Jump to content

Teuta e Ilirisë

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Teuta e Ilirisë
Teuta e Ilirisë
Teuta e Ilirisë
Mbretëresha Teuta

Teuta e Ilirisë e njohur edhe si Mbretëresha Teuta ishte gruaja e dytë e Agronit, përndryshe njerka e Pinit, birit të rritur të Agronit (që e kishte me gruan e parë) dhe tutore (mesuese, kujdestare) e tij. Teuta u vu në krye të shtetit ilir dhe të ushtrisë së tij, duke mbretëruar e komanduar në vitet 230-227 p.e.s. Teuta ishte një personalitet i rëndësishëm i historisë ilire. Sundoi vetëm për 3 vjet, por vepra dhe lavdia e kësaj gruaje ka triumfuar në shekuj. [1] [2] [3]

Mbretëresha Teuta ndoqi politikën e Agronit duke zhvilluar një veprimtari energjike. Përballoi me sukses rivalitetet e brendshme gjë që e beri më të dashur për masat e gjëra popullore, ruajti aleancën me Maqedoninë dhe rriti fuqinë politike të Mbretërisë së Ilirisë. Në vitin 230 pes. ndërmorri sulmin kundër Lidhjes Epirote, pushtoi kryeqytetin e saj Foinikën, dhe e detyroi të lidhej me Mbretërinë Ilire. Forcimi i pozitës së Mbretërisë Ilire në Gadishullin Ballkanik binte ndesh me politikën ekspansioniste të fuqisë së Romës, e cila në këtë kohë ishte drejtuar kah lindja. Teuta përballoi me dinjitet diktatin dhe veprimet provokuese të senatit romak, pa mundur të mënjanojë konfliktin e armatosur, që shpërtheu me ndërhyrjen e parë romake në Iliri në vitin 229 pes. Edhe pse Teuta ndërmori masa të rëndësishme për ti dalë rrezikut përpara, duke angazhuar forcat e saj kryesore në mbrojtjen e vijës bregdetare, nuk pati sukses. Plani i saj për të pushtuar Isën, Dyrrahun, Apolloninë dhe Korkyrën dështoi. Pas tradhtisë së Demetër Farit, që u dorëzoi romakëve Korkyrën e pushtuar, Teuta u detyrua të heqë bllokadën detare edhe nga qytetet tjera. Qëndresa e mëtejme që bënë ilirët në tokat e ardianëve nuk e ndryshoi fatin e luftës. Pas kësaj Teuta me forca të paketa u mbyll në qytetin e fortifikuar të Rizonit (Risani i sotëm) në Gjirin e Kotorrit. Në pranverën e vitit 228 pes. dërgoi në Romë përfaqësuesit e vet dhe përfundoi me senatin një paqe me kushte të rënda për ilirët. Pas kësaj ngjarjeje Teuta nuk përmendet më. Në krye të Mbretërisë Ilire u vu si regjent Demetër Fari. [4]

Pas vdekjes së burrit të saj Mbreti Agron (250–231 pes),[5] i dinastisë ardiane, ajo trashëgoi mbretërinë e tij duke vepruar si regjente për thjeshtrin e saj të ri Pinej.[6] Shtrirja e saktë e Mbretërisë Ilire në kohën e Agronit dhe Teutës mbetet e paqartë. Nga sa dimë, ajo shtrihej në bregdetin e Adriatikut nga Shqipëria e mesme deri në lumin Neretva,[7] dhe përveq kësaj ilirët duhet të kenë kontrolluar pjesën më të madhe të brendësisë ilire.[8] Sipas Polibit, Teuta shpejt iu drejtua shteteve fqinje me keqdashje, duke urdhëruar komandantët e saj që t'i trajtonin të gjithë si armiq dhe duke mbështetur sulmet pirateske të nënshtetasve të saj, të cilat përfundimisht bën që forcat romake të kalonin Adriatikun për herë të parë, pasi ato aktivitete ndërhynin gjithnjë e më shumë në rrugën e tyre tregtare në Adriatik dhe në Detin Jon.[9]

Mbreteria e Teutes (229 - 228 p.e.s)

Në vitin 231 pes. ushtritë e Teutës sulmuan rajonet e Elisit dhe Mesenisë në Peloponez. Rrugës për në shtëpi, ata pushtuan qytetin e Foinikesë, në atë kohë vendi më i begatë i Epirit dhe një qendër për tregtinë në rritje me Gadishullin Italian. Qyteti u çlirua shpejt dhe u nënshkrua një armëpushim kundrejt pagesës së tarifës dhe lirimit të të burgosurve. [10] Marrja e një qendre urbane, në krahasim me plaçkitjet në fshat, përfaqësonte një përshkallëzim të kërcënimit të paraqitur nga ilirët për grekët dhe romakët. Gjatë pushtimit të Foinikesë, disa piratë ilirë plaçkitën anijet tregtare italiane në një numër kaq të madh, sa senati romak, pasi shpërfilli ankesat e mëparshme, u detyrua të dërgonte dy ambasadorë në qytetin e Scodras për të kërkuar dëmshpërblime dhe për t'i dhënë fund të gjitha ekspeditat të piratëve. Tregimi i gjallë i ngjarjes, i dhënë nga historiani grek Polibi dhe haptazi armiqësor ndaj Teutës, ndoshta ishte i ndikuar nga një traditë më e hershme romake që fillimisht synonte të justifikonte pushtimin e Ilirisë.[11][12]

Pas mbërritjes së tyre, ambasadorët romakë Lucius dhe Gaius Coruncanius gjetën mbretëreshën Teuta duke festuar fundin e një rebelimi të brendshëm ilir, ndërsa ushtritë e saj ishin gati të rrethonin qytetin ishull të Isës. Ajo premtoi se asnjë forcë mbretërore nuk do t'i lëndonte, por pirateria ishte një zakon tradicional ilir të cilit ajo nuk ishte në gjendje t'i jepte fund. Teuta la të kuptohej gjithashtu se “ishte në kundërshtim me zakonin e mbretërve ilirë që të pengonin nënshtetasit e tyre të merrnin plaçkë nga deti”.[13] Një nga të dërguarit thuhet se e humbi durimin dhe u përgjigj se Roma do ta bënte detyrën e saj "përmirësimin e marrëdhënieve midis sovranit dhe nënshtetasve në Iliri", pasi "[ata kishin] një zakon të admirueshëm, që është të ndëshkojnë publikisht ata që bëjnë gabimet private dhe publikisht të vijnë në ndihmë të të padrejtëve.”[14]

Sido që të jetë, njëri nga dy ambasadorët e pranishëm iu shpreh mbretëreshës me aq mungesë respekti, saqë shoqëruesit e saj u urdhëruan të kapnin anijen e ambasadorëve ndërsa ajo nisej për në Romë, dhe i dërguari i pafytyrë u vra në udhëtimin e tij për në shtëpi, gjoja me urdhër të Teutës. [15] Tregimi i Dion Kasiut (Cassius Dio) sugjeron se ambasadori tjetër mund të jetë burgosur.[16] Në versionin e Apianit, dy ambasadorët, një romak (Coruncanius) dhe një Isaian (Klemporos), u kapën dhe u vranë nga disa lembe ilire përpara se të zbarkonin në tokën ilire, duke lënë të kuptohet se intervista midis Teutës dhe ambasadorëve mund të mos ketë ndodhur.[17] Në çdo rast, lajmi për vrasjen bëri që romakët të përgatiteshin për luftë: të përgatiteshin legjionet dhe të mblidhej flota ushtarake.[18]

Në vitin 229 p.e.s. Roma i shpalli luftë Mbretërisë së Ilirisë dhe, për herë të parë, ushtritë romake kaluan Detin Adriatik për të shkelur në Ballkanin Perëndimor. Një ushtri e përbërë nga afërsisht 20.000 trupa, 200 njësi kalorësie dhe një flotë e tërë romake prej 200 anijesh, e udhëhequr nga Gnaeus Fulvius Centumalus dhe Lucius Postumius Albinus, u dërgua për të pushtuar Ilirinë.[19]

Sulmi romak duket se e kapi në befasi Teutën, pasi ajo kishte urdhëruar një ekspeditë të madhe detare që përfshinte shumicën e anijeve të saj kundër Korkyrës në dimrin e vitit 229. Kur 200 anijet romake u shfaqën në Korkyra, guvernatori i Teutës, Demetër Fari e tradhtoi atë dhe ia dorëzoi qytetin romakëve, përpara se të kthehej në këshilltarin e tyre për kohën e mbetur të luftës.[20] Në fund të konfliktit në vitin 228 p.e.s., romakët i dhanë atij postin e guvernatorit të ishullit Faros (Hvarit) dhe të brigjeve ngjitur.[21] Ndërkohë, pjesa e mbetur e ushtrisë romake zbarkoi më në veri në afërsi të Apollonisë.[22] Ushtria e kombinuar dhe marina detare vazhduan drejt veriut së bashku. Pasi nënshtruan qytetet njërin pas tjetrit, ata përfundimisht rrethuan kryeqytetin, Scodra.[23] Vetë Teuta ishte tërhequr me pak ndjekës në qytetin e fortifikuar dhe strategjikisht të mbrojtur të Rhizonit, baza kryesore e flotës ilire.[24][25]

Sipas Polibit, ajo nënshkroi një traktat në fillim të pranverës së vitit 228 pes. me të cilin pranoi të paguante një haraç vjetor, të mbretëronte mbi një rajon të kufizuar dhe të ngushtë në veri të qytetit Lisus (Lezha moderne) dhe të mos lundronte përtej qytetit Lisus me më shumë se dy anije të paarmatosura.[26] Ai gjithashtu raporton se ata kërkuan që ajo të pranonte autoritetin përfundimtar të Romës. Sipas Dion Kasit (Cassius Dio), ajo abdikoi më vonë në vitin 227 pes.[27]

Apiani përmend se, pas disfatës, Teuta dërgoi një ambasadë në Romë për të dorëzuar robërit dhe për të kërkuar falje për ngjarjet që kishin ndodhur gjatë mbretërimit të bashkëshortit të saj Agronit, por jo edhe për ngjarjet që kishin ndodhur nën sundimin e saj. [1] [2] [3]

Teuta në letërsi

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]

Figura e Teutës është trajtuar edhe në fushën e letërsisë nga autorë shqiptare dhe të huaj. Kështu p.sh. në vitin 1844 shkrimtari kroato-grek Dimitrija Demeter shkroi veprën me titull "Teuta" që paraqet një dramë për një mbretëreshë ilire dhe për mosmarrëveshjet tragjike në vendin e saj që ka rezultuar me rrënimin e shtetit dhe lirisë së popullit antik ilir.[28]

Në vitin 1973 Nada Ćurčija Prodanović publikon veprën me titull "Teuta, Mbretëreshë e Ilirisë" (Teuta, Queen of Illyria).

Rexhep Qosja, i ka kushtuar monodramën “Vdekja e një mbretëreshe” (1978) ndërsa Ekrem Kryeziu, i jep shumë vend në dramën ”Komploti ilir”. Më pas, janë shkruar dhe botuar edhe disa vepra:

Romani me titull "Ilirja" (frëngjisht: L'Illyrienne, kroatisht: Ilirka) shkruar nga shkrimtarja kroato-franceze Flora Dosen botuar në vitin 1986 në Paris, dhe 1988 [29] në Prishtinë e Zagreb.[30]

Romani me titull "Teuta" shkruar nga Mirash Martinoviq, botuar në vitin 2004.

Romani "Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë," shkruar nga Mira Meksi, botuar në vitin 2014.

Drama me titull "Mbretëreshë Teuta e Ilirisë" shkruar nga Përparim Kapllani. [31]

Romani "Klithma e Mbretëreshës Teutë," shkruar nga Ajmone Sumaj Salihu, botuar në vitin 2015.

Romani "Teuta e Ilirisë," shkruar nga Resmi Osmani, botuar në vitin 2014. [32]

Libri për fëmijë me titull "Mbretëresha Teuta dhe princi i vogël" shkruar nga Përparim Kapllani dhe botuar në vitin 2017. [33]

Në vitin 2019 Hana Noka publikon romanin me titull "Besa Po" që i kushtohet Mbretëreshës Teuta.[34]

  1. ^ a b Baku, Pasho, red. (2011). "Teuta". Enciklopedia universale e ilustruar. Tiranë: Shtëpia Botuese Bacchus. fq. 916–918. OCLC 734077163.
  2. ^ a b Neritan Ceka: The Illyrians to the Albanians. Tirana: Migjeni. 2013. ISBN 9789928407467
  3. ^ a b Šašel Kos, Marjeta (2012), "Teuta, Illyrian queen", The Encyclopedia of Ancient History (në anglisht), Wiley-Blackwell, doi:10.1002/9781444338386.wbeah09233, ISBN 978-1-4443-3838-6
  4. ^ Grup autorësh (2009). "Teuta". Fjalor enciklopedik shqiptar. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2694.
  5. ^ Hammond 1993, p. 105
  6. ^ Wilkes 1992, p. 167
  7. ^ Elsie 2015, p. 3
  8. ^ Berranger, Cabanes & Berranger-Auserve 2007, p. 136
  9. ^ Wilkes 1992, p. 159
  10. ^ Wilkes 1992, p. 158-159
  11. ^ Wilkes 1992, p. 159
  12. ^ Eckstein 1995, p. 154
  13. ^ Polybius 2010
  14. ^ Polybius 2010
  15. ^ Wilkes 1992, p. 160
  16. ^ Cassius Dio 1914
  17. ^ Derow 1973, p. 119
  18. ^ Wilkes 1992, p. 160
  19. ^ Šašel Kos 2012
  20. ^ Ceka 2013, p. 180
  21. ^ Ceka 2013, p. 180
  22. ^ Ceka 2013, p. 180
  23. ^ Ceka 2013, p. 180
  24. ^ Ceka 2013, p. 180
  25. ^ Šašel Kos 2012
  26. ^ Elsie 2015, p. 3
  27. ^ Cassius Dio 1914
  28. ^ https://books.google.com/books?id=AX9cAAAAcAAJ
  29. ^ https://books.google.com/books?id=W9lXDwAAQBAJ
  30. ^ https://books.google.com/books?id=7se4tgAACAAJ
  31. ^ https://books.google.com/books/about/Mbret%C3%ABresh%C3%AB_Teuta_e_Ilirise.html?id=EgLCoQEACAAJ
  32. ^ http://www.zemrashqiptare.net/images/article/2019_07/51035/u6_Resmi-Osmani.jpg
  33. ^ https://www.amazon.com/Queen-Little-Prince-Perparim-Kapllani-ebook/dp/B075M3L9ZD
  34. ^ https://books.google.com/books/about/Besa_Po.html?id=ZDZVvwEACAAJ&source=kp_author_description