Jump to content

Autariatët

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
(Përcjellë nga Autariatet)
Kanioni i lumit Tara në Mal të Zi. Emri Tara mendohet të ketë lidhje me Autariatët, territori i të cilëve përfshinte luginën e lumit Tara në antikitetin klasik. [1]

Autariatët (ndryshe Autariates; greqishtja e lashtë: Αὐταριᾶται - Autariatai; Latin: Autariatae) ishin një fis ilir që jetonte midis luginave të lumit të Limit dhe Tarës, përtej Alpeve Shqiptare (Bjeshkëve të Nemuna) dhe luginës së Moravës Perëndimore. Territori i tyre ndodhej në brendësi të Ballkanit duke filluar nga Ardianët dhe Liqeni i Shkodrës, duke u shtrirë në lindje deri në Dardani dhe në veri ose në verilindje deri në afërsi të Triballëve . [2]

Së bashku me Ardianët dhe Dardanët, Autariatët përmenden nga Straboni në veprën me titull Geographica si një nga tre fiset ilire më të fuqishme në Ballkanin e periudhës pararomake. [3] [4] Pas disfatës gjatë pushtimeve kelte të Ballkanit në shekullin IV, një pjesë e Autariatëve që mbetën në Bosnje adoptuan kulturën kelte. [5] Një pjesë tjetër u zhvendos drejt jugut dhe pas një marrëveshjeje me Mbretërinë e Maqedonisë, rreth 20,000 prej tyre u vendosën në vargun malor Belashica (Parorbelian), në kufijtë midis Maqedonisë së Veriut, Greqisë veriore dhe Bullgarisë jugperëndimore. [6]

Një fis ilir i quajtur Αὐταριᾶται, Autariatai përmendet për herë të parë në veprën me titull Periplusi i Pseudo-Skylaksit që daton nga mesi i shekullit IV para Krishtit. [7] Sipas një tradite mitologjike të raportuar nga Appiani (shek. II pas Krishtit), Autariatët rrjedhin nga një paraardhës i zakonshëm i quajtur Autariati, një nga djemtë e Ilirit, paraardhësi i njëjtë i të gjithë popujve ilirë . [8] [9] Emri Autariatae është lidhur me hidronimin dhe oronimin Tara. Lumi Tara dhe Mali Tara konsiderohet se janë territori i fisit ilir të Autariatëve. [10] [11]

Komunitetet autariate u bashkuan në një entitet të vetëm politik që mund të quhet me emrin kolektiv Autariate në periudhën e shekujve VI – IV p.e.s. [12] Ata filluan të zgjerohen drejt lindjes në territoret e kontrolluara nga Triballët . Për më tepër, ata u zgjeruan drejt jugut ku mundën Ardianët, rivalët e tyre të vjetër, [8] në betejat për kontroll mbi kullotat dhe burimet e kripura. [8] Aktivitetet e Autariatëve në kapërcyellin e shekujve VI dhe V para Krishtit ndikuan thellësisht te popujt që u prekën drejtpërdrejt nga zgjerimi i tyre. Ardianët u zhvendosën ngadalë drejt brigjeve të Adriatikut dhe Liqenit të Shkodrës ndërsa Triballët u zhvendosën më në lindje. Zgjerimi i Autariatëve u mundësoi atyre të arrinin kontrollin hegjemonik mbi një pjesë të brendshme të Gadishullit Ballkanik. Klasa udhëheqëse e shoqërisë Autariate arriti kulmin e zhvillimit të saj politik dhe ekonomik, i treguar përmes shumë tumave dhe varreve të mëdha mbretërore luksoze të krijuara gjatë shekullit V para Krishtit. Komenti i Strabonit për Autariatët si "populli ilir dikur më i madhi dhe më i fuqishmi" ka shumë të ngjarë t'i referohet kësaj periudhe. Kulmi i zhvillimit të tyre u pasua nga rënia graduale e Autariatëve që përfundon në vitin 310 pes me zhdukjen e tyre të papritur [8] për shkak të migrimeve masive kelte dhe ndikimit të tyre. [8]

Appiani (95 – 165) shkruan se Ardianët u shkatërruan nga Autariatët dhe se për ndryshim nga Autariatët. Ardianët kishin fuqi detare. [13] Ai gjithashtu raporton se Autariatët u dënuan nga Apolloni për bastisjen e Orakullit Pythian së bashku me Cimbrët Keltë, pas të cilit moment ata migruan në tokat e Getave pranë fisit të Bastarnëve. [14] Ky mund të jetë një shpjegim pse Autariatët "zhduken" pas vitit 310 pes, sipas Wilkes. Gjeografi i lashtë, Straboni, i rendit Autariatae si një nga tre fiset më të fuqishme ilire - dy të tjerët, sipas tij janë janë Ardianët dhe Dardanët.

Autariatët dhe Scordikët mendohet se janë shkrirë në një fis të vetëm në luginën e Moravës së Poshtme, pas vitit 313 p.e.s., pasi gërmimet tregojnë se të dy grupet kanë bërë varrime në të njëjtën fushë varri në Pecine, afër Kostolacit. [15] Nëntë varre të Autariatëve që datojnë në shekullin IV para Krishtit dhe varre të shpërndara Autariate dhe kelte përreth këtyre varreve të mëparshme tregojnë se të dy grupet u përzien në vend që të bënin luftë mes vete [16] dhe kjo rezultoi që lugina e poshtme e Moravës të shndërrohej në një zonë ndërveprimi kelto - trako -ilir. [17]

Një praktikë standarde e Autariatëve përfshinte vrasjen e të dobëtve dhe të plagosurve të tyre. Kjo kishte për qëllim që të parandalonte individët zemërbutë të binin në duart e armiqve të tyre. [18] Kjo praktikë ndoshta ishte e motivuar nga besimi supersticioz se armiku, duke pirë gjakun e të burgosurve dhe duke ngrënë pjesë të trupit të tyre që përmbanin virtytet e tyre, do të bëhej edhe më i fortë dhe do të fitonte një fuqi të veçantë mbi të gjithë komunitetin e Autariatëve. [4]

Autariatae kanë lënë një trashëgimi të pasur materiale. Deri më tani, më shumë se 100  rrënoja të kështjellave u identifikuan se ishin të banuara nga Autariatët, si dhe mijëra të tumave në të cilat ishin varrosur. Materialet e luajtshme (kryesisht bizhuteri dhe armë) zbulojnë të gjitha tiparet specifike që lidhen me origjinalitetin etno-kulturor të Autariatëve. Ata gjithashtu krijuan një traditë të vazhdueshme të prodhimit të produkteve metalike dhe qeramike. Artefakte të përbëra nga fletë metalike me rripa luksoz të artë dhe argjendi të llojit të Mramoracit tregon kompleksitetin e kësaj tradite kulturore. 

Autariatët janë një shembull klasik i një populli "malësor" që shfaq gjithashtu të gjitha karakteristikat e një mentaliteti "malor" (dmth. ruajtja e besimeve të vjetra).  Për shembull, Autariatët kanë ruajtur fuqimisht zakonet e tyre të varrimit të djegies së të vdekurve në tuma, të cilat nuk ndryshuan deri në fund të Kulturës Mati - Drilon - Gllasinac.  Mbetjet arkeologjike tregojnë se jeta fetare e Autariatëve ishte nën ndikimin e kultit të paraardhësve të tyre e gjithashtu edhe nga kulti i perëndisë së tyre diellore. Sot mund të gjenden dëshmi të shumta të kultit diellor në të gjithë territoret e kontrolluara dikur nga Autariatët.  Ekonomia e Autariatëve bazohej në mbarështimin e bagëtive, punimin e metaleve, zejtarinë dhe tregtinë. Për shkak të nevojës për mallra greke dhe italike, ky fis ilir ishte një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Ballkanit Perëndimor dhe Qendror për tregtarët grekë dhe italikë midis shekujve VII dhe VI para Krishtit. 

  1. ^ Papazoglu 1978, pp. 106, 127
  2. ^ Wilkes 1992
  3. ^ Hammond 1966.
  4. ^ a b Papazoglu 1978.
  5. ^ Dalmatia Tome 2 of History of the provinces of the Roman Empire by J. J. Wilkes, 1969, page 400
  6. ^ Yardley, Wheatley & Heckel 2011.
  7. ^ Šašel Kos 2013, p. 247
  8. ^ a b c d e Wilkes 1992.
  9. ^ Mesihović & Šačić 2015.
  10. ^ Papazoglu 1978
  11. ^ Mesihović 2014, p. 28
  12. ^ Mesihović 2014
  13. ^ App. Ill. 1,"In like manner the Ardiæi, who were distinguished for their maritime power, were finally destroyed by the Autarienses, whose land forces were stronger, but whom they had often defeated."
  14. ^ App. Ill. 1.4,"The Autarienses were overtaken with destruction by the vengeance of Apollo. Having joined Molostimus and the Celtic people called Cimbri in an expedition against the temple of Delphi, the greater part of them were destroyed by storm, hurricane, and lightning just before the sacrilege was committed; … At last they fled from their homes, and as the plague still clung to them (and for fear of it nobody would receive them), they came, after a journey of twenty-three days, to a marshy and uninhabited district of the Getæ, where they settled near the Bastarnæ."
  15. ^ Jovanović 1984, 1985, 1991; Theodossiev 2000: 120-121, cat. no. 113 with full bibliography
  16. ^ Jovanović 1985, 1992
  17. ^ "CAORC | Programs" (PDF) (në anglisht).
  18. ^ Wilkes 1992, p. 243