Jump to content

Festivali i Këngës në RTSH

Nga Wikipedia, enciklopedia e lirë
Festivali i Këngës
ZhanriTë ndryshueshëm
Datatdhjetor
VendndodhjaTiranë, Shqipëri
Vitet aktiv1962–vijon
Organizuar ngaRadio Televizioni Shqiptar (RTSH)
Faqja zyrtarefestivali.rtsh.al

Festivali i Këngës në RTSH, njohur ndryshe si Festivali i Këngës, shkurt edhe si FiK ose Fest, është një garë vjetore muzikoreShqipëri e organizuar nga transmetuesi publik, Radio Televizioni Shqiptar (RTSH). I transmetuar çdo vit që prej inaugurimit në 1962, festivali ka përcaktuar përfaqësuesin shqiptar në Eurovision që nga viti 2004.

Përgjatë viteve u përdorën shumë stile për t'i prezantuar këngët, duke filluar me interpretime vetëm në radio gjatë viteve të hershme, duke vazhduar tek performancat live, playback, riprodhime dhe duete duke përfshirë këngëtarë të tjerë. Sipas traditës, zgjedhen fituesit prej një jurie. Megjithëse, metodat e tjera të votimit si televotimi ose juritë rajonale janë shfrytëzuar. Në disa raste, pjesëtari kryesor i jurisë ka mbajtur dyfishin e fuqisë së votës krahas pjesës tjetër të jurisë.

Festivali ka qenë dhe mbetet një nga ngjarjet kulmore artistike shqiptare. Organizohet në çdo fund viti në Pallatin e KongreseveTiranë. Në të marin pjesë këngetarë të rinj dhe këngëtarë të afirmuar. Festivali zhvillohet përgjatë disa netëve.

Fituesi më i fundit i festivalit është Mal Retkoceri, që fitoi edicionin e 62-të të garës.

Edicioni i parë i Festivalit të Këngës ndodhi më 21 dhjetor 1962 në Institutin e Lartë të ArteveTiranë dhe u fitua nga Vaçe Zela duke e performuar këngën "Fëmija i parë".[1][2] Paraqitjet e garës, nën sistemin komunist, u përqëndruan rreptësisht rreth muzikës së lehtë.[3] Me kalimin e kohës, paraqitjet me tema neutrale u përdorën si vegël e promovimit të idealeve të Partisë Komuniste së Shqipërisë.

Edicioni i vitit 1972 ishte pikëkthim për garën, në të cilin diktatori Enver Hoxha i persekutoi organizatorët e Festivalit të Këngës 11 pasi i deklaroi "armiq të popullit". Ata u akuzuan me të rrezikuarit shtetin me "shfaqje disidente" dhe aspekte imorale në këngët dhe performancat e tyre.[4] Ky incident nisi një periudhë të shtypjes dhe cenzurës ekstreme, me imponimin e sanksioneve të shumta nga Partia Komuniste mbi kreativitetin e garës, dhe cenzurën e rreptë mbi veshjet e artistëve dhe lëvizjet që mund t'i bënin gjatë performancave. Organizatorët kryesorë të garës u akuzuan për konspiracion kundër shtetit dhe korruptimin e rinisë së tij.[5][6] Këngët u monitoruan me bollëk dhe temat u vendosën kryesisht rreth zhvillimit të shtetit apo qeverisë dhe figurave të veta kryesore.

Pas vdekjes së Hoxhës në 1985, ndryshimi i teksteve ishte i vrazhdë dhe cenzura filloi të relaksohet. Nertila Koka dhe Anita Bitri shpejt u popullarizuan për këngët e tyre rreth dashurisë, ndërkaq Parashqevi Simaku, Irma Libohova dhe Morena Reka e nxitën rininë me këngë kalimthi më liberale dhe politike vit pas viti. Grupe të rock-ut si Tingulli i Zjarrtë patën ndikim të konsiderueshëm me mesazhin e këngëve të tyre dhe futjen e muzikës rock në skenën muzikore shqiptare, një zhanër që ka rezistuar deri tani dhe hetohet ende nëpër paraqitjet moderne të FiK-ut, shumë prej të cilave përfshijnë kitarat elektrike. Ky çlirim u mundësua nga pëlqimi i heshtur i Partisë Komuniste që prej udhëheqësisë, kryesisht si pasojë e kuptimit që po i vinte fundi komunizmit në Europën Lindore. Megjithatë, publiku i përgjithshëm ishte më pak i njohur me ato ndryshime ndaj rendit politik, duke e bërë efektin e performancave mbi publikun më të mistershëm e duke provokuar ndjenja të zemërimit dhe shpresës. Edhe pse Shqipëria ishte shteti i fundit në Europën Lindore që i ndau rrugët me komunizmin në 1992, ndryshimi po cingërronte në paraqitjet e FiK-ut që prej 1988.

Këngët fituese pas rënies së komunizmit reflektuan periudhën kalimtare që po e përjetonte shteti. Fituesi i 1991-tës, Ardit Gjebrea me "Jon", dhe fituesi i 1992-tës, paraqitja e Osman Mulës "Pesha e fatit" me vokalet e Aleksandër Gjokës, Manjola Nallbanit dhe Viktor Tahirajt, u përqëndruan në migrim dhe liri, duke u përputhur me gjendjen e shtetit atëkohë. Gjatë kësaj kohe, garës iu dha edhe mundësia e parë që të thonin "Zot". Paraprakisht ishte feja ilegale dhe fjala u ndalua prej të thënit në publik. Pjesëmarrja e shqiptarëve prej jashtë kufijve ishte shtojcë tjetër e historisë së kësaj gare këtë dekadë, meqë shteti ishte në izolim deri atëherë. Veshjet dhe performancat e këngëtarëve u bënë më ekstravagante me kalimin e kohës, me këngëtare si Bleona Qereti, Ledina Çelo dhe Adelina Ismajli duke i vendosur trendet e epokës së re.

Në 1996, skena e Festivalit të Këngës mirëpriti Elsa Lilën, që fitoi garën me këngën "Pyes lotin" atë vit, dhe sërish vitin tjetër me këngën "Larg urrejtjes". Këto këngë pasqyruan realitetin e vështirë të shtetit pas krizës piramidale që shkaktoi kaos përreth Shqipërisë. Përkundër kohëve të vështira, Festivali i Këngës kurrë nuk e ndërpreu transmetimin dhe vazhdoi siç u planifikua përgjatë javëve të fundit të dhjetorit, siç pati bërë çdo vit prej themelimit të vet.

Në vitin 1998, Albërie Hadërgjonaj u bë këngëtarja e parë shqiptare e Kosovës që ka fituar garën me baladën "Mirësia dhe e vërteta". Kënga pati një mesazh humanitar e antiluftarak, dhe konsiderohet si këngë tubuese për Kosovën gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Deri në 1999, Festivali i Këngës ishte ngjarja më e madhe muzikore në Shqipëri. Popullariteti i tij nisi të lëkundej pas hyrjes së garave tjera si Top Fest dhe Kënga Magjike, që ishin më liberale me kriteret e pjesëmarrjes dhe përzgjedhjes së këngëtarëve, dhe eventualisht prodhuan shikueshmëri më të madhe. Megjithatë, me hyrjen e Shqipërisë në Festivalin Europian të Këngës (Eurovision) në 2004, Festivali i Këngës nisi shpejt të rimerrte dhe të tejkalonte nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar të interesimit. Festivali mori një shtytje të publikut me pjesëmarrjen e disa të sapoardhurve nga këto gara, si Anjeza Shahini, që fitoi Ethet e së Premtes Mbrëma disa muaj para pjesëmarrjes së saj në FiK dhe ishte e popullarizuar me publikun për prezencën e saj zanore dhe skenike.

Lista e festivaleve

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]
  1. ^ Vatra e kulturës. Shtëpija Qëndrore e Krijimtarisë Popullore, 1962. fq. 11–12.
  2. ^ Marash Hajati (1998). Dera e prapme e shtypit: kujtime. Logoreci, 1998. fq. 159. ISBN 9789992760307.
  3. ^ Nicholas Tochka (1 nëntor 2016). Audible States: Socialist Politics and Popular Music in Albania (në anglisht). Oxford University Press. fq. 227–. ISBN 978-0-19-046783-8.
  4. ^ Ruzi, Edlira (22 dhjetor 2022). "50 vjet nga Festivali i 11-të i Këngës në RTSH". Agjencia Telegrafike Shqiptare. Arkivuar nga origjinali më 22 dhjetor 2022. Marrë më 26 shkurt 2024.
  5. ^ "Të gjithë të ndëshkuarit e Festivalit të 11-të.(All the prosecuted after the 11th festival)". Transcribed article by Skifter Këlliçi. 2004. Marrë më 1 korrik 2011.
  6. ^ Këlliçi, Skifter (7 janar 2008). "Ja "kokat e prera" në art e kulturë, pas Festivalit të 11-të". Shqipëria.com. Gazeta Shekulli. Marrë më 1 korrik 2011.

Lidhje të jashtme

[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]