ndërsa vendimet politike merreshin nga provincat. Regjimi e vuri theksin tek efektshmëria e administratës dhe te mbrojtja kundër barbarëve.

Nisur nga asgjë, arritjet e Dioklecianit i detyrohen talentit dhe vullnetit të tij. I dalë nga radhët e ushtrisë, ai u bë guvernator i Mesisë, pastaj konsull dhe komandant i gardës së pallatit. Ai u dallua gjatë luftës së Persisë. Pas vdekjes së Numerienit, ai u shpall nga rivalët e tij si njeriu më i denjë për fronin perandorak. Meqenëse mbretërimi i tij kishte filluar me vrasjen e paraardhësit të tij, Diokleciani u tregua shumë i kujdesshëm dhe vendosi të ndante komandat e rëndësishme me rivalët, që, ndoshta, kërkonin ta mënjanonin. Në fillim, Diokleciani zgjodhi si ndihmës një gjeneral ilir, Maksimianin, i përshkruar nga Aurel Viktori si "një mik besnik, disi i pagdhendur, por i pajisur me aftësi të madhe ushtarake dhe me një shkathtësi të natyrshme". Detyra e tij qëndronte në administrimin e çështjeve shtetërore në pjesën perëndimore të perandorisë, në territorin gal, ku kishin shpërthyer revoltat, si dhe në sigurimin e një mbrojtjeje më të mirë të Romës kundër sulmeve të gjermanëve. Maksimiani u bë bashkëperandor, mori titujt Cezar, August, Herkul, dhe e vendosi "oborrin" e tij perandorak në Milano. Kjo ndarje e pushtetit funksionoi aq mirë, sa në vitin 293 Diokleciani e shndërroi diarkinë në tetrarki. Ai emëroi dy gjeneralë të rinj, që u bënë Cezarët e dy Augustëve. Konstanc Klori u bë ndihmës i Maksimianit, ndërsa Galeri, i Dioklecianit. Për të lehtësuar mbrojtjen ushtarake, perandoria u nda në katër rajone, secili i pajisur me kryeqytetin e tij administrativ.

Shuma të konsiderueshme iu kushtuan një programi të gjerë ndërtimesh, por mbretërimi i Dioklecianit është shquar për reforma të qenësishme në administratën ushtarake dhe civile, me një ndarje gjithmonë e më të qartë të këtyre dy degëve të pushtetit politik. Provincat u zvogëluan shumë, gjë që lehtësoi administrimin dhe unitetin e tyre. Guvernatorët u çliruan nga komanda ushtarake. U krijua një njësi e re, dioqeza, që përbëhej nga shumë provinca. Çdo dioqezë drejtohej nga një vikar, i deleguari i prefektit të Gjykatës, i cili ndihmohej nga një ekip funksionarësh civile. Një sistem i ri i vlerësimit të taksave, i shoqëruar me një regjistrim të përgjithshëm, lehtësoi përllogaritjen e të ardhurave të parashikuara për çdo pjesë të perandorisë. Për herë të parë u bë i mundur parashikimi i shpenzimeve në funksion të parashikimit të ardhurave të sigurta.

Politika ushtarake mbeti në radhën e parë të shqetësimeve. Bretanja e Madhe u ripushtua, ndërsa territoret e Mesopotamisë dhe të Armenisë e zmadhuan perandorinë. U ndërtua një sistem fortifikimesh të përhershme përgjatë kufijve të perandorisë. Studimi i listave ushtarake tregon për mobilizimin e shumë njësive të reja. Pajisja me uniforma dhe armë sigurohej nga fabrikat e armëve dhe fabrikat e leshit dhe të lirit. Si pasojë, krahu i punës sa vinte dhe bëhej më i pakët. Rekrutimi i vullnetarëve nuk ishte i efektshëm. Në ushtri dhe në industritë e lidhura me të, fëmijët ishin të detyruar të ndiqnin karrierën e prindërve të tyre.

Përpjekjet për të reformuar ekonominë nuk patën efekt jetëgjatë. Ligji i famshëm i Maksimumit, i vitit 301, që fiksonte çmime maksimale për mallrat dhe pagat, solli zhdukjen e produkteve nga tregu dhe monedha e re nuk arriti të stabilizonte ekonominë. Por, megjithatë, mbretërimi i Dioklecianit shënoi një periudhë qetësie dhe paqeje për perandorinë. Në vitin 305, pasi vuri në vijë çështjen e pasardhësit të tij, Diokleciani abdikoi dhe u tërhoq në pallatin e tij luksoz në Split, në bregun dalmat, ku vdiq nga pleqëria 9 vjet më vonë. Historia nuk e ka vlerësuar sa duhet rëndësinë e veprës së Dioklecianit. Fakti që ai i persekutoi të krishterët e errëson kujtimin e tij, por është e vërtetë se gjykimet historike bazohen më shumë në paragjykime, sesa në fakte. Për Laktancin, shkrimtar i krishterë, Diokleciani qe një zog i së keqes, i cili, me koprracinë dhe poshtërsinë e tij, e zhyti të gjithë botën në errësirë. Autorët paganë, si Aureli, duket se qëndrojnë më afërt vërtetës, kur i gjykojnë veprimin e tij si të efektshëm dhe ligjet e tij gjithmonë të drejta.

Përpjekja e madhe e Dioklecianit që perënditë tradicionale romake të rijetonin dhe kulti i tij perandorak përbënin një kërcënim për të krishterët, të cilët kishin jetuar në paqe që prej ligjit të Tolerancës, të vitit 260. Në mëngjesin e 23 shkurtit të vitit 303, trupat perandorake i vunë zjarrin një kishe të Nikomedisë, e cila shihej nga pallati i Dioklecianit. Ligji i parë, i dalë të njëjtën ditë, urdhëronte që të mbylleshin të gjitha kishat dhe të digjeshin tekstet e shenjta. Ai u ndoq nga një ligj i dytë që i urdhëronte të gjithë besimtarët e fesë së krishterë të adhuronin perënditë pagane dhe, nëse nuk e bënin një gjë të tillë, ata do të dënoheshin me vdekje. Peshkopi Donat qe një nga viktimat e shumta të persekutimit. Pasi refuzoi të hiqte dorë nga besimi i tij, atë e futën në burg, për 6 vjet, dhe ndaj tij u ushtrua 9 herë tortura e këmbalecit. Me gjithë vuajtjen e madhe, ai arriti të mbijetonte dhe krijoi një lëvizje skizmatike për të protestuar kundër kthimit tek Kisha të të gjithë atyre që kishin hequr dorë nga besimi i krishterë gjatë persekutimeve.

JETËSHKRIMET – KURESHTI NGA JETA E DIOLECIANIT

  • Me vendim të gjeneralëve dhe të tribunëve, Valer Diokleciani, komandant i gardës së pallatit, zgjidhet perandor, për shkak të urtësisë të tij. Ai ishte një burrë i fuqishëm dhe thuhet se ishte i pari që u vesh me pallto të qëndisur me ar dhe që lakmoi këpucët me mëndafsh dhe copë të kuqe, të zbukuruara me gurë të çmuar.
  • Gjithashtu, ai ka qenë i pari, pas Kaligulës dhe Domicianit, që kërkoi të thirrej "zot" ose "perëndi" në publik. Por cilat do qofshin të metat e Dioklecianit, ato kompensoheshin nga cilësitë dhe zemërgjerësia e tij. Sepse, ndonëse mori titullin "zot", gjithmonë ai sillej me romakët si një baba.
  • Ndonëse asnjëherë nuk u adhurua si perëndi, Diokleciani konsiderohej bashkë me Maksimianin si "bij të perëndisë dhe krijues perëndish". Në vitin 287, ai e quajti veten Jovi, përfaqësuesi i Jupiterit mbi tokë.
  • Diokleciani, i vendosur në Nikomedi, vazhdoi të qeveriste pjesën Lindore të Perandorisë sipas mënyrës së monarkëve lindorë, i veshur me rroba të pispillosura dhe duke kërkuar që njerëzit të përkuleshin në praninë e tij.
  • Loka, Nikollë (2003). Genivs Illvrici: Dyzet e dy perandorë ilirë të Romës. Tiranë: Mirdita.
  1. ^ Barnes 1982, ff. 30, 46; CAH, f. 68.
  2. ^ Contested until July 285.(Barnes.1982,4